SHORTARI I VERBËR 

Disa personazhe janë mbresëlënës, ndonëse nuk janë protagonistë. Tek Iliada është Nestori, ky plak i urtë që thotë fjalë të mençura. Në krijimtarinë e Sofokliut është shortari i verbër, Tirezja (siç e përkthen Gjon Shllaku), që gjithashtu thotë fjalë të mençura.

Tirezja, sipas mitologjisë, përshkruhet si profet i verbër i Tebës, i cili për shtatë breza i këshilloi sundimtarët. Miti thotë se atij i vinin kumtet hyjnore në formë vegimesh (vizioni apo parashikimi i së ardhmes); se e njihte gjuhën e zogjve (aftësia për ta kuptuar gjuhën simbolike); se komunikonte me të vdekurit (lidhja me të kaluarën, traditën); se i deshifronte shenjat nëpërmjet zjarrit e tymit (deshifrimi dhe analizimi i kumteve); se fliste shkurt e me figura dhe nuk tregonte gjithçka që dinte (stili dhe shumëkuptimësia).

Në mitologji e letërsi, Tirezja përfytyrohet si ndërmjetësues i njerëzve e perëndive, të tashmes e të ardhmes, të gjallëve e të vdekurve, të dukshmes e të padukshmes, por edhe si ndërmjetës mes burrit e gruas (pasi vrau një gjarpër, hyjneshë Hera e shndërroi në grua për shtat vjet dhe kështu njohu edhe botën femërore).

Tirezja, i vrarë prej një shigjete të Apolonit (i vrarë, nga një rend apo model tjetër moral, shoqëror, kulturor), i frymëzoi krijuesit që nga periudha e lashtësisë e deri në shekullin tonë.

Le t’i referohemi kësaj figure, ashtu siç e përshkruan Sofokliu.

Shortari i verbër e parathotë të ardhmen, të vërtetën, pa e zbukuruar atë edhe kur sundimtarët s’duan ta dëgjojnë. Ai nuk i bindet, as nuk i frikësohet sundimtarit, por synon ta ndërgjegjësojë atë për vendimet e gabuara. Si i verbër nuk ndikohet nga imazhet mashtruese. I zhytur në errësirë, ai mendon më thellë se të tjerët. Jeta e tij është soditje, mendim dhe interpretim i kodeve hyjnore. Tirezja është mendimtari me karakter të fortë, i guximshëm, i pa korruptuar. Me fjalorin e sotëm, ai është eminenca gri, është autoriteti moral që i shërben të vërtetës edhe kur ajo është e dhimbshme. Me gjuhë të figurshme e thotë të vërtetën që sundimtarët nuk dëshirojnë ta dëgjojnë. Kur Edipi vetëverbohet, pasi e kupton se është mëkatari, tenton të bëhet kopje e parashikuesit. Tirezja e lajmëroi Kreontin për marrëzinë që bënte për shkak të kokëfortësisë dhe arrogancës. I kërkoi ta rishikonte vendimin e gabuar. Kreonti nuk e dëgjoi. E ofendoi. Kur Kreonti i thotë: “Soji i fallxhive janë lakmues të arit”, Tirezja ia kthen: “Ai i tiranëve (është) i fitimit të ulët”. E thotë atë që mendon pa e çarë kokën se ia kthen shpinën mbretit. Me gjuhën e sotme, ai është intelektuali, ashtu siç e përshkruan Ortega y Gaset. Sipas Gasetit, intelektuali nuk bëhet i tillë për shkak të tjerëve, për ndonjë qëllim të caktuar, për të fituar para, për t’iu përshtatur mendësisë së turmës, për të marrë pëlqime të mendjes së robëruar. Të jesh intelektual, sipas Gasetit, është sëmundje e pashërueshme. Të jesh intelektual, sipas tij, do të thotë ta thuash të vërtetën, ta kuptosh një problem të ndërlikuar, ta sqarosh, të krijosh rend në kaosin e ideve dhe mendimeve nëpërmjet qartësisë dhe analizës, t’i ndriçosh situatat e komplikuara, që politika edhe më shumë i komplikon, kurse në këtë mision të mos bëhesh pjesë e luftës politike dhe shpirtërore, por të qëndrosh jashtë konflikteve politike e shpirtërore, sepse kështu e ruan distancën e duhur për ta vlerësuar sa më realisht gjendjen në shoqëri…

Tirezja i thotë Kreontit: “Hiq dorë nga i vrami e mos qëllo kufomën”. Pra, lejo varrimin e Polinikut dhe shmange tragjedinë! Këto janë fjalët që nuk dëshiron t’i dëgjojë sundimtari…

Antigona akuzohet se e mbron “tradhtarin”. Por kush e përcakton “tradhtarin”?  Antigona, në këtë rast, nuk del në mbrojtje të “tradhtarit”, por të kodeve morale.

Antigona është kokëfortë. Kreonti po ashtu. Të dy besojnë se kanë të drejtë. Për Hegelin, konflikti është i pazgjidhshëm ndërmjet dy të drejtave të vlefshme (ligjit dhe ndërgjegjes). Sipas tij, dy personazhet janë tragjikë, por jo plotësisht të mirë ose të këqij, kurse njëanshmëria etike çon në tragjedi.

Sipas studiueses Romina Muller, ndonëse të dy marrin vendime të ndryshme, ndonëse kanë vizione dhe vlera të dallueshme, ata janë të ngjashëm në karakter. Janë egocentrikë. E para është besnike ndaj individit. I dyti është besnik ndaj shtetit. Antigona e mbron drejtësinë hyjnore (vullnetin e perëndive) dhe detyrën familjare. Kreonti beson se respektimi i ligjeve të shtetit është parësor edhe nëse bien ndesh me vullnetin e hyjnive. Tirezja nuk e përligj asnjërin. Ai vetëm e parasheh katastrofën dhe kërkon që ajo të shmanget. E kjo mund të arrihet kur kemi një ekuilibrim ndërmjet ligjeve shtetërore dhe morale.

Udhëheqësit, të rrethuar nga servilët, hipokritët, të mësuar që të japin urdhra, besojnë se janë pronarë të drejtësisë dhe të së vërtetës. Vonë e kuptojnë gabimin. Vetëm pasi ndodh katastrofa.

Kohës sonë i mungojnë autoritetet morale. Vendimet merren vetëm nga politikanët.  Mundet që edhe Tirezja të jetë i korruptuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button