Mësime nga Ukraina

Populli i Ukrainës në krye me presidentin Zelenski që u shndërrua në një legjendë, vazhdon të përballet me një superfuqi ushtarake, shumë më superiore se ajo. Brenda një jave, Ukraina fitoi simpatitë e gjithë botës, ndërsa Ariu i Siberisë po përjeton izolim të gjithanshëm dhe turpërim mbarëbotëror. Në luftën për ekzistencë dhe pavarësi të shteteve, fuqia ushtarake megjithatë nuk është gjithçka. Ky është mësimi i parë nga kjo luftë.

Kur një shtet i pavarur dhe sovran, i njohur ndërkombëtarisht, sulmohet ashpërsisht me qëllim okupimi agresor nga një shtet i madh dhe i fuqishëm me të cilin paraprakisht shteti më i vogël ka qenë në federatë, dy opsione janë të mundshme: ose shteti i vogël do të dorrëzohet dhe do të kapitulojë që në fillim, ose do të bëjë rezistencë dhe në fund do të dalë i fituar. Ukraina zgjodhi opsionin e dytë. Presidenti i shtetit Zelenski, të cilin shumë njerëz dhe liderë nuk e mernin seriozisht, u shndërua në legjendë, sepse në momentin krucial, nuk zgjodhi të kujdesej për sigurinë e tij personale, por vendosi të bënte gjënë e duhur, i veshi teshat e ushtrisë dhe u bashkangjit në krye të luftës për të mbrojtur pavarësinë e vendit të vet. Kur shtetet perëndimore i ofruan evakuim të sigurtë, ai u përgjigj: “Kam nevojë për municione, jo për vozitje”. Komunikimi i tij me publikun, mesazhet e shkurta dhe të qarta, dhe mbi të gjitha trimëria e tij do të mbeten të shënuara në histori. Ai e bëri kthesën jashtëzakonisht të rrëndësishme në këtë ngjarje. Në vend se të ikë vendosi të qëndrojë dhe të përballet me agresorin personalisht. Këtë Putini nuk e priste, sepse sipas të gjitha gjasave, ai mendonte ta okupojë Ukrainën brenda disa orëve, ta ndrërrojë dhunshëm qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe të instalojë qeveri të re kukull që do të ishte vazalja e përhershme e tij. Nuk thonë kot që hesapi i shtëisë nuk del njësoj me hesapin e çarshisë.

Morali i trupave që marrin pjesë në luftë është faktori më i rëndësishëm që vendos se çfarë kahje do të marrin gjërat. Morali është shumë më i lartë kur shteti mbrohet nga një sulm agresor dhe i paprovokuar. Morali është shumë i lartë kur duhet të mbrojmë atë që na përket. Morali i tillë është aq i lartë sa që njerëzit vullnetarisht i marrin armët në duar dhe dalin të përballen shpesh edhe duarthatë me tanket dhe artilerinë e rëndë të agresorit. Përkundrazi, morali i agresorit është i ulët, veëanërisht kur ushtarët kanë marë urdhër të sulmojnë një popull vëllazëror. Morali është i ulët kur urdhërat jepen nga larg, nga komoditeti i Kremlinit, ndërsa ju duhet ti zbatoni me mijëra kilometra larg, duke u përballur me një popull që e ka fituar simpatinë e krejt botës dhe me një udhëheqës legjendar të cilin do të donit ta ndiqni e jo ta sulmoni. Kjo gjendje shpirtërore i bën shumë ushtarë të dezertojnë duke i lënë tanket dhe duke u arratisur nga një situatë tejet e padrejtë ku i ka ngatërruar një udhëheqës që ka hubur kontakt me realitetin.

Putin do të mbahet mend si njeriu që e bashkoi Evropën. Me gjithë ndasitë dhe problemet që lidhen me integrimin Evropian, Evropa njëzëri e dënoi sulmin agresor të Rusisë mbi Ukrainën dhe bashkë me forcat progresive në botë, e izoloi tërësisht në aspekt ekonomik Puntinin. Rubla u rrokullis në tregun kapital ndërsa ekonomija Ruse përballet me humbje aq të mëdha sa që ekspertët thonë që Ukraina do ta marë veten, por a do ta marë veten edhe ekonomia ruse, kjo nuk dihet me siguri. Në këtë shekull, lufta ekonomike është ajo që ka rendësi, dhe qytetarëve që u mohohet pa të drejtë mirëqenia e qetë materiale, u mohohet faktikisht mundësia për të jetuar një jetë të rregullt për të cilëan ata kanë punuar gjatë gjithë jetës së tyre. Putin ka vendosur që gjithë këtë mund të tyre ta shpartallojë për t’i ndjekur ëndërrat e tij joreale. Është vetëm çështje kohe deri kur populli rus do ta durojë këtë nëpërkëmbje të jetës dhe mundit të tyre që Putini e hedh tutje si zarret në bixhoz.

Ukraina na bëri të kuptojmë shumë gjëra edhe për situatën në rajon. U panë aleancat e shteteve por edhe qytetarëve. Mini-diktatorët e rajonit haptazi ose heshtur e përkrahën Putinin, deri në momentin kur Asambleja e Përgjithshme e OKB votoi Rezolutë për dënim luftës së Rusisë në Ukrainë. Në atë rast as Vuçiç, i cili në emër të neutralitetit (lexo përkrahjes ndaj Rusisë) u mundua të qëndrojë ulur në dy karrike deri në fund, nuk guxoi të votojë kundër kësaj rezolute dhe të reshtohet mes Eritresë, Bellorusisë dhe Koresë së Veriut. Por në rajon mbetet i qartë fakti i njohur që të vetmit shokë lojalë të Putinit janë Dodik dhe Vuçiç.

Por shokë lojalë Putini ka edhe mes politikanëve dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Përfqësues të partisë E Majta qartazi shprehën përkrahje për Rusinë në emër të idealeve majtiste, gjë që i bëri ata të arsyetojnë një sulm agresor ndaj një shteti të pavarur. Sa patetike të arsyetosh një sulm të tillë ndërsa gjithë kohën të thirresh në të drejtë dhe drejtësi! Poashtu, ka qytetarë të respekuar dhe “intelektualë të lartë” që i shpallin hapur qëndrimet e tyre përkrahëse për Putinin. Kjo është kohë e mire për të ndarë shapin nga sheqeri dhe për të parë ku qëndrojmë si shoqëri. Ata që janë përkrahës të agresorit, po patën rastin bëhen edhe vet agresorë të pamëshirshëm, prandaj është mirë t’i njohim dhe t’i mbajmë mend.

Ukraina i mësoi botës shumë mësime. Ndër mësimet më të rendësishme është të mos nënvlerësohet më kurrë rreziku gjeostrategjik nga ndikimi rus, posaçërisht në Ballkanin Perëndimor. Unioni Evropian dhe perëndimi në përgjithësi duhet një herë e mirë ta kuptojnë se neglizhenca ndaj këtij ndikimi ka çmim të lartë, dhe duhet ti ndihmojnë popujt që kanë zgjedhur rrugën e përkrahjes së vlerave properëndimore të mund të përparojnë në atë rrugëtim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button