Jehona e “Luftës Patriotike” dhe solidarizimi me NATO-n

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut (MV) Dimitar Kovaçevski u takua javën që shkoi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Stotelnberg për të biseduar rreth situatës së re të sigurisë në Ballkan, angazhimit të deritanishëm të Shkupit dhe provokimeve ruse. Më herët në një postim të ministres së Mbrojtjes së MV-së, kishte reaguar ambasada ruse në Shkup. Nuk voni shumë me të njëjtat metoda, zyrtarë të ambasadës në Tiranë dhe MPJ-së ruse, po kërkojnë nga Shqipëria të përcaktohet nëse NATO duhet apo jo të zgjerohet me anëtarë të rinj në lindje dhe në jug të Evropës. Këtu shihet qartë se Moska zyrtare kërkon një ripozicionim nga ish shtetet e Paktit të Varshavës, nëse plotësisht janë me koalicionin e ri ushtarak perëndimor kundër Rusisë në Ukrainë.
NATO i tha Shkupit zyrtarë se duhet të përgatitet për të gjitha skenarët, kurse Ambasadorja Amerikane në Shkup, gjithashtu bëri thirrje që qytetarët e MV-së të mbështesin Ukrainën dhe ShBA.
1. Përpjekjet ruse për të krijuar përçarje në mes anëtarëve të vjetër të aleancës dhe atyre të rinj, tregon për mjetet e diplomacisë ruse për të vënë në dilemë anëtarësimet e reja në aleancë. Reagimet nga NATO-ja dhe Ambasada Amerikane në Shkup, shfaqin frikën që ka Perëndimi ndaj vendeve që kanë popullatë të përzier etnike – fetare dhe që e admirojnë apo e kanë mbështetur dikur politikën sovjetike-ruse në Ballkanin Perëndimor.
Blloku i ri gjeopolitik që Moska po mundohet ta ndërtojë, dhe këmbanat që bien për një konflikt të ri në mes të Evropës, janë të njëjta me angazhimet e dikurshme të ish Bashkimit Sovjetik gjatë LDB-së për të mbrojtur shtetin nga pushtimi gjerman. Pasi atëherë Stalini përballë e kishte Gjermaninë e Hitlerit, sot për Rusinë e Putinit, ShBA dhe NATO janë kërcënuestit më të mëdhenj. Dhe po aty ku filluan të bllokohen trupat gjermane gjatë LDB-së, po aty Rusia sot nxiton të vendosë rregulla të reja të sigurisë me ndikim jo vetëm në BE por dhe në Ballkanin Perëndimor.
LDB, e njohur në Rusi si “Lufta e Madhe Patriotike” (1941-45), ishte një moment vendimtar për shtetin e ri sovjetik.Ishte pikërisht fitorja e fituar me vështirësi ndaj nazistëve në “Luftën e Madhe Patriotike” që e ktheu shtetin rus në një fuqi botërore deri në vitin 1991.
2. Tetë dekada pas, përsëri për rusët po kthehet një moment tjetër historik, me një kujtesë të keqe nëse duhet të shkojnë në luftë me Perëndimin për të mbrojtur Rusinë nga zgjerimi i NATO-s me anëtarë të rinj.
Pasi gjatë “Luftës Patriotike” humbën jetën mbi 26 milion rusë, Rusia e sotme Putinit është e vendosur që në bisedimet me ShBA dhe NATO-n, të qëndrojë në kërkesat e saja dhe të forcojë praninë me mjete ushtarake moderne dhe ushtarë në kufijtë e Ukrainës. Përderisa grumbullimi i ushtrisë është bërë i njohur, një pjesë e flotës ruse po forcohet në Mesdhe dhe mbetet e panjohur nëse Moska do të vendosë raketa me veprim të mesëm në Ballkan, gjegjësisht në Serbi. Beogradi ka njoftuar se nuk posedon raketa -Inskander, megjithatë viteve të fundit bashkëpunimi ruso-serb në fushën ushtarake është rritur dhe nuk dihet se çfarë armatimi ka dërguar Rusia në Serbi.
Një Ballkan i rrethuar nga armët ruse dhe rritjes së nivelit të operacioneve klandestine-informative, e bën rajonin detyrimisht pjesë të luftës hibride ruse nga Bjellorusia e deri në Mesdhe, pa përjashtuar veprimet e GRU-së dhe SVR-së ruse në BE dhe në botë. Andaj, Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe shtetet tjera do të jenë pjesë e lojës ruse deri në fund bashkë me jehonën e “Luftës Patriotike”. Se sa do të qëndrojnë besnike anëtarët e reja të NATO-s kjo mbetet të shihet. Dhe këtu nuk janë të kota thirrjet e diplomatëve për vigjilencë dhe solidarizim në kohën e kërcënimit të madh rus në Evropën Qendrore dhe Lindore.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button