RMV, askush nuk tregon se prej ku duhet të merren paratë për paga dhe pensione më të larta

Rritja e propozuar e pensioneve dhe pagave në sektorin publik mund t’i kushtojë buxhetit disa qindra miliona euro më shumë. Nuk ka përgjigje se ku mund të gjenden këto para në kushtet kur qeveria vitin e kaluar ka shpenzuar 630 milionë euro më shumë se sa ka pasur, dhe borxhi publik ka kaluar shifrën rekord prej 7 miliardë eurosh, raporton REL në gjuhë maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Të gjithë premtojnë rritje të pensioneve dhe pagave për administratën, por askush nuk tregon se me çfarë para do të bëhet kjo rritje e pagave. VMRO-DPMNE parti opozitare kërkon rritje të pensioneve për 20 për qind ose mesatarisht 3.00 denarë për pensionist, ndërsa sindikatat kërkojnë që të respektohen marrëveshjet kolektive, që do të thotë rritje graduale e pagave të tjera, pas rritjes së pagës minimale në 18.000 denarë. Pushteti thotë se po bën analiza.

Në kushtet kur kompanitë janë prekur rëndë nga kriza e pandemisë kundërshtojnë rritjen e taksave, shteti tashmë është në borxh rekord, nuk dihet se ku do të gjendeshin paratë për rritjen e pagave dhe pensioneve.

VMRO-DPMNE-ja opozitare ditë më parë ka dorëzuar në Kuvend projektligjin me të cilin parashihet rritje e pensioneve për 20%.

“Me rritjen e çmimeve dhe rritjen e pagës minimale, duhet të rriten pensionet, në mënyrë që pensionistët t’i mbulojnë shpenzimet elementare të jetesës”, tha koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski. Megjithatë, ai pranoi se nuk kishin një vlerësim të plotë se sa do t’i kushtonte buxhetit.

Shumë pyetje, pak përgjigje

“Ne e dimë se do të ketë një barrë buxhetore. Nuk kemi bërë një llogaritje të plotë, por ajo që duhet të them është se pensioni minimal është rreth 10.500 denarë. Dhe tani kur e rrisim pagën minimale në 18 mijë denarë, numëroj dhe pyes nëse një pensionist nuk ka të drejtë për jetë dinjitoze dhe nuk ka të drejtë të marrë aq para sa është paga minimale”, tha Micevski.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski propozimin e VMRO-DPMNE-së e vlerësoi si paushall, pasi siç tha ai nuk bazohet në asnjë analizë dhe metodologji. Ai tha se po bëhen analiza për rritjen e pensioneve, ndërsa paralajmëroi ndihmë financiare për pensionistët që të përballen më lehtë me krizën energjetike dhe ekonomike.

Rreth 1 miliard euro shpenzohen në vit vetëm për pensionistët. Gjysma e këtyre parave mblidhet nga kontributet e sigurimit pensional të punonjësve dhe rreth 500 milionë euro vijnë nga buxheti i shtetit. Nëse pensionet rriten me 20 për qind, kjo do të thotë se duhen edhe 200 milionë euro të tjera në vit nga buxheti.

Rreth 500 milionë euro shpenzohen nga buxheti për paga dhe shtesa në sektorin publik. Kjo do të thotë se rreth 1 miliard euro, ose gati 30 për qind e buxhetit të shtetit shkon për pagat dhe pensionistët.

Pas rritjes së pagës minimale sindikatat kërkojnë që të respektohet ligji dhe të rriten gradualisht pagat e tjera. Për shembull, sipas marrëveshjes kolektive për arsim, një mësues duhet të ketë pagë 2,5 herë më të lartë se minimumi, gjegjësisht duhet të marrë pagë rreth 45 mijë denarë, që është pothuajse dyfishi i asaj që marrin tani. Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Lira, Blagoja Ralpovski thotë se tani jemi në një situatë ku një e treta e sektorit publik merr pagë minimale, pavarësisht nga pozicioni i punës. Ai thotë se i japin mundësi dialogut social që të arrihet një marrëveshje me qeverinë.

“A e ka pyetur shteti sektorin privat nëse ka para për rritjen e pagave apo ka dashur t’i subvencionojë nga buxheti? Një pyetje tjetër. Nëse i kërkoni dikujt të realizojë diçka, fillimisht duhet të filloni nga pyetja nëse keni mjetet për ta shërbyer atë”, tha ai.

Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri tha se është i hapur për komunikim dhe se janë duke u shqyrtuar disa mundësi për ngritjen e pagave.

Defekt buxhetor!

Akademiku Abdumenaf Bexheti tha se kërkesat e opozitës për rritje të pensioneve pa analiza se ku të sigurohen paratë janë krejtësisht të papërgjegjshme dhe destruktive.

“Edhe kështu, buxheti tashmë është i shtrënguar. Nga njëra anë thonë që të gjitha këto taksa, përfshirë edhe pensionet t’i rrisim me 20 për qind është jo normale, nga ana tjetër thonë se nuk duhet të rriten taksat dhe kritikojnë rritjen e borxhit publik. A ka palogjikshmëri më të madhe se kjo?”, ka pyetur Bexheti.

Borxhi publik në fund të vitit të kaluar arriti nivelin rekord prej 7,135 miliardë euro, ose 60,9 për qind e PPV-së. Vetëm vitin e kaluar shteti ka shpenzuar 630 milionë euro më shumë se sa ka mbledhur në taksa dhe detyrime të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button