Shkupi dhe Sofja me qëndrim identik: Pikëpamjet e shprehura nga anëtarët e komisionit historik nuk duhet të interpretohen si qëndrime shtetërore

Me pothuajse njoftime të ngjashme dje pasdite u shprehën Ministritë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke theksuar se puna e komisionit të përbashkët për çështje historike dhe arsimore është një element i rëndësishëm në përmbushjen e Marrëveshjes së Miqësisë të vitit 2017, transmeton Portalb.mk.

Njoftimet pasojnë, siç thuhet, pas daljeve publike të përfaqësuesve të komisionit të përbashkët për çështje historike dhe arsimore.

“Duam të potencojmë se puna e Komisionit është pjesë integrale e zbatimit të Marrëveshjes për miqësi të vitit 2017. Në përputhje me iniciativën e fundit të dy vendeve, të konfirmuar në seancën e përbashkët të dy qeverive, për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat, përshëndesim vendimin e dy bashkëkryesuesve për intensifikimin e punës së Komisionit, me qëllim që të kapërcehen dallimet në çështjet më të ndjeshme. E kuptojmë nevojën që anëtarët e komisionit, veçanërisht bashkëkryetarët, të paraqesin publikisht pikëpamjet dhe opinionet e tyre, por ato nuk duhet të interpretohen si qëndrime shtetërore dhe as si pjesë e pikëpamjeve politike të dy qeverive”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë.

Të dy qeveritë, siç theksohet, edhe një herë u bëjnë thirrje të gjithë faktorëve, përfshirë anëtarëve të Komisionit për çështjet historike, që të ruajnë dinamikën tashmë të dakorduar të aktiviteteve, e cila i përgjigjet intensitetit të ri të komunikimit të intensifikuar mes dy vendeve, me qëllim që të shfrytëzohet momenti i ri për tejkalimin në mënyrë adekuate dallimet mes dy vendeve dhe për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Dy deklaratave të MPJ-së i ka paraprirë një bisedë telefonike mes ministrave të jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, gjatë së cilës, siç u tha, u diskutuan qëndrimet për rëndësinë e zbatimit të qëllimeve të përcaktuara në seancën e përbashkët të dy qeverive, por interes në ruajtjen e momentumit të krijuar për ndërtimin e miqësisë dhe besimit të ndërsjellë.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Dellçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button