Burrat në RMV ende nuk kanë vullnet të vëndosin vendimmarjen në duar të grave, përfaqësimi mbetet i pakënaqshëm
Nga themelimi i Qeverisë së parë të Maqedonisë së Veriut e deri kjo e fundit, pjesëmarrja e grave në pozita vendimmarrëse lë për të dëshiruar. Përkundër deklarimeve të partive politike në RMV se janë për barazi të plotë gjinore në vend, i vetmi hap që është ndërmarrë për avancimin e grave në pozita shtetërore këtë vit i mbush plot 19 vite, edhe atë vendosja e “kuotës gjinore” në vitin 2002, transmeton Portalb.mk.
Ky shkrim është përgatitur nga student i Fakultetit të Komunikimit Ndërkombëtar në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), Fisnik Xhelili.
Ku ishim dhe ku jemi?
Qeveria e parë e Maqedonisë u zgjodh nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 20 mars 1991 dhe zgjati deri në vitin 1994. Kuvendi për nga përfaqësimi gjinor ishte skandaloz, gratë ishin të përfaqësuara vetëm me 5 karrige, gjejgësisht vetëm me 4 përqind. Një karrige më pak për gratë u sigurua në Kuvendin pasardhës, atë të vitit 1994-1998.
Përkundër dyfishimit të numrit të grave në institucionin ligjvënës të RMV-së të vitit 1998-2002, ky “përparim” nuk ishte i mjaftueshëm për miqtë e Bashkimit Evropian, të cilët asokohe radhitën Maqedoninë e Veriut nga fund i listës për sa i përket dhënies së posteve publike ndaj grave.
Edhe pse me hapa të breshkës, nga këtu situata filloi të përmirësohet
Në vitin 2002, qeveria e atëhershme votoi një ligj i cili obligonte partitë politike të vendosin kuotën gjinore prej 30%, gjegjësisht, përfshirja e detyrueshme e secilës gjini për më së paku 30%, pra këtu flitet për ndryshim i cili kërkon që çdo e treta kandidate për deputete të jetë grua.“Frika” e partive politike në vend nga gratë ishte aq e madhe, saqë kishte tendenca të manipulojnë me këtë ligj të cilin e votuan vetë, edhe atë duke vendosur gratë në fund të listave të kandidatëve për deputetë, pra raporti ishte dy me nji, vetëm për të qenë në rregull ligjërisht, por kjo në praktikë, ishte hap i gabuar në drejtimin e arritjes së barazisë gjinore.
Andaj, me ndryshimet e radhës të cilat në një farë mënyrë u imponuan, u sigurua që të paktën një në tre të listuarit për shtëpinë ligjvënëse të jetë grua, kjo përmirësoi ndjeshëm situatën, por jo aq sa duhet.
“Frytet” e ndryshimeve ligjore të imponuara nga BE-ja, i pamë në qeverinë e vitit 2002-2006
Nga 9 karrige, tashmë në kuvendin e vitit 2002-2006 gratë në Maqedoninë e Veriut siguruan plot 21 karrige, kjo nuk ishte e mjaftueshme ende por gjithsesi shumë më e avancuar se sa më herët.
Në këtë drejtim, me miratimin e Kodit zgjedhor në vitin 2006, sipas këtyre ndryshimeve, pjesëmarrja e grave në kuvendin e Maqedonisë së Veriut shënon rritje pozitive. Në Kuvendin e vitit 2006-2008 gratë tani më ishin të përfaqësuara me 34 karrige, gjegjësisht me 28.5%. Rritje të përfaqësimit të grave në kuvend kishte edhe në vitin 2008-2011, gratë në këtë kuvend ishin të përfaqësuara me 39 karrige. Një karrige më pak sigurua në kuvendin pasardhës, atë të vitit 2011-2015.
Rritje historike por jo të kënaqshme ka pasur kuvendi pasardhës, gjegjësisht ai i cili u zgjodh në vitin 2016 me gjithsej 46 gra deputete, apo 38% të të zgjedhurve ishin gra, kjo paraqet përqindjen më të lartë të përfaqësimit në historinë e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut.
Tabela 1: Pjesëmarrja e grave në pushtetin legjislativ që nga pavarësia e RMV-së deri në 2020
1990-1994 | 1994-1998 | 1998-2002 | 2002-2006 | 2006-2008 | 2008-2011 | 2011-2015 | 2016-2020 | |
Numri i grave | 5 | 4 | 9 | 21 | 34 | 39 | 38 | 46 |
% e grave | 4% | 3.2% | 7.5% | 17.5% | 28.3% | 32.5% | 30.89% | 38% |
Burimi: Enti Shtetëror për statistikë, baza e të dhënave të Unionit Ndër-parlamentar
Përveç në afate të shkurtëra, edhe atë si ushtruese e detyrës, në Maqedoninë e Veriut ne tre postet kryesore, edhe atë: kryeministër, kryetar kunvendi dhe president asnjëherë nuk ka pasur të emëruar apo zgjedhur ndonjë grua. Shumë presidentë për plot 30 vite dhe asnjë nga to nuk është grua. Rikujtojmë se në zgjedhjet e fundit presidenciale, një grua ishte kandidate mirëpo nuk arriti të fitoje shumicën.
Maqedonia e Veriut që nga pavarësia e saj e deri më sot numëron dhjetë emra kryeministrash. Vetëm një nga to është grua dhe asaj i është besuar kjo pozitë vetëm si ushtruese detyre për dy herë, edhe atë herën e pare vetëm njëzetenjë ditë dhe herën e dytë vetëm njëzetenëntë ditë.
Kur jemi tek pozita e kryetarit të parlamentit, gjendja nuk është më ndryshe se tek ajo e pozicionit të kryeministrit. Në mesin e nëntë kryetarëve të parlamentit, figuron vetëm një emër gruaje. Madje kjo pozitë i është besuar asaj për një periudhë prej dhjetë ditësh edhe atë si ushtruese detyre.
As në krye të partive politike nuk kemi pasur e as nuk kemi ndonjë grua, të gjithë kryetarët e partive politike të regjistruara në Maqedoninë e Veriut si krerë të tyre kanë burra.
Ndërkaq, theksojmë se nga gjithsej 80 komuna në vend, vetëm 6 prej tyre udhëhiqen nga gra, edhe atë: Komuna e Haraçinës, e Manastirit, e Kamenicës, Mogila, Komuna e Nagoriçit të Vjetër dhe Komuna e Tetovës.
“Lufta” e shoqërisë civile për përfaqësimin e grave
Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare“Democracy Lab”, Sefer Selimi theksoi rëndësinë e presionit të faktorit ndërkombëtar për këtë çështje, ai shtoi se ky diskriminim gjinor nuk vjen vetëm për shkak të “uzurpimit” të proceseve nga meshkujt, por edhe nga komoditeti i grave të përfshira në subjeket politike.
“Tradita e nepërkëmbjes së gruas në shoqëri reflektohet në çdo sferë të jetës publike – përfshirë e madje edhe më e theksuar në politikë, veçanërisht tek shqiptarët. Historia politike e shqiptarëve ketu njeh raste të shumta të rebelimit të burrave brenda strukturave qoftë për ceshtje egosh personale ndërsa sa i përket grave fatkeqesisht nuk mund të përmendet pothuajse asnjë rast. Sidoqoftë beteja për barazi gjinore duhet të udhehiqet nga ata që kane krijuar këtë disbalans enorm – burrat” shtoi Selimi.
Sipas analistit politik, Xhelal Neziri ky është një ‘’Botëkuptim patriarkal’’. Ai thotë se pozicioni i gruas në politikë është jo i mirë dhe kjo nuk është rast vetëm në Maqedoninë e Veriut. Në Ballkan dominojnë botëkuptimet patriarkale për gruan, e cila shihet vetëm në funksione të caktuara shoqërore që lidhen me traditën e mosrespektimit dhe nënçmimit të saj. As ligji zgjedhor që obligon partitë të kenë 30 përqind gra në listat e tyre për deputetë apo këshilltarë komunal nuk ka ndryshuar në thelb këtë gjendje.
‘’Nëse shihet përfaqësimi i gruas në funksionet ekzekutive, që nuk rregullohen në ligj, e sheh në fakt se politika në ndërvetëdijen kolektive të shoqërive tona shihet më shumë si profesion i burrave. Edhe në Parlament të rralla janë deputetet të cilave u besohet detyra të jenë të zëshme në këtë institucion. Nevojitet një vetëdije tjetër, nga familja dhe shkolla e deri në institucione, që pozita e grave të jetë e barabartë me atë të burrave’’ shton Neziri.
“Sfidë”, sipas profesoreshës të së Drejtës Familjare në Fakultetin Juridik – UEJL, Arta Selmani, mbron idenë e të qenurit grua e lirë në politikbërje, vendimmarje, udhëhqëse e një kompanie në tregun e punës ose në rrethin akademik.
Selmani potencon se pozita familjare, politike, institucionale e gruas në një shoqëri merret si tregues për nivelin e zhvillimit të asaj shoqërie.
“Statistikat aktuale flasin që nuk kemi një përfaqësim të mirëfilltë të gruas në sferën politike dhe pushtetin shtetëror. Në tekstin aktual të Kodit zgjedhor, përkatësisht në nenin 64 paragrafi 5 parashihet se në listën e kandidatëve për deputet në çdo të tretin vend të listës së paku një vend i takon gjinisë e cila është më pak e përfaqësuar, pra “së paku 40%” e kandidatëve duhet të jenë gra. Shikuar nga retrospektiva e zgjedhjeve paralamentare në RMV, jo në të gjitha zgjedhjet paralamentare është respektuar kjo normë ligjore. Përforcimi i pjesëmarrjes së gruas në pushtetin ligjvënës paraqet një nxitje për një qasje më serioze rreth vendit të gruas edhe në segmentet tjera politike. Profesoresha Arta si juriste thekson se situata është alaramante me pozicionet udhëheqëse të pushtetit gjyqësor, në të cilin prej 35 Gjykatave vetëm Gjykata themelore në Veles dhe Gjykata themelore Kriva Pallankë udhehiqen nga gratë” tha Arta Selmani.
Si problem kryesor për këtë, sipas Selmanit është vetë mjedisi politik, institucional dhe shoqëror në vendin tonë, sipas Selmanit, ky mjedis jo i barabartë nuk ofron kushte të mirëfillta për emancipimin politik të grave.
Nga ana tjetër, aktivistja për të drejtat e njeriut Majlinda Çilafi, konsideron se gratë jo domosdoshmërisht duhet të emërohen në pozita vendimmarrëse vetëm se janë gra, por sepse numri i grave të përgatitura mirë profesionalisht ne vendin tonë, sipas Çilafit është i madh.
Çilafi thekson se nuk është e pranishme drejtësia gjinore, nga vetë fakti që në përbërjen e qeverisë kemi vetëm 4 gra ministre, në mesin e të cilave asnjë shqiptare. Ajo konsideron që mentaliteti patriarkal i cili është i pranishëm ende në kulturën e këtij vendi, është një nga arsyet kryesore që e ndalon gruan nga integrimi i plotë në shoqëri dhe aq më tepër në pozicione vendimmarrëse
‘’Nuk jam pro asaj që domosdoshmërisht të ketë një numër të caktuar të grave, mirëpo përderisa të gjithë jemi dëshmitar që në vendin tonë ka gra të përgatitura mirë profesionalisht, kjo na bën të kuptojmë që u është kufizuar e drejta atyre që të jenë në pozitat vendimmarrëse.” tha Majlinda Çilafi, aktiviste për të drejtat e njeriut.
Teoritikisht “në BE”, në praktikë larg parimeve të BE-së, ç’thonë partitë politike për këtë?
Nga Lidhja Social Demokrate (LSDM), potencuan faktin se gjysma e ministrave të emëruar nga partia e tyre janë gra, duke shtuar se janë e vetmja parti qeverisëse që ministritë i ka ndarë në mënyrë të barabartë mes burrave dhe grave.
“Qeveria e re ka 16 ministri dhe ka 4 ministra dhe të gjithë janë nga LSDM-ja. Sidoqoftë, duhet të merret parasysh se qeveria është një koalicion i përbërë nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM dhe partneri i koalicionit BDI. Në shpërndarjen e ministrive në qeveri, përveç kryeministrit dhe dy zëvendëskryeministrave, tetë ministri drejtohen nga stafi i LSDM-së dhe gjysma e tyre drejtohen nga gra. Që do të thotë se jemi në rrugën tonë të duhur për të siguruar barazinë gjinore në qeveri” thanë nga LSDM-ja.
Nga kjo parti politike përmendin disa nga veprimet që kanë ndërmarrë në këtë drejtim, edhe atë “Ligjin për Mbrojtje dhe Parandalimin e Diskriminimit, përfshirjen e edukimit gjithëpërfshirës seksual në arsim, ndryshimet statutore brendapartiake që barazia gjinore bëhet e detyrueshme, kandidimi 50:50 mes grave dhe burrave në zgjedhjet parlamente”.
Nga ana tjetër, deputetja nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arta Bilali Zendeli, konsideron se ka ende punë për tu bërë në drejtimin e avansimit të pozitës së gruas në politikë, ajo potencoi disa nga të arriturat e BDI-së në këtë drejtim.
“Vetë fakti se unë jam përfshirë në politikë në mënyrë të drejtpërdrejtë, flet se unë jam ithtare e konceptit se gratë duhet të përfshihen në politikë, në proceset vendimmarrëse sepse gratë munden. Përfaqësimi i grave në përbërjen qeveritare, nuk është i mjaftueshëm dhe mendoj se duhet të punohet në këtë drejtim që në një të ardhme të afërt të përmirësohet situata. Në Statutin e BDI-së, në pajtim me dispozitat e Kodit zgjedhor, parashihet përfaqësim prej të paktën 40% të grave në listat zgjedhore për deputetë dhe për këshilltarë komunal” tha Arta Bilali Zendeli.
Nga partia më e madhe opozitare në vend, VMRO-DPMNE, Milena Ilievska, Kryetarja e Komisionit për Kulturë, potencoi se faji për përfaqësimin e ulët të grave në pozita vendimmarrëse qëndron pikërisht te “normat shoqërore” dhe stigmatizimet që ju bëhen grave.
“Mendoj se ka ende mosbesim ndaj grave si politikane ose vendimmarëse, kryesisht nga mjedisi në të cilin ajo operon ose nga vjen. Ajo që nuk mund të kalohet ende është pikëpyetja në lidhje me vullnetin dhe sigurinë e vendimeve që një grua si deputete ose ministre mund të marrë. E gjithë kjo vjen nga normat shoqërore që i shohin gratë si një anë “më e qetë, më e pasigurt dhe më pak agresive” në vendimmarrjen politike. Dhe shpesh dëgjojmë fjalinë: “Ky vendim kërkon një dorë të fortë, të fortë!
“Ne duhet ta kapërcejmë atë të ashtuquajtur armiqësia ndaj grave në politikë. Është provuar shumë herë gjatë gjithë historisë se disa gra mund të jenë shumë më të sigurta në marrjen e vendimeve dhe menaxhimin e fushave sesa burrat, dhe kështu të jenë vendimmarrëse për të mirën e përbashkët” tha Ilievska nga VMRO-DPMNE.
Sipas Flakron Bexhetit nga Aleanca për Shqiptarët, në vendin tonë ka shumë gra të emancipuara dhe përgatitura profesionalisht mirëpo që nuk ju është dhënë roli i merrituar, gjegjësisht në pozitat vendimmarëse. Ai tha se ASh-ja do të angazhohet në arritjen e plotë të barazisë gjinore në vend.
“Pjesëmarrja e grave në politikë realisht është e ulët madje larg përqindjes me të cilat obligohen partitë politike. Kjo do të thot se ata janë shumë pak të përfaqësuara nëpër organet partiake dhe institucionale, më çrast kjo ndikon edhe në vendimarrje, ku atyre nuk ju dëgjohet zëri për disa aryse. Megjithatë kohëve të fundit kemi gra të emancipuara, intelektuale të mirrëfillta që në shoqërinë tonē priten mirë dhe veprimtaria e tyre politike gjithnjë e më shumë jep impakt tek votuesit. Si subjekt politik jemi të zotuar për ti dhënë rolin e merituar gruas në politikë, sepse pa barazi gjinore nuk mund të kemi barazi shoqerore, e pa barazi shoqerore ska as barazi kombëtare” tha Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët (ASh).
Nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), njëherit edhe nënkryetarja e kësaj partie, Fatmire Isaku thotë se në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, barazia gjinore në shumë sfera të jetës shënon trend pozitiv. Megjithatë, barazia gjinore nuk është arritur akoma. Sa i përket kandidimit të një gruaje për kryetare komune, për ministerе apo edhe për kryetare shteti ngelet në dorë të partive politike pjesëmarrëse në proceset zgjedhore. Isaku thotë se në organizimin e brendshëm të partive politike vërejmë përpjekje për balancë gjinore.
‘’Gratë nuk duhet të shihen si numra por ato duhet të jenë në pushtet për të thyer barrierat dhe për të motivuar dhe ndihmuar gratë tjera në arritjen e sukseseve. Unë mendoj se gratë nuk dëshirojnë të kenë fuqi për ti margjinalizuar burrat, por përfshirja e të dyja gjinive në vendimmarrje dhe në hartim të politikave e bën procesin më cilësor’’ shton Isaku.
Si qëndron qeveria aktuale në raport me përfaqësimin e grave në të?
Qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut u zgjodh më 30 gusht të vitit 2020, pas zgjedhjeve parlamentare të po të njejtit vit. Gratë në kuvend janë të përfaqësuara me 43 karrige nga 120, gjegjësisht me 35%. Në krahasim me kuvendin paraprak, numri i grave në parlament ka rrënë për 3 karrige, gjegjësisht nga 46 në 43, apo përkthyer në përqindje nga 38% në 35%.
Gjinia mashkullore duket se mbizotëron edhe tek udhëheqja me ministritë, nga 16 ministri vetëm me 4 prej tyre udhëheqin gratë, edhe atë: Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.
Te zëvëndësit e kryetarit të qeverisë nuk figuron asnjë grua, respektivisht nga katër prej tyre të gjithë i takojnë gjinisë mashkullore, asnjë grua nuk mban një nga këto pozita.Përderisa kemi katër ministre gra, numri i zavendësministreve është i përgjysmuar në këtë rast, prej gjashtëmbëdhjetë zavendësministrave vetëm dy prej tyre anë gra.
Kur jemi te kjo e fundit, Zavendësministrja e vetme shqiptare, nga rradhët PDSH-së, Fatmire Isaku thotë se partitë politike lujnë rolin vendimtar për rritjen e rolit të gruas në politikë, prandaj do t’i kish ftuar të gjitha partitë, e në veçanti ato shqiptare që t’u mundësojnë grave t’i tregojnë kapacitetet e tyre profesionale dhe intelektuale duke i emëruar në pozita më të larta vendimmarrëse. Sepse siç mund edhe të shihet ajo është një ndër të paktat gra shqiptare që është në një pozitë të lartë vendimmarrëse, atë të zavendësministres së punëve të jashtme.
Nga rradhët e LSDM-së thonë se në listat e kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u zhvilluan në korrik, ata kanë shkuar me barazi të plotë 50:50 midis grave dhe burrave. Sidoqoftë, duhet të merret parasysh se qeveria është një koalicion i përbërë nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM dhe partneri i koalicionit BDI. Në shpërndarjen e ministrive në qeveri, tetë ministri drejtohen nga stafi i LSDM-së dhe gjysma e tyre drejtohen nga gra. Që do të thotë se jemi në rrugën tonë të duhur për të siguruar barazinë gjinore në qeveri.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se përbërja e qeverisë duket diskriminuese në raport me gratë. Nëqoftëse LSDM ka dy ministra gra, partneri i tyre i koalicionit BDI nuk ka asnjë grua ministre dhe ky fakt është irritues për gratë shqiptare , ata vlerësojnë se ky është shembull i keq, që dëmton imazhin e grave shqiptare.
Deputetja e BDI, Arta Bilalli-Zendeli thotë se në Kuvend, grupi parlamentar i BDI-së përbëhet nga 6 deputete dhe 9 deputetë, që i bie se kuota prej 40% është realizuar në Kuvend. Sidoqoftë ajo vlerëson se përfaqësimi i grave në përbërjen qeveritare, nuk është i mjaftueshëm. Duhet të punohet në këtë drejtim që në një të ardhme të afërt të përmirësohet situata, shtoi Billalli.
Por këtë nuk e thonë nga ana e VMRO-DPMNE-së, ata thonë se kuota prej 36% e përfaqësimit të grave në Kuvend është e mirë, por larg nga e shkëlqyera. Ne shohim se ka pasur pak progres në kontekstin e caktimit të posteve ministrore për gratë, të cilat zakonisht kanë qenë “detyrë mashkullore”. Për shembull: ministria e punëve të brendshme për një kohë të gjatë është drejtuar nga një grua, ministria e mbrojtjes, shefat e shtabit, këshilltarët e zyrtarëve. Sipas tyre kjo është e mirë, por jo mjaft e mjaftueshme për të qenë e shkëlqyeshme.
Ndryshe, barazia gjinore mbetet një nga sfidat kryesore globale përfshirë edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, kjo e fundit siç duket është munduar të zgjidhë këtë problem ndër vite. Maqedonia e Veriut këto 30-të vitet e fundit ka qenë dhe vazhdon të mbetet shteti i ndryshimeve sa i përket aspektit politik. Sidoqoftë, tranzicioni që pasoi pavarësinë e Maqedonisë në 1991 ndryshoi rrënjësisht statusin shoqëror të qytetarëve të saj. Kujtojmë që pjesëmarrja e grave në politikë është njohur si një e drejtë njerëzore e nevojshme për përparim global. Në nivelin global, ajo u njoh për herë të parë në 1956 dhe u garantua me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.