484 vjet nga themelimi i teqesë bektashiane “Harabati Baba” në Tetovë

Dje është shënuar 484- vjetori i ngritjes së teqesë bektashiane të Tetovës “Harabati Baba”, nga kleriku Seresem Ali Dede, njofton Portalb.mk.

“Përhapja e kulturës islame në Tetovë dhe rrethinat e saj në shekujt XV-XVI pati zhvillimin e vet në shumë fusha të kulturës, ekonomi, në sferën politike, ushtarake, fetare dhe la gjurmë në vet zhvillimin historik në vitet e mëvonshme të pashallëkut të Tetovës. Kur në shekullin e XVI sundoi  Sulltan Sulejmanit Kanuni pati përparim të madh në shumë sfera të jetës dhe përbën kulmin e ngritjes së kësaj perandorie. Nga burimet historike, mendohet se Sersem Ali Dede, ka lindur nga çereku i fundit i shekullit XV, aty rreth viteve 1475, në kohën e Ballëm Sulltanit, Pirit të Dytë të bektashizmit”, thuhet në njoftimin e Kryegjyshatës Botërore  Botërore Bektashiane.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, me këtë rast organizoi ekspozitë me fotografi e dokumente, kushtuar trashëgimisë kulturore të “Harabatit” e cila, siç tha drejtori Skender Asani është pjesë integrale e strategjisë së tyre shkencore e hulumtuese për të fokusuar një vëmendje më të madhe ndaj bashkësive më të vogla fetare e kulturore, por që në thelb përbëjnë pasuri të mëdha inspirimi shpirtëror dhe reinkarnim të dashurisë njerëzore në jetën tonë të përditshme.

“Harabati” përbën një nocion të rëndësishëm në trashëgiminë sakrale bektashiane, pasi që aty është memoruar kujtesa dhe lavdia e këtij komuniteti, përmes kontributit vetmohues të dhjetëra klerikëve patriotë që ruajtën të paprekur koninuitetin historik të këtij kompleksi kulturoro-fetar”, tha Asani.

Zëvendësambasadori i SHBA-së, Eric Meyer vizitoi ekspozitën, ndërkaq në fjalën e tij përgëzoi liderët e Komunitetit Bektashi për këtë përvjetor të rëndësishëm dhe vuri në dukje se qeveria e SHBA është thellësisht e përkushtuar për avancimin e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor, si dhe lirive fetare në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.

Në njoftimin e Ambasadës së Shqipërisë thuhet se “Harabati” është një nocion i rëndësishëm në trashëgiminë e shenjtë bektashiane, pasi përkujton kujtesën dhe lavdinë e këtij komuniteti, përmes kontributit vetëmohues të dhjetëra klerikëve atdhetarë që ruajtën të paprekur vazhdimësinë historike të këtij kompleksi kulturoro-fetar.

“Dialogu ndërfetar dhe liria fetare janë të rëndësishme në çdo shoqëri!”, thuhet në kumtesën e Ambasadës së Gjermanisë ku mori pjesë Florian Träger-Steintjes nga Ambasada Gjermane në Shkup dhe mbajti fjalë përshëndetëse në hapjen e ekspozitës.

Fjalim mbajti edhe ambasadori hungarez në Shkup, Laszlo Dux mbajti fjalim, duke theksuar rëndësinë e Tyrbes të Gyl Baba në Budapest.

“Harabati Baba” , sipas njoftimit të Kryegjyshatës Bektashiane Botërore u themelua në Tetovë të Maqedonisë nga Sersem Ali Dede më 1538. Ai solli 15 dervishë dhe e mbaroi këtë tempull madhështor, në vitin 1548. Në shek. XVI, në kohën e sundimit të Sulltan Sulejmanit, ai ishte edhe zyrtar i lartë i perandorisë osmane, vezir. Ai ishte teolog i shquar, një mistik i njohur i kohës, filozof, poet.

Arkitektura e teqesë përbëhet: godina komplekse arkitektonike e teqesë, përbëhet nga shumë objekte të kompleksit të saj:

Faltorja-Kubbeli, Mejdani, ku ruhet sot vetëm para dhoma me dy mbishkrimet;  shtëpia ose konaku veror, ku rrinin klerikët; selamllëku ( dhoma e pritjes); qoshku verior dhe shatërvani i teqesë; shtëpia dimërore me objekte të tjera; faltorja e vogël, mauzoleu, lavanteria, kuzhina e vogël, kabri i baba Mehmet Harbatit; shtëpia e punëtorëve; restoranti i teqesë; furra e teqesë; hambarët e teqesë; bodrumi i teqesë; hajate bagëtish; çezma e madhe; çezma e vogël; varrezat e teqesë; kulla e rojeve mbi hyrjen kryesore. Teqeja ka katër porta të cilat simbolizojnë elementë nga doktrina bektashiane. Kompleksi madhështor i kësaj teqeje, me objektet e ndërtuara, janë integruar në një tërësi unike e plotësojnë njëri-tjetrin me veçoritë e veta si portat, oxhaqet, kulmet, shtyllat katër katëshe, koloriti i pasur i fasadave, pikturat murale, mbishkrimet e shumta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button