ZONË LUFTE

Në zonë lufte bota bëhet rrëmujë dhe merr ngjyrë ndryshku. Aty harrohen ditët. Koha rrjedh ngathët dhe matet ndryshe. Vdekja dhe pikëllimi i pushtojnë mendimet e njerëzve. Duket se ndodh shumëçka, por nuk ndodh asgjë e re. Lajmet e trishta bëhen të zakonshme. Lagjja më e afërt bëhet e paarritshme. Bota ngushtohet. I ka përmasat e një bodrumi të ngushtë.

Në zonë lufte shpesh thuhet “nëse”… “Nëse dalim nga lufta do të”… edhe “do të” përmendet shpesh.

Në zonë lufte kudo mund të hapen varre. Të vrarët shpesh varrosen pa kortezh, pa fjalime, pa lule, pa kurora, pa ceremoniale ngushëllimi.

Në zonë lufte mëson shumëçka për armët, kalibrat e tyre, efektet shkatërruese, mënyrat e mbrojtjes, vendet më të sigurta. Aty mëson se duhet t’u shmangesh rrugëve të asfaltuara dhe vendeve të hapura. Bëhesh edhe mjek autodidakt.

Në zonë lufte ke kohë për shumëçka dhe vullnet vetëm për të mbijetuar. Armëpushimi është frymëmarrje e vështirësuar pas gulçimit të gjatë.

Në zonë lufte nuk lejohet paniku edhe nëse të kap lemeria. Duhet të kesh kujdes si lëviz dhe çfarë flet. Rebelimet kushtojnë shtrenjtë.

Në zonë lufte duhet të kujdesesh edhe për fëmijët e trishtuar. Ata duhet të besojnë se jeta është një film me fund të lumtur. Duhet t’i gënjesh se mund ta parashikosh të ardhmen. Ajo gjithsesi duhet të jetë e bukur dhe e lumtur. Optimizmin e munguar duhet ta ngjallësh tek ata.

Në zonë lufte mësohesh të jetosh pa rrymë, pa telefon, pa internet, pa lajme. Aty shtohet oreksi, por duhet të kesh kujdes me rezervat ushqimore. Se në zonë lufte mendon për më të keqen që mund të vijë.

Në zonë lufte shpesh beson se bota s’të ka braktisur. Harron se kur gjetiu bëhej luftë ti mendoje për gjëra tjera. Vuajtjet e njerëzve në vende të largëta ishin vetëm një lajm i zakonshëm.

Në zonë lufte ke shumë kohë për të shkruar, por fjalët nuk janë të rafinuara me zjarr. Ke shumë kohë për të lexuar, por lexon vetëm për ta larguar vëmendjen nga gjërat e trishtuara. Dëshiron të lexosh libra mbi luftën dhe absurdin e saj. Janë të mirëseardhur udhëzuesit për kohëra të vështira. Të ndihmojnë mësimet e stoikëve, të vlefshme për kohëra të trazuara.

Në zonë lufte shpresat i ke varur te forcat mbrojtëse, personat e zgjedhur për të vdekur. Fqinji yt i vijës së parë në front, deri dje i parëndësishëm, bëhet engjëlli yt mbrojtës. Ushtarin, që dikur të bezdiste, e dëgjon me vëmendje. Beson se ai di gjëra që duhet t’i dish.

Në zonë lufte e ndjen se nuk ke asgjë për të humbur veç jetës. I thua vetes se nëse do të mbetesh gjallë s’do t’u kushtosh vëmendje gjërave të parëndësishme. Kështu ke menduar sa herë ke qenë në gjendje të vështirë…

Në zonë lufte fitorja më e madhe është nëse e mposht ligësinë brenda vetes dhe i shpëton amokut; nëse vazhdon të besosh se njerëzit që vriten janë si ne, kanë ëndrra dhe iluzione si ne, ndjejnë dhembje si ne, qeshin e qajnë si ne, bëjnë dashuri si ne.

Në luftë ka tjera rregulla… Në luftë nuk ka rregulla. Ti duhet të jetosh sipas atyre që i quajnë rregulla…

Kur del nga zona e luftës e sheh se në skenë janë shfaqur klounët. Ata rrëfejnë për trimëritë e paqena dhe për luftën që nuk e kanë përjetuar. Derisa ata organizojnë spektakle, ti dëshiron të harrosh atë që nuk mund të harrohet. Nuk dëshiron as të rrëfesh dhe as të dëgjosh rrëfime nga lufta.

“Lufta është e dashur për ata që nuk e kanë përjetuar. Atyre që e përjetuan u dridhet zemra sapo ajo afrohet”, thotë Pindari.

Kur del nga zona e luftës e kupton se ka vetëm humbës. Lufta krijon shpirtra të dërrmuar. Bombat ende shpërthejnë. Në gjumë. Në ëndrra. Zhurma e tyre dëgjohet me vite…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button