PATOLOGJIA SOCIALE

Patologjia (pathos, πάθος), “përvojë” ose “vuajtje” dhe logia, λογία, “studim”) nënkupton studimin e shkaqeve dhe pasojave të sëmundjes ose të lëndimit. Patologjia sociale, që si term ka lindur në fund të shek. XIX dhe fillim të atij XX, kundrohet si ombrellë e ndryshueshme për gjërat, veprimet apo dukuritë  shoqërisht të kritikueshme (Piotrowski, 2006: x), për shkeljen/dhunimin e normave sociale (White, 2021). Është sinonim i mëkateve sociale, sjelljeve deviante, i sëmundjeve të organizmit social, çorganizmit, stagnimit dhe degjenerimit të jetës sociale, i sjelljeve imorale dhe të papranueshme. Patologjia sociale është term i përafërt me atë që Durkheim-i e quan anomie (Laitinen-Sarkela, 2018).

Sipas Sutherland-it, termi “patologji sociale “ i referohet një fushe të dijes që shenjohet edhe nga terma si çorganizimi shoqëror, probleme sociale, sociologji e aplikuar, sociologji praktike dhe teknologji sociale (1945:429). Ndërkohë është shkencë një që analizon problemet (sëmundjet sociale), elementet anti-sociale që e pengojnë pjesëmarrjen në aktivitete zhvillimore (developmental activities). Ajo mundohet t’ua gjejë shkaqet sëmundjeve sociale si krimi, narkomania, varfëria, korrupsioni, izolimi, stigmatizimi, diskriminimi, pastrehësia, shkelja e të drejtave të njeriut, terrorizmi etj. Një nga fenomenet specifike për kulturën tonë shqiptare, që këtyre ditëve sërish u aktualizua, është gjakmarrja apo hakmarrja (Rasti i lezhianit 17-vjeçar). Si zgjidhje apo profilaksi mund të jenë edukimi, riedukimi, hospitalizimi, burgosja etj. Ka edhe autorë që patologjinë sovciale e trajtojnë si fushë studimi që i përket një spektrumi të profesionëve të ndihmës  (bashkë me edukimin social, punën sociale, edukimin social, adiktologjinë [pratikën e trajtimit të varësive] etj.) (Belik, 2015)

Teksti universitar i autorëve Alisabri Shabani dhe Ahmet Maloku, Tema të zgjedhura nga patologjia sociale (Kolegji Iliria, Prishtinë, 2019, 311 faqe) që iu dedikohet studentëve të shkencave të drejtësisë, sigurisë, kriminologjisë dhe sociologjisë, përbën një punim me peshë që shqyrton probleme sociale që paraqesin kushte të sëmundjes së organizmit shoqëror.

Libri është i ndarë në katër kapituj të lidhur mes vete në mënyrë organike, duke ndërtuar një tërësi shkollare kuptimplotë. Pjesa e parë nis me përkufizimin e ndryshimit social, duke zbërthyer teoritë e evolucionit, të konfliktit, të baraspeshës, ciklike, duke kaluar më pas te planifikimi i ndryshimeve, problemet sociale, shkarjet sociale, duke u përmbyllur me patologjinë sociale. Në të autorët theksojnë impaktin e difuzionit i shtrirje e veçorive kulturore të një shoqërie në tjetrën, të krizave dhe konflikteve që kanë potencial  disruptiv shoqëror, të vonesës kulturore (cultural lag), të agjentëve të ndryshimit (change agents), dallimet mes folkut (bashkësisë tradicionale) dhe mjedisit urban etj.

Pjesa e dytë shqyrton teoritë rreth patologjisë sociale, teoritë strukturore, atë të mjedisit social, atë durkheimiane, të konfliktit kulturor, të subkulturës dhe të kundërkulturës, të anomisë, të çorganizimit shoqëror, teorinë ekologjike, teoritë social-psikologjike (e asociacionit diferencial, e identfikimit diferencial, e ndërveprimit, e zgjedhjes racionale, e kontrollit social, e vetërefuzimit, e agresionit, e privimit nga raportet amënore, e frikësimit), teoritë bio-antropologjike (Beccaria, Lombroso, Garofalo) e kështu me radhë. Të gjitha këto nga autorët elaborohen në mënyrë të detajuar, me kompetencë dhe duke iu referuar autoriteteve të lëmës.

Pjesa e tretë jep një tipologji të dukurive sociale patologjike, flet për kriminalitetin, vetëvrasjet, toksikomanitë, narkomaninë, alkoolizmin, nikotinomaninë, prostitucionin, bixhozin, delikuenca e miturve, madje edhe për një varësi post-moderne siç është ajo nga serialet televizive apo telenovelat si pjesë e shoqërisë se spektaklit (Debord) që kanë arritur të bëhen fuqi manjetike që tërheqin pas vetes miliona njerëz anekënd botës, shpesh duke shkaktuar edhe anomali sociale.

Dhe kapitulli i fundit ofron elaborime për etiologjinë e fenomeneve sociale patologjike, duke i radhitur shkaktarët e jashtëm si industrializimi, urbanizimi, shtresëzimi social, varfëria, mediet, fatkeqësitë, dhe të brendshmit (endogjenë) si ndërtimi biologjik i individit, ai psikologjik, emocionet, çrregullimet mendore e të ngjashme. Libri përmbyllet me njësitë referenciale (7 faqe) dhe indeksine  emrave dhe të terminologjisë. Punimi shoqërohet edhe me të dhëna statistikore (p.sh. për Kosovën, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën…), ilustrime dhe skema që të njëjtit ia rrisin vizibiltetin dhe tërheqshmërinë tek auditori.  Një segment tjetër i rëndësishëm i këtij studimi është gjuha e thjeshtë dhe e kuptueshme, që i mundëson çdo shtrese dhe profili të komunikojë me të, kontinuiteti i trajtimit të temave që ndjekin njëra-tjetrën me një ndërlidhshmëri strukturale dhe të kuptimtë.

Produkti shkencor i profesorëve Shabani dhe Maloku flet për një punë të gjatë, të lodhshme, që ka sjellur në jetë një tekst mësimor që pasqyron kompetencë. Dy autorët me sukses kanë kapitalizuar një pjesë të karrierës së tyre akademike me këtë prurje shkencore me peshë dhe me një frymë të veçantë shkollare. Botimi i tij është sihariq për pjesëtarët e komunitetit që merren me këtë problematikë që na tangon të gjithëve si pjesëtarë të një bote turbulente, me shumë patologji dhe kriza që kërkojnë zgjidhje, mes tjerash edhe përmes diskursit shkencor. Është prurje me rëndësi edhe për kategorinë e studentëve të shkencave sociale. Për të ndërtuar shoqëri të shëndoshë duhet detektuar sëmundjet dhe devijimet sociale që duhen kuruar me metoda të ndryshme. Ky libër është një tekst profesional lidhur fenomenologjinë e patologjive sociale, një vepër që mund t’u hyjë në punë subjekteve të ndryshme individuale dhe institucioneve shoqërore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button