RMV, debat: transformimi digjital në arsim duhet t’u përshtatet nxënësve, studentëve dhe kuadrit mësimor

Të rinjtë dëshirojnë mësimdhënie të drejtpërdrejtë, por në të njëjtën kohë modernizim të procesit arsimor përmes futjes së metodave digjitale të të mësuarit – ky ishte konkluzioni në serinë e parë të debatit me temë: “Transformimi digjital i arsimit”, organizuar nga Këshilli për transformimin digjital (KTD) në kuadër të Institutit Heidelberg dhe Forumit për ndryshime arsimore (FNA), transmeton Portalb.mk.

“Me të vërtetë më vjen shumë mirë që Këshilli gjen shumë mbështetje, një numër të madh të shkëmbimeve të ideve, zhvillimit të potencialit dhe vendosjes së bashkëpunimit konkret. Mendoj se tashmë po e ngremë temën e transformimit digjital mbi baza të shëndosha. Pasi digjitalizimi nuk duhet të jetë personal apo një temë e privatizuar nga askush, por është një proces i përbashkët dhe gjithëpërfshirës në të cilin ka dhe duhet të ketë vend për të gjithë. Roli i Këshillit për transformim digjital është t’u japë dorën të gjithë atyre që me vetëmohim bëjnë përpjekje dhe kontribuojnë çdo ditë në krijimin e një digjitalizimi të qëndrueshëm të arsimit, por edhe një transformim digjital efektiv me interes për qytetarët në të gjitha fushat e tjera”, tha komunikologu Bojan Kordalov. i cili është dhe kryetar i Këshillit.

Forumi për ndryshime arsimore ka për qëllim të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë në vend dhe të inkurajojë studentët të kontribuojnë në komunitetin vendas dhe ndërkombëtar përmes pjesëmarrjes së tyre aktive në procesin e vendimmarrjes, tha Blendi Hodai, drejtor ekzekutiv i Forumit për ndryshime arsimore.

“FNA është investim i përbashkët i njerëzve të vullnetit të mirë që u bashkuan me qëllime preciye –  Maqedonia e Veriut të ketë arsim shtetëror cilësor. Për ne digjitalizimi është një temë shumë e rëndësishme, sepse shekulli 21 kërkon që ne të kemi një sistem arsimor të digjitalizuar. Jam plotësisht dakord që procesi i transformimit digjital të mos privatizohet, sepse çdo organizatë dhe çdo individ duhet të kontribuojë në përshtatjen e këtij procesi”, tha Hodai gjatë debatit.

Një sondazh i fundit nga KTD, IDUEP dhe FNA tregoi se 70 për qind e nxënësve dhe studentëve nga vendet e Ballkanit të Hapur (Shqipëri, Maqedoni, Serbi) preferojnë model mësimi në klasë ose model të kombinuar. Pyetjes: “A është ky sinjal se të rinjtë nuk duan arsim digjital apo diçka krejtësisht tjetër?” u përgjigj profesori Sinisha Naumoski, i cili theksoi se digjitalizimi si term ka një kuptim shumë të rëndësishëm në vend.

“Sipas meje, digjitalizimi nuk është thjesht futja apo blerja e një kompjuteri, por përfaqëson të gjithë sistemin. Mendoj se procesi në vendin tonë është shumë herët, për një futje kaq dinamike të digjitalizimit në arsim. Unë qëndroj për kombinimin e modeleve hibride pasi digjitalizimi i plotë do të kthehej në desocializim të plotë të të rinjve dhe nxënësve. Me hapa të shpejtë, por ngadalë, ta çojmë përpara procesin e digjitalizimit të sistemit arsimor”, tha profesor Naumoski.

“Dëshira duhet të bazohet në vlerësime realiste të asaj që mund të bëhet në këtë moment. Pandemia e koronavirusit na ka imponuar procesin e përshpejtuar të digjitalizimit, si në arsim ashtu edhe në fusha të tjera, por në të njëjtën kohë ka nxjerrë në sipërfaqe çështje të rëndësishme si: edukimi mediatik, edukimi digjital, aspektet etike të digjitalizimit në arsim, privatësia, mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë kibernetike. Këtyre çështjeve duhet t’u kushtohet vëmendje e veçantë dhe proceset duhet të ecin paralelisht”, tha Ljubica Pendaroska, eksperte për mbrojtjen e të dhënave personale, anëtare e Këshillit të transformimit digjital.

“Sistemi arsimor përballet me një sërë sfidash – nga njëra anë ritmi i shpejtë i ndryshimit të teknologjisë ka kontribuar në proceset dhe mundësitë ku të rinjtë kanë akses në kohë reale në një mori informacioni, ndërsa nga ana tjetër – institucionet arsimore kanë një ritëm më të ngadaltë dhe nuk i ndjekin ndryshimet dhe mundësitë që ofrojnë teknologjitë. Sot shumica e të rinjve informohen përmes rrjeteve sociale dhe kanaleve të reja të komunikimit, ku qëndron problemi dhe rreziku që të mos rregullohet dhe t’i nënshtrohet keqinformimit dhe keqpërdorimit”, tha Era Aliu, përfaqësuese e Forumit për ndryshime arsimore, në pyetjen “A është transformimi digjital i arsimit një proces krejtësisht pozitiv?”

Përndryshe, qëllimi i krijimit të Këshillit për transformimin digjital për Ballkanin Perëndimor në Institutin Heidelberg është bashkimi i sektorit civil dhe privat, si dhe i komunitetit akademik që është aktiv në fushën e digjitalizimit. Së bashku për t’i dhënë mbështetje konkrete përpjekjeve për një transformim të suksesshëm dhe të qëndrueshëm digjital të iniciuar nga institucionet publike dhe qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ata ndjekin përvojat ndërkombëtare (gjermane dhe perëndimore në përgjithësi) në modelet e tyre të suksesshme të transformimit digjital dhe nxjerrin praktika pozitive për të krijuar një model të suksesshëm për digjitalizim të qëndrueshëm me interes për të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Në fund të këtij debati online, përfaqësuesve të FNA-së iu dërgua ftesë për anëtarësim në Këshill, e cila u pranua prej tyre. Në të njëjtën kohë, u njoftua nënshkrimi i fundit i Memorandumit të bashkëpunimi ndërmjet Këshillit për transformimin digjital në Institutin e Heidelberg dhe Forumit për ndryshime arsimore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button