Formati i Normandisë

Pasi në njërën anë Rusia dhe NATO kanë grumbulluar forca në kufijtë e Ukrainës, në anë tjetër bisedimet për një zgjidhje paqësore në mes Kievit dhe Moskës nga fuqitë evropiane kanë vazhduar. Në fillim të javës, diplomatë të lartë të Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Ukrainës janë takuar përsëri por pa sukses. Sipas raportimeve, pala ruse nuk ju përmbahet pikave të Marrëveshjes së Minskut.

Grupi që më pak është dëgjuar viteve të fundit dhe ka qenë aktiv në mosmarrëveshjet ruso-ukrainase, është ai i Normandisë i quajtur ndryshe si Formati i Normandisë, grup i cili u krijua në muajin qershor të vitit 2014, kur liderët e Francës, Rusisë, Gjermanisë dhe Ukrainës u takuan gjatë kremtimit të 70-vjetorit të zbarkimit të forcave aleate në Normandi të Francës.

Ky grup në fakt ishte si rrjedhojë i pushtimit rus të Krimesë, dhe me rezultate të pakta krahasuar me grupet tjera të ndërmjetësimit siç ishte Grupi i Kontaktit për ish Jugosllavinë. Formati i Normandisë funksion në një mënyrë tjetër, pasi këtu nuk kemi takime tradicionale të diplomatëve të shteteve pjesëmarrëse.

Takimet e zyrtarëve realizohen përmes telefonatave ndërmjet liderëve dhe ministrave të punëve të jashtme. Sipas zhvillimeve në Evropën Lindore, Formati i Normandisë ndonjëherë është zgjeruar më zyrtarë të shteteve fqinj duke përfshirë dhe përfaqësues nga jashtë si nga Bjellorusia, Italia dhe Britania e Madhe, dhe natyrisht nga kontesti i ngjarjeve ushtarake dhe politike.

Nuk duhet të harrojmë se Formati i Normandisë ka për synimin gjetjen e një zgjidhje paqësore pas agresionit ushtarak të Rusisë së vitit 2014 që rezultoi me pushtimin e Krimesë dhe kërcënimit aktual rus kundër Ukrainës dhe më pas. Megjithatë, përkundër përpjekjeve për një zgjidhje pa luftë, lajmet nga kufijtë e Ukrainës tregojnë për një sulm të pashmangshëm nga pala ruse dhe shumë pak vend për diplomacinë.

Historikisht ky grup më pas krijoi të ashtuquajturin Grupi Trepalësh i Kontaktit (TCG), i përbërë nga Ukraina, Rusia dhe OSBE. Më pas u themeluan disa grupe pune për çështjet politike, të sigurisë dhe humanitare duke i përfshirë edhe përfaqësuesit e rajoneve separatiste të Donteskut.

 Më vonë përpjekjet diplomatike ndërkombëtare çuan në arritjen e Memorandumit të Minskut të shtatorit të vitit 2014 dhe Paketën e Masave të vitit 2015 që përmbanin kushtet dhe mënyrën e zgjidhjes së konfliktit ruso-ukrainas.

Angazhimet e diplomatëve në Formatin e Normandisë mbështeten në dokumentet e njohura si Marrëveshja e Minskut, të cilësuara si dokumente ku përshkruhet mënyra për t’i dhënë fund konfliktit në mes dy shteteve përmes negociatave e jo luftës. Përkundër të gjitha veprimeve si nga ana e BE-së, ShBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, sulmi rus është bërë më i afërt.

Nga takimi i fundit i Formatit të Normandisë, negociatat në mes anëtarëve nuk sollën rezultate konkrete dhe nuk arritën t’i kalojnë dallimet që kishin rreth interpretimeve të Marrëveshjes së Minskut. Sidoqoftë, pas çdo konflikti, përsëri diplomacia do të zë vendin e saj për të arritur paqen.

Duhet pranuar se në rastin ruso-ukrainas, rrethanat ndërkombëtare për të parandaluar sulmin rus kanë ndryshuar duke filluar me reagimet e Uashingtonit, për mos dërgimin e ushtarëve amerikanë në tokën ukrainase për të luftuar mundësisht rusët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button