Tani është koha që t’i jepet prioritet paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, thotë DASH

Tani është koha që t’i jepet prioritet paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, deklaroi Departamenti Amerikan i Shtetit, duke u përgjigjur në pyetjen e VOA-s nëse SHBA është e shqetësuar për informatat nga Bullgaria se ekziston rreziku që Ballkani Perëndimor të bëhet rajon i jostabilitetit për shkak të veprimtarisë së agjentëve rus, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri bullgar, Kiril Petkov para disa ditëve paralajmëroi se Agjencia Shtetërore Bullgare për Siguri Nacionale heton spinë të cilët punojnë kundër marrëdhënieve të mira mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por edhe ardhmërisë evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Në Bullgari është formuar një diasporë mjaft e madhe agjentësh rus, të cilën aktualisht e shohim duke punuar për interesa të ndryshme. Ka agjentë rusë që kanë punuar në mënyrë specifike kundër mirëkuptimit midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Petkov në Blagoevgrad, njoftoi BGNES.

Ndaj kësaj DASH tha se prioritet duhet t’i jepet paqes dhe sigurisë së Ballkanit Perëndimor.

“Nuk kemi çfarë të ndajmë për komentet e kryeministrit Petkov. Ju udhëzojmë të drejtoheni te Qeveria e Bullgarisë. Në lidhje me stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përpjekjet ruse për të promovuar mosmarrëveshje politike nuk janë të reja. Tani është koha që t’i jepet prioritet paqes dhe sigurisë së Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të DASH.

Ndërkaq, në pyetjen nëse SHBA pret që deri në fund të udhëheqjes franceze me BE-në të hiqet vetoja bullgare dhe të arrihet marrëveshje me Shkupit dhe Sofjes, nga DASH u përgjigjën:

“ne vazhdojmë t’i mbështesim aspiratat evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. I përshëndesim përpjekjet e qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për këtë çështje”.

Dje, edhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se, persona të punësuar në institucionet e vendit javën e kaluar janë paraqitur në Bullgari me qëllim që të mos zgjidhet kontesti mes dy vendeve.

“Këtë javë nga Maqedonia e Veriut janë paraqitur në Republikën e Bullgarisë duke thënë se është i panevojshëm gjithë ai angazhim sepse këtu do të shkohet shpejt në zgjedhje, se do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe se nuk do të mundet as të arrihet zgjidhje e caktuar”, tha Osmani.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button