Prokuroria i ka kërkuar të dhëna Facebookut për gjuhën e urrejtjes të Milenkos për aksidentin e autobusit në Bullgari

Kanë kaluar më shumë se tre muaj që kur gazetari kontrovers Milenko Nedellkovski shpërndau gjuhë të urrejtjes nëpërmjet një status në Facebookun për aksidentin e autobusit të RMV-së në Bullgari, ku humbën jetën 45 persona dhe 7 të tjerë u lënduan, ndërkaq Prokuroria thotë se është duke kryer veprime për konstatimin e fakteve, njofton Portalb.mk.

“Në lëndën për të cilën tregoni interes, pas pranimit të njoftimit nga Ministria e Punëve të Brendshme, prokurori publik kompetent, ka filluar të ndërmarrë veprime për konstatimin e fakteve, gjatë së cilës ka dërguar kërkesë deri te rrjeti social në të cilën është publikuar komenti për sigurimin e të dhënave në lidhje me publikimin. Ndaj kërkesës po veprohet”, thonë për Portalb.mk nga Prokuroria.

Një ditë pas aksidentit tragjik të autobusit në Bullgari, Nedellkovski në rrjetin social Facebook publikoi një status me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes.

Gjegjësisht, derisa opinioni ishte i tronditur për ngjarjen tragjike të djegies së autobusit në autostradën bullgare Struma dhe derisa të gjithë pyesnin për shkakun apo shkaqet e aksidentit, Nedellkovski shkruajti “A janë mallkimet shkaku?”, duke lënë të kuptohet që sipas tij aksidenti ka ndodhur si shkak mallkimeve ndaj shqiptarëve.

Statusi i Milenkos, aksidenti Bullgari

Po aq skandaloze janë edhe komentet e qytetarëve nën postimin e tij.

“Nuk e di Milenko, por arrijnë kurdoherë. Kështu ka qenë nga kohërat e lashta”, shkruan një qytetar i cili në profilin e Facebookut e ka emrin Mihajllo Naumoski Makedonski, komentin e të cilin e kanë pëlqyer 10 persona.

“Zoti është i madh, mund të vonojë, por nuk harron”, shkruan qytetari me emrin Spirko Blazevski.

“Mban ujë!”, shkruan një qytetar me emrin Vladimir Spirov.

“Hmmm, si Zoti askush!”, shkruan Petko Nedelkovski.

Disa prej komenteve

Këto janë vetëm disa prej komenteve, ndërkaq ka edhe një sërë reagimesh të cilët janë të revoltuar me këtë status.

Statusi në fjalë, bashkë me komentet është ende aktiv.

Portalb.mk, ka dorëzuar paraqitje deri në Polici dhe Prokurori për t’i pyetur nëse kanë ndërmarrë diçka rreth këtij postimi publik.

Policia rastin e paraqiti në Prokurori dhe me këtë i ka kryer obligimet ligjore. Sipas, procedurës, tani Prokuroria duhet të veprojë.

Sipas Kodit Penal, për vepër penale përhapje të informacioneve raciste dhe ksenofobisë në internet parashihet dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet. Portalb.mk ndër vite shkruan për problematikën e gjuhës së urrejtjes dhe të gjitha pasojat që kjo e fundit i sjellë shoqërisë multietnike të Maqedonisë së Veriut. Është shumë e rëndësishme të ndërmerren masa në mënyrë që kjo dukuri të minimizohet dhe këto vepra penale të mos jenë kaq të theksuara në vend.

Në RMV nuk ndëshkohen personat që shpërndajnë gjuhë të urrejtjes

Në një uebinar “Si ta luftojmë gjuhën e urrejtjes?” i cili u mbajt në qershor, panelistët deklaruan se Prokuroria vazhdon të mos i procesuojë rastet e gjuhës së urrejtjes dhe rrjedhimisht me këtë në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mos ndëshkohet gjuha e urrejtjes, pavarësisht se është vepër penale.

Nuk është hera e parë që Nedellkovski shpërndanë gjuhë të urrejtjes. Ai disa herë ka shpërndarë statuse skandaloze nëpër rrjetet sociale, për të cilat janë dorëzuar edhe padi penale. Megjithatë, i njëjti nuk është ndëshkuar.

Se nuk ndëshkohet gjuha e urrejtjes dëshmon edhe rasti në lidhje me aksidentin e autobusit të “Durmo” Tursit në vitin 2019-të. Në ditën e aksidentit në Llaskarcë ku humbën jetën 16 persona, profesoresha Biljana Vankovska nëpërmjet rrjetit social Fejsbuk shpërndau një status “Çfarë tragjedie dhe ironie: Karpallëk”, i cili u cilësua gjuhë e urrejtjes pasi aksidentin e ka lidhur me ndodhinë e konfliktit të vitit 2001 në Karpallëk në të cilën u vranë 10 ushtarë të Armatës së Maqedonisë nga formacionet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Megjithatë, prokurori kompetent i Prokurorisë së Shkupit, e hodhi poshtë padinë penale të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Për dallim prej organeve tona, autoritetet bullgare kanë arrestuar një burrë nga Sofja, menjëherë pasi ai në Facebook ka publikuar komente, jashtë normave morale dhe etike, në lidhje me aksidentin tragjik të autobusit në Bullgari. Materialet janë denoncuar në Prokurorinë e qarkut në Sofje për veprën penale në bazë të nenit 462 të Kodit Penal – shpërndarje të urrejtjes në baza nacionaliste nëpërmjet sistemit elektronik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button