Sindikatat nuk heqin dorë nga paga minimale prej 18.000 denarë – thonë se nuk mjafton

Sot u bllokua vetëm një bulevard dhe kjo është vetëm hyrje. Sindikatat sot paralajmëruan për herë të fundit se po përgatisin bllokada të udhëkryqeve, rrugëve, shesheve dhe institucioneve nëse kërkesat e tyre nuk dëgjohen dhe nuk realizohen. Ka disa muaj që ata kërkojnë rritje të pagës minimale, por tërë kohën janë përballur me rezistencën e punëdhënësve dhe vendimmarrësve. Megjithatë nuk do të ketë lëshime, janë të prerë nga Lidhja e Sindikatave, raporton Telma, përcjell Portalb.mk.

Pikërisht kriza energjetike dhe shëndetësore dhe ndërthurja e faktorëve të tjerë sollën çmime më të larta të jetesës. Kërkesa e sindikatave është që paga minimale të jetë 18.000 denarë, ndërsa të gjitha pagat tjera të rriten gradualisht. Dhe kjo është më e pakta që mund të kërkohet, thonë punëtorët që ishin në protestën para Odës Ekonomike të Maqedonisë.

Dokumentet të cilat i siguroi Telma tregojnë më në detaje se cilat janë propozimet e komunitetit të biznesit. Fokusi i propozimit të Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë është – me zgjidhjen e re, lartësia e pagës minimale t’i përshtatet rritjes së përgjithshme të indeksit të kostos së jetesës si dhe t’i përshtatet rritjes reale të prodhimit bruto të brendshëm, që ndërlidhet me produktivitetin e shtetit në tërësi. Propozojnë gjithashtu që paga minimale të mos jetë më e vogël se 50% e pagës mesatare në vend. Sipas kësaj, kjo do të thoshte se paga minimale do të ishte pak më shumë se 16 mijë denarë.

Ndërkaq, Konfederata e Biznesit të Maqedonisë dhe Oda e Zejtarisë konsiderojnë se duhet të ketë ndihmë financiare për pagesën e pagës minimale, gjegjësisht punëdhënësit që ka paguar pagën minimale në tetor, nëntor dhe dhjetor 2021 për pagesën e pagës minimale duhet t’i sigurohet ndihmë financiare nga buxheti i shtetit, edhe atë 2800 denarë për punëtor, për të gjithë punëtorët të cilët kanë qenë të punësuar nga një punëdhënës i caktuar në momentin e ndryshimit të Ligjit ose 50% nga shuma bruto e rritjes. Ky propozim do të nënkuptonte që sipas përllogaritjeve aktuale, paga minimale do të ishte 18 mijë denarë, por e subvencionuar nga shteti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button