Epistolari Lindor

Predrag Matvejeviqi (1932 – 2017) lindi në Mostar, ishte pedagog letërsie në Zagreb, kurse në vitet 90-të jetoi “mes azilit dhe ekzilit” në Itali. Familja e tij ishte me origjinë nga Odesa. I ati ishte “ukrainas sipas origjinës dhe rus sipas gjuhës e kulturës”.

“Intelektual sojli”, siç e vlerëson Claudio Magrisi, ishte kundër çdo sistemi diktatorial dhe autoritar; kundër çdo dehumanizimi në emër të qëllimeve të larta; kundër justifikimit të krimeve në emër të ideve abstrakte; kundër çdo ekstremizmi fetar, por jo edhe kundër fesë, të cilën e konsideronte pjesë të lirisë njerëzore; ishte kundër çdo lloj forme të ksenofobisë, por e çmonte çdo kulturë kombëtare.

Epistolari Lindor (1993) është njëri nga librat më të rëndësishëm të Matvejeviqit. Është një sprovë kundër totalitarizmit ku ka mbresa udhëtimi dhe letra të mbyllura e të hapura në mbrojtje të disidentëve.

Sipas Ismail Kadaresë, ky libër “do të lexohet si kopje moderne e Don Kishotit”. Për Claudio Magrisin, libri “është dëshmi humane e letrare, mbrojtje e guximshme e lirisë, shprehje e ndjenjës së thellë kozmopolite dhe thirrje kundër mbylljes kombëtare”.

Kryefjala jetësore e Matvejeviqit ishte: “T’i mbrojmë edhe ata me të cilët nuk pajtohemi përderisa janë në pozitë të vështirë”. Të rrezikojmë, sepse “pa rrezikuar nuk ka magji”.

Nëpërmjet “letrave në shishe dhe të hedhura në det”, ai u doli në mbrojtje disidentëve të shumtë. Në vitin 1971 kërkoi nga Leonid Brezhnjevi që t’i lironte disidentët: Andrej Sinjavski e Jurij Daniel dhe të mundësonte “çlirimin e realizmit socialist nga fryma partiake”. Një vit më vonë, po nga Brezhnjevi, kërkoi amnistimin e Josif Brodskit, i cili, pasi e vuajti dënimin me burg, u dëbua nga shteti. U doli në mbrojtje edhe disidentëve: Milan Kundera, Pavel Kohut, Vaclav Havel, Adam Michnik, Gjergj Konrad, Çesllav Milosh, Osip Mandelstam, Boris Pasternak, Bulat Okuxhava etj. Njëherësh, nuk pajtohej me qëndrimet e Mihail Sholohovit, i cili thoshte: “Unë shkruaj sipas diktatit të zemrës, por zemra ime rreh për partinë”. Kur shkrimtari stalinist e fitoi Nobelin për Letërsi, Matvejeviqi tha: “Kurrë s’e kam aprovuar shijen e Komitetit të Nobelit”. Reagoi kur çmimin me emrin e Sholohovit e fitoi Radovan Karaxhiqi si “luftëtar i sllavizmit”.

Në vitin 2007 i shkroi Putinit. Ia përmendi vrasjet e gazetarëve opozitarë.

Matvejeviqi e përkrahu politikën e Perestrojkës së Gorbaçovit, të cilin e quajti “reformatori i dëshpëruar”.

“Nuk njoh reformatorë të lumtur”, tha ai.

Pas viteve nëntëdhjetë kërkoi me ngulm që të rehabilitoheshin viktimat e çdo diktature. Sipas tij, rehabilitimi i vërtetë nuk ishte vetëm anulim dënimesh, por edhe gjykim i kriminelëve.

“Pa rehabilitim nuk ka shoqëri të lirë”.

I kërkoi presidentit rus, Boris Jelcinit, që t’i dënonte krimet e komunizmit, sepse, sipas Matvejeviqit, ishte e mjerë shoqëria ku “harrohen emrat e viktimave dhe fshihen emrat e xhelatëve”

Matvejeviqi shkruan edhe për vizitat në Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Në këtë “kohë shikimesh mosbesuese” dhe kalecësh të shërbimeve sekrete, pa një shoqëri që i mungonte kultura qytetare. Aty refuzohej “drejtësia si vlerë”, kishte mistifikim të demagogjisë, inflacion të simboleve ideologjike dhe sekretarë partiakë që i komandonin shoqatat e artistëve. Në Moskë iu kujtuan fjalët e Pushkinit, i cili, derisa e lexonte Frymë të vdekura të Gogolit, tha: “O Zot, sa fatkeqe është Rusia ime!”. Derisa i dëgjonte si flisnin aparatçikët partiakë, i tha Danilo Kishit: “E gjora Rusi çfarë përfaqësuesish ka zgjedhur!”

Në këtë shtet përmendej me drojë emri i Pasternakut dhe flitej me përçmim për poezitë Osip Mandelstamit (“Një ulcerë hebreje në trupin e shenjtë të poezisë ruse”). Aty e pa “lulëzimin” e “letërsisë së sekretarëve”. Mësoi se vetëm në Ukrainën e periudhës sovjetike kishte 857 shkrimtarë, 200 prej të cilëve jetonin nga “puna letrare”. “Punëtorët kulturorë” mendonin sipas vijës ideologjike. Ata ishin “produkt i popullit që nuk mundi të bëhej komb”.

Matvejeviqi shkruan për thelbin e ideologjisë staliniste: “Përzierjen e dhunshme të inteligjencies me shtetin”. E kritikon dogmën zhdanoviste që i mësonte lexuesit të mendonin e vepronin sipas linjës ideologjike. I ironizon shkrimtarët që u sugjeronin kolegëve të shkruanin sipas vijës partiake. Gladkovi thoshte: “Thjeshtësia dhe fuqia e fjalive sipas stilit të Stalinit ishin shembull për shkrimtarët”. Babeli shtonte: “Të shohim sesi Stalini e farkëton stilin e tij që të na shërbejë si shembull për ta zbukuruar gjuhën tonë”. Ozerovi kërkonte të veprohej vetëm sipas linjës partiake, “ashtu siç letërsia sovjetike i mëson lexuesit”.

Për Matvejeviqin letërsia e vërtetë ishte diçka tjetër.

“Letërsia e vërtetë mund të ekzistojë vetëm aty ku ajo është vepër e njerëzve të krisur, e eremitëve, heretikëve, ëndërrimtarëve, rebelëve dhe dyshimtarëve, por jo edhe e funksionarëve të paguar dhe e bamirësve”, shkruan ai.

Rusia ishte vendi ku shkrimtarët më të njohur përjetuan një fat të keq, sikurse: Esenini, Majakovski, Dostojevski, Tolstoi apo Cvetajeva. Mandelstami e përjetoi gulagun. Brodski u dënua dhe u dëbua nga vendi. Hlebnikovi vdiq si një i braktisur. Ahmatova dhe Pasternaku e përjetuan “emigrimin e brendshëm”.

Matvejeviqi shkruan edhe për disidencën letrare, që “më shumë ishte disidencë sesa letërsi”. Shkruan edhe për “psihushkat” (spitalet psikiatrike ku përfundonin disidentët), për “samizdatet” (librat që shpërndaheshin ilegalisht brenda një vendi), për “tamizdatet” (librat e ndaluar që botoheshin jashtë vendit) dhe “neizdatet” (librat që nuk mund të botoheshin askund). Shkruan për 7000 ditë në Siberi të Karlo Shtajnerit, për Arkipelagun Gulag të Solzhenjicinit, për Rrëfimet nga Kolima të Varlam Shalamovit, për takimet me poetin Bulent Okuxhava, i cili Solzhenjicinin e quante “besimtari me mitraloz”.

Matvejeviqi arrin në përfundimin se “historia ruse përherë kishte qenë atipike”

Në ribotimin e fundit të Epistolarit lindor, u përfshi letra që Matvejeviqi ia dërgoi presidentit rus, Vladimir Putinit. Këtij ia kujton vrasjet e disidentëve, veçanërisht vrasjen e gazetares Ana Politikovskaja. E kritikon afërsinë e Putinit me “stalinistin bjellorus Aleksander Lukashenko dhe tiranin çeçen Ramzan Kadyrov”, si dhe cenimin e sovranitetit të vendeve fqinje, veçanërisht Ukrainës. E kundërshton idenë për krijimin e shtetit të madh rus. E quan të habitshme deklaratën e Putinit mbi shpërbërjen e BRSS si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit njëzet”.

“Çfarë lloj ‘institucionesh janë shpërbërë’ që nuk duhej të ishin shpërbërë?”, pyet Matvejeviqi që kishte besuar se pas shpërbërjes së BRSS do të pasonte demokratizimi dhe jo vazhdimi i diktaturës.

“Ne nuk e kemi harruar mizorinë e tmerrshme ndaj Çeçenisë, e cila është maskuar si frikë nga terrori islamik, e që në Kaukaz është më shpesh pasojë se sa shkak. (…) Ne kemi parë sesi përpjekja e Ukrainës për një reformë është penguar dhe si Jushçenko dhe pasuesit e tij janë heshtur”, i shkruan Putinit.

Rusia për të ishte një shtet autoritar, të cilit ia kishte frikën edhe Gorbaçovi.

“Autoritarizmi kurrë s’i ka sjellë lumturi Rusisë. Politika e fuqisë së madhe e shkatërroi atë. Pushteti mbi vendet dhe popujt e tjerë e ka turpëruar atë. Ju dhe kolegët tuaj e dini mirë këtë. Ju e dini sesa e vështirë është jeta e një burri rus, si dje, po ashtu edhe sot. Sa të përligjura e të nevojshme janë dëshirat e tij për të dalë nga mjerimi dhe për ta fituar dinjitetin e njeriut të lirë. Po ju shkruaj këto rreshta në emër të shumë njerëzve që nuk harrojnë sa sakrifica ka bërë Rusia për lirinë dhe lumturinë e botës.”

Për Matvejeviqin ishte e paqartë politika e Putinit.

“Pyesnim dje dhe pyesim sot sesi do të jetë Rusia: kombëtare dhe tradicionale ose demokratike dhe moderne, ortodokse ose skizmatike, më shumë e bardhë se e kuqe apo anasjelltas, sllavofile ose perëndimore, aziatike ose europiane”.

Pas kësaj letre, Matvejeviqit iu sugjerua që mos ta vizitonte Rusinë, sepse “mund t’i ndodhte më e keqja”. Në shënimin plotësues, shkruan: “Nuk shkova më atje, por ndoshta do të shkoj një ditë, atëherë kur gjërat do të bëhen më mirë. A do ta përjetoj atë ditë?”.

Matvejeviqi vdiq në Zagreb, më 2017. Nuk e vizitoi Rusinë ku sundon Putini. Pyetja e tij: “A do të ndodh që, më në fund, Rusia të triumfojë mbi Rusinë?”, mbetet pa përgjigje pohuese.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button