Vizioni për Maqedoninë e Veriut në dekadën e ardhshme

Sigurisht që secili prej nesh dëshiron një të ardhme më të mirë me kushtet ideale, gjithmonë themi se ky duhet të bëjë këtë, ajo atë, e kështu me radhë por shpesh harrojmë, rrallë apo asnjëherë nuk pyesim veten, çfarë po bëj un për të kontribuuar për të ardhmen dhe ndryshimet që duam të shohim.

Në fakt vendi jonë është në tranzicion, por sidoqoftë disa sfida po na përcjellin me vite e me vite dhe vijnë momente që na duket se nuk do ndryshojnë kurrë, apo nuk do bëhet mirë asnjëherë, kjo dhe shumë arsye të tjera ndikojnë që pamjet e autobusëve me plot të rinj të cilët po largohen në perëndim po na shoqërojnë çdo ditë e më shumë.

Po kthehem përsëri te ajo që thash se a e pyesim ndonjëherë veten çfarë po bëj unë për një të ardhme më të mirë në vendin tonë. Personalisht deri para dy viteve edhe un nuk e shihja veten time këtu, mendoja të mbaroj studimet dhe të largohem nga ky vend.

Por erdhi një moment kur kjo dëshirë për një moment u shua. Fatmirësisht gjatë studimeve pata rastin të studioj për dy semestra në dy nga universitetet më të mira në Evropë (Lubjanës dhe Heidelbergut), dhe ajo çfarë mësova nga atje ishte se moshatarët e mi atje nuk janë aspak më të mençur dhe më punëtorë se ne këtu në Maqedoninë e Veriut, por në shtetet e tyre gjeneratat më të vjetra kanë punuar me kohë që të ju sigurojnë jetesë dhe kushte më të mira atyre.

Pikërisht ishte kjo arsyeja për të cilën vendosa që të qëndroj këtu që të kontribuoj edhe unë për një të ardhme më të mirë përmes aktivizmit shoqëror dhe profesionit të cilin kam zgjedhur, pasi i njëjti edhe njihet si pushteti i katërt dhe i cili ka fuqinë që të bëjë ndryshime në shoqëri.

Unë të ardhmen apo Maqedoninë e Veriut dua ta shoh si një vend me gazetari profesionale e cila ju shërben qytetarëve dhe interesit publik, dhe jo atij partiak.

Si një i ri në radhë të parë, në dekadën e ardhme dua të jetoj në një shtet i cili do të jetë pjesë e BE-së, shtet në të cilin ka meritokraci; drejtësi; barazi; ambient të pastër; sistem, administratë, shëndetësi dhe institucione funksionale dhe jo politike dhe shumë ndryshime të tjera të cilat gjithsecilit prej nesh besoj që na vijnë në mendje çdo herë që parashtrohet pyetja se çfarë duam të ndryshojmë në vendin tonë.

Shkurt, në dekadën e ardhshme dua të shoh një Maqedoni të Veriut në të cilën në programet zgjedhore të partive politike nuk flitet  më për ujë të pijshëm, mbeturina, infrastrukturë apo gjëra elementare për jetesë. Këto të jenë pjesë e së kaluarës dhe në dekadën e ardhshme të flasim për vlera të vërteta evropiane dhe të jemi në hap me kohën, zhvillimet dhe inovacionet më të reja, kurse problemet e lartpërmendura të jenë të zgjidhura.

E kur jemi këtu, mendoj që përmes punës dhe profesionit tim, sadopak mund të kontribuojë që diçka  nga këto që përmenda më pak apo më shumë të përmirësohet. Mendoj, se një hap shumë i madh dhe i rëndësishëm si rritje e vetëdijes te masa është që institucionet arsimore duhet t’i kushtojnë shumë rëndësi edukimit mediatik, që në shkolla të mesme, pasi duhet të krijojmë gjenerata të reja të cilat mendojnë në mënyrë më kritike, dhe jo që u shpërlahet truri me gjithçka që lexojnë, pasi e njëjta sjell kundër efekte dhe pasoja si që përmenda më parë, pasi mendoj që nuk kemi më gjenerata për të humbur.

Shkrimtari anglez George Orwell ka thënë “Gazetaria është të printosh atë që dikush tjetër nuk dëshiron të publikohet; gjithçka tjetër është marrëdhënie me publikun.”

Kur jemi këtu, nëse duam të shohim ndryshime pozitive në dekadën e ardhshme dhe ato pasardhëset duhet që sa më shumë përmes pushtetit të katërt, gazetarisë të luftojmë për pjesën e parë të cilën e thotë Orwell, të publikojmë gjërat të cilat “dikush” nuk do të publikohen, kuptohet gjithmonë kur flasim për interesin publik. Pasi kështu besoj që mund të bëjmë përparim në të gjitha sferat publike, duke luftuar padrejtësitë dhe duke mbrojtur interesin e qytetarit, gjithmonë me qasje profesionale, objektivitet, verifikim, presion dhe saktësi. Me këtë është dëshmuar se rezultatet janë në anën e qytetarit.

Nëse për pjesën e parë të thënies nga Orwell duhet të luftojmë shumë, ende më shumë duhet t’i shmangemi pjesës që Orwell e quan “marrëdhënie me publikun”, pasi në këtë mënyrë, mediat bëhen megafonë të partive politike dhe harrojnë interesin e qytetarit për të cilin janë të destinuar të punojnë. Zor se në këtë mënyrë mund të ecet përpara, dhe të arrijmë ndryshimet që synojmë. Sot fatkeqësisht, kemi shumë megafonë të tillë të cilët janë të shpërndara si qelizat kancerogjene në botën mediatike te ne, dhe kjo infekton shoqërinë në një shkallë të gjerë e cila pas vetes bart edhe pasoja.

Me edukim më të madh mediatik, me qasje profesionale, saktësi, dhe me më shumë këmbëngulje un mendoj se ndryshimet janë të mundura dhe jemi pikërisht ne ato të cilët duhet të luftojmë për to që të njëjtat të sjellin ndryshime për të gjithë ne. A është e vështirë? Normal se është, por mendoj se nuk duhet ta lëmë kohën të ik, të veprojmë të gjithë bashkërisht, secili në mënyrën e tij, sepse mund të ja dalim. Më mirë të bëjmë pak se sa mos të bëjmë asgjë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button