RMV, gratë brenda partive politike kërkojnë më shumë përfaqësim dhe meritokraci

Gruaja shqiptare në Maqedoninë e Veriut është minimalisht e përfaqësuar në vendimmarrje, nga të gjithë ministrat dhe zëvendës-ministrat ka vetëm një grua shqiptare në funksionin e zv.ministres, ndërsa asnjë grua shqiptare nuk është në krye të ndonjë komune në vend. Për të folur për rolin e gruas shqiptare në këtë sferë, sot dega e RMV-së e LDA Ballkan mbajti panelin e diskutimit “Roli i gruas shqiptare në politikë në RMV“, ku u bisedua pikërisht për këtë përfaqësim, shkruan Portalb.mk.

Përfaqësimi i grave, veçanërisht atyre shqiptare si në pushtetin qendror ekzekutiv po ashtu edhe në atë lokal lë shumë për të dëshiruar, pasi përfaqësimi është tejet i ulët. Situata është më e mirë te përfaqësimi i grave si deputete, por kjo falë kuotës së garantuar të përfaqësimit prej 40%.

Gratë nuk kërkojnë ndryshimin për t’i shkelur burrat, por të gjithë së bashku të kontribuojnë për një shoqëri të barabartë dhe të suksesshme, ku gjithkush të merr atë që meriton, këto ishin disa nga pikat mbi të cilat u pajtuan panelistet në këtë debat.

Debat: "Roli i gruas shqiptare ne politike ne RMV“
Debat: “Roli i gruas shqiptare ne politike ne RMV“

Por, të pyetura se çfarë konkretisht bëjnë ata në partitë e tyre dhe funksionet që kanë, panelistet u shprehën si vijon.

Zëvendës-ministrja e Jashtme dhe e vetme shqiptare, Fatmire Isaku nga PDSH u shpreh se që nga ardhja e saj në këtë funksion janë bërë lëvizje dhe emërime të drejtoreshave gra në udhëheqsi të ministrisë, emërim i ambasadoreve si dhe për herë të parë në RMV organizoi konferencën e parë ndërkombëtare në rajon, për rolin e grave në politikën e jashtme dhe jo vetëm.

“Burrat të ngrenë zërin pasi arritja e barazisë arrihet përmes të dy palëve. Dhe ata që burrat i thonë këtu t’i thonë edhe kur ndahen postet në parti ose punësimet. Do kisha thënë se do të duhet më shumë të rinj dhe të reja të përfshihen, të marrin pjesë në politikë. Pasi të rinjtë dhe të rejat janë zëri kritik, por kur ky zë kritik jepet ai edhe duhet të argumentohet, kur kemi argumente të forta atëherë ju jeni ata që e lëvizni gurin nga vendi, kështu që fillimisht te të rinjtë dhe të rejat duhet të krijohet mendimi kritik. Nuk duhet të vendoset gruaja në një pozicion vetëm se është grua, por duhet të vendoset sepse ajo meriton dhe kur ta merr atë pozicion të bëjë diçka. Ne duhet të përfshijmë ata që kanë zgjidhje. Duhet vajzat t’i trajnojmë më herët sistematikisht para se të merren poste udhëheqëse, me aq fuqi sa kam un pasi jam e vetmja shqiptare në një post të tillë, fuqia ime nuk është aq e forte sa e partive të koalicionit, por uroj që edhe të tjerët të kenë lëvizje në këtë drejtim që tu mundësojnë grave të afta të tregojnë vetveten”, tha Isaku.

Imrane Morina nga BDI tha se gratë për të bërë ndryshim, duhet që të jenë në pozitat vendimmarrëse ekzekutive.

“Fatkeqësisht se përveç se ta ngrejmë zërin dhe të kërkojmë atë që neve na duhet që të jemi ne në atë pozita vendimmarrëse ekzekutive, asgjë tjetër s’mund të bëjmë njëherë për njëherë pa u vendosur në ato pozita, që pastaj të mundemi të ndihmojmë. Nëse do të kishim deputete këtu do të shihnim ndonjë iniciativë tjetër, ndonjë iniciativë për ligj për zbrazëtira ligjore”, tha Morina.

Për Vjollcë Berishën, nga ASh si zgjidhje për përfaqësim dhe pjesëmarrje të më shumë grave dhe vajzave është shtirrja në terren dhe thithja e kapaciteteve më të mira nga atje.

“Personalisht asnjëherë nuk mendoj se bëj mjaft, sepse çdo herë njeriu ka më shumë mundësi të bëjë më shumë. Por përqendrimin e kam 100% sepse kam edhe detyrë, kam marrë obligim të udhëheq forumin e grave të një partie politike. Në ASh, janë 21 degë të forumit të gruas, 16 degë urbane dhe tjerat rurale. Sa më shumë shtrirje në terren, mendoj që është një mundësi për shumë vajza të heshtura ndoshta për t’i tërheq dhe për tu bërë nesër politikane të së ardhmes. Do kishte qenë mire të ekzistonte një akademi jashtë partive politike për krijimin e politikaneve gra. Duke u shtrirë sa më shumë në terren, duke bërë aktivitete të ndryshme, panele, aktivitete, mundësi zëri të grave në terren dhe thithja e atyre kapaciteteve për listat. Nuk duhet gratë të luajnë solo, si logjika e xixëllonjës, të ketë terr që të dukem unë, jo le të ketë dritë që të dukemi të gjithë”, tha Berisha.

Nga Lëvizja Besa, Melinda Rashiti thotë se “ne ngrihemi duke ngritur të tjerët” kështu duke shtuar se në partinë ku bën pjesë ajo organizojnë aktivitete për pjesëmarrje më të madhe të grave dhe vajzave në politikë.

“We rise by lifting others”, ne në LB deri tani kemi funksionuar jo me një kryetare forumi por me koordinatore rajonale, sepse siç e njoh unë rajonin tim, s’mundet ta njoh dikush nga një rajon tjetër dhe anasjelltas. Vajzat dhe djemtë bëhen atë që e shohin, nëse sheh vajza e LB sa më tepër gra në poste udhëheqëse edhe ajo e ka më të lehtë ta imagjinojë veten në atë pozitë. Nëse vajza pa marrë parasysh se në udhëheqsinë e partisë nuk ka asnjë grua, përsëri nuk mund ta imagjinojë veten në një post të tillë. Ne Brenda partisë organizojmë trajnime dhe seminare për ti nxit ato vajza që kanë dëshirë të marrin pjesë aktivisht në politikë”, tha Rashiti.

Ndryshe, zv.drejtoresha e LDA Ballkan për RMV, Liridona Kuçi u shpreh se ideja e këtij paneli ishte ngritja e zërit për barazi të grave në politikë, të ketë kualitet dhe kuantitet. Ndërsa njoftoi se së shpejti do të ketë aktivitete dhe debate të tjera, ku tema e radhës do të jetë për përfshirjen e të rinjve në shoqërinë civile apo në politikë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button