Sot dhe nesër do të mblidhet Komisioni maqedono-bullgar për çështje historike

Komisioni maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore sot dhe nesër në Shkup do të mbajë mbledhjen e re, të tetëmbëdhjetë me radhë. Në rend dite do të jenë vërejtjet nga pala bullgare për periudhën mesjetare për tekstet e historisë së Maqedonisë për klasën e shtatë, pas shqyrtimit të vërejtjeve të Maqedonisë për tekstet bullgare për klasën e gjashtë, transmeton Portalb.mk.

Dragi Gjorgjiev, bashkëkryesues i palës maqedonase në Komision, për MIA-n ths se puna e Komisionit po zhvillohet në atmosferë pozitive dhe nëse vazhdon kështu, sipas tij, qëndrimet do të përafrohen.

Lidhur me çështjen e Goce Dellçevit, e cila po diskutohet nga aspekti i përkujtimit të përbashkët, Gjorgjiev tha se do të hapet në këtë takim nëse mbetet kohë.

Mbledhja vjen pas takimit të krerëve të qeverive të vendeve anëtare të NATO-s nga Evropa juglindore, i cili u zhvillua në Sofje, ku morën pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov.

Petkov, në konferencën e përbashkët për media, tha se ka lajme të mira për punën e komisionit historik dhe informoi se është bërë përparim për figura të rëndësishme historike në bisedimet për tejkalimin e dallimeve.

Ai tha se komisioni historik e kishte njoftuar për disa figura të rëndësishme historike dhe trajtimin e tyre.

“Do t’ju jap disa detaje. Kemi bërë përparim në këto çështje, në një mënyrë shumë konstruktive dhe realiste që na hap mundësinë për të përshpejtuar negociatat tona. Sigurisht, unë dhe partnerët e mi të koalicionit fillimisht do të duhet të marrim raport të plotë nga Komisioni, por sapo të marrim raport, do të shkojë shumë shpejt”, tha Petkov.

Kovaçevski, ndërkohë, tha se historianët punojnë të pavarur nga dialogu politik dhe grupet e tjera të punës që punojnë për çështje të tjera.

“Në takimin tonë këtu në Sofje, pikërisht në këtë hapsirë, ata ishin këtu dhe thanë se do ta përshpejtojnë punën e tyre dhe posa të dalin në përfundime në bazë të metodologjisë së tyre historike, atëherë mund ta ndajnë me të tjerët”, tha Kovaçevski.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button