GARBO NACIONALIZMI (II)

Sipas Velikonjës (2013) ky lloj nacionalizmi është shumë më i rrezikshëm. Ai rastin e të Fshirëve (emërtim për qytetarë të Sllovenisë të cilët Ministria e Punëve të brendshme më 26 shkurt në mënyrë të paligjshme i fshiu nga regjistrat e banorëve të përhershëm, që u abrogua në vitin 1998 nga Gjykata Kushtetuese Sllovene) e quan pastrim burokratik. Nacionalistët sllovenë nuk kanë bërë therje, ata njerëzit i kanë eliminuar përmes ligjeve, i kanë përjashtuar. Të Fshirët kanë humbur banesa, punë, pensione, të gjitha të drejtat. Numri i tyre ka qenë 25 000 dhe deri tani problemi nuk është zgjidhur për të gjithë. Ky fenomen ka ndodhur në një vend me dy milionë banorë; i përajshtuar del 1%-shi i popullatës. Këta janë ata fashistët ‘e mirë’” (fini fašisti). (Velikonja, 2013)

Kuzmanić nënvizon se mendësia sllovene post-komuniste më së miri mund të përshkruhet përmes termit fashizëm i kulturuar apo italian. (1999: 57) Kjo mendësi ka prodhuar mes tjerash edhe terma si čefur që është një emër ofendues për njerëz nga kombe të tjera ish-jugosllave. Çefurji Raus që daton nga vitet 1980), thënie klasike Sllovenia për sllovenët dhe Burek. Nein Danke. Sot si edhe në shumë nacionalizma ballkanikë edhe te ai slloven shënjestrat janë kombet fqinje (ose superfuqitë e largëta), armiqtë e shtetit (çifutët, romët, pakicat kombëtare), të sapoardhurit e padëshiruar (refugjatët), dhe të gjithë të dyshuarit e zakonshëm nga imagjinarja e ideologjisë nacionaliste (me fyerje “autentike”: çefurë, majtistë, zombi komunistë, fashistë të majtë, kuçka mediatike, homoseksualë dhe lesbike, sektor publik, ciganë, ballkanas, të varfër, myslimanë, etj…). (Velikonja, 2020: 105, 120)

Sido që të jetë në jetën sllovene edhe përkundër frymës së fuqishme nacionaliste të viteve 1990, sot shënohet një kthim prapa. Për këtë flasin edhe veprat në vijim të Velikonjës ku fjalë kyçe janë jugosllavizmi i ri, titostalgjia dhe eurosis (pakënaqësinë nga eurocentrizmi): Rock‘n’Retro – New Yugoslavism in Contemporary Slovenian Music (2013), Titostalgia – A Study of Nostalgia for Josip Broz (2008), Eurosis – A Critique of the New Eurocentrism (2005).

Nacionalizmi, kombëtarizmi nënkupton ndërgjegjen e përbashkësisë e popullit të një vendi, sensin për qenien, interesin dhe idealin e përbashkët të kombit. Është rrymë socio-politike që formohet nga kjo vetëdije. Lëvizje politike që mbron të drejtën e pjesëtarëve me ndjenjë të përbashkët kombëtare që në kuadër të kufijve sovranë të një shteti  të bëjnë politikë të pavarur, sipas së cilës kundër tendencave për kufizim të veprimeve të një shteti mund të luftohet edhe me armë. (Dağ & Pajaziti, 2019) Nacionalizmi slloven, bashkë me atë shqiptar janë të parët që e kanë sfiduar unitetin e Jugosllavisë. Sllovenia qëmoti ishte në grindje politike dhe ekonomike me Jugosllavinë, kishte ankesa lidhur me shfrytëzimin nga pjesët jugosllave të mbiquajtura “ne’er-do-well areas”, hapësira që s’bëhen kurrë  (Zimmmermann, 1999: 29), që shënjon të gjitha republikat dhe krahinat pos Kroacisë. Kjo strategji prodhoi një nacionalizëm sui generis, të mbiquajtur garbo nationalizëm, specifik për këtë vend dhe komb që i mundësonte shkëputjen nga Serbosllavia e ardhshme (M. Kuçan)

Sintagma garbo nacionalizëm është një risi në terminologjinë sociologjike dhe politologjike që:

  • Në mënyrë tipike ndërlidhet me Slloveninë dhe qasjen e saj ndaj shtetit jugosllav gjatë procesit të shpërbërjes.
  • Është nacionalizëm instinktiv i lindur nga kriza në të cilën u gjend Jugosllavia në fund të shekullit të kaluar.
  • Është joagresiv por apologjik, vetëmbrojtës, më vonë edhe me nuanca negative, madje edhe raciste.
  • Ka edhe përmasën e vet makiaveliste joetike, ngase është etnocentrist, nuk i mendon pasojat më të gjera por vetëm benefitet nacionale të një grupimi të caktuar.
  • Pra, niset nga teza e realizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare se të gjitha shtetet kombëtare motivohen nga interesat nacionale, se secili shtet duhet me të gjitha mjetet “ta sigurojë ekzistencën e vet në vorbullën e anarkisë ndërkombëtare” (Kiçmari, 2013: 86).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button