Në Kosovë u protestua kundër shtrenjtimit të rrymës, rezoluta e opozitës nuk miratohet

Qytetarë të shumtë të mërkurën janë mbledhur në sheshet e Prishtinës për ta kundërshtuar propozimin e ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës, transmeton Koha.net.

Me thirrjet “asnjë cent më shumë”, “lësho rrymën, lësho rrjetin, largoje KEDS-in”, qytetarët i janë drejtuar objektit të Qeverisë për t’i shpalosur para këtij institucioni dy kërkesat që patën.

“Kërkojmë që, Qeveria të mos aprovojë bllok-tarifën e propozuar nga ZRRE-ja, ta shtetëzojë KEDS-in, kjo si zgjidhja më e qëndrueshme për furnizimin të energjisë eklektike të gjithë neve pa dallim”, ka thënë Anita Mjeku, protestuese.

Askush nga Qeveria nuk u doli qytetarëve në protestë, ani pse ata e pritën kryeministrin.

“Unë kom prit me dalë kryeministri. Secila Qeveri i ka mangësitë e veta por kemi mbajtur shpresë shumë te Albini, unë posaçërisht, por jam zhgënjyer total, me të gjitha Qeveritë edhe të mëparshmet edhe me këtë të sotit. Ky popull nuk han më bari, populli janë vetëdijesuar, ky popull ka me të ndëshku qysh i ka ndëshkuar këta tjerët”, tha Afrim Sogojeva, protestues.

Kryeministri para disa ditëve ishte deklaruar se aktualisht ka dy alternativa, shtrenjtim të rrymës apo reduktime të ashpra.

Për qytetarët, asnjëra prej tyre nuk është zgjidhje e mirë.

“Asnjëra nuk është e pranueshme, por prapë le ta reduktojnë pak e çka me bo se nuk kemi me çka me e pagu. Nuk jemi që nuk e paguajmë, por me çka me pagu, nuk ke me çka, nuk ki mundësi me e pagu”, ka shtuar protestuesi Aziz Kastrati.

Lidhur me këtë çështje në Kuvend të mërkurën nuk arriti të miratohej rezoluta e opozitës kundër shtrenjtimit të rrymës.

Edhe pse në seancë kishte mjaftueshëm deputetë, ajo dështoi për shkak të mospjesëmarrjes në votim të deputetëve të pushtetit.

Për këto veprime opozita e lëshoi sallën dhe të bashkuar mbajtën një konferencë për media.

Ata e akuzuan Qeverinë për, siç thanë, koordinim të veprimeve me ZRRE-në për shtrenjtim të rrymës, derisa paralajmëruan që do t’i kundërshtojnë blloktarifat me të gjithë mekanizmat ligjorë.

“Ne patëm një rezolutë e cila i kërkonte ZRRE dhe qeverisë, që në asnjë rrethanë të mos e konsideronte në këtë nivel rritjen e çmimit. Ne pritëm që një rezolutë e tillë të votohej për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë. Kjo mazhorancë e dha një mesazh të qartë që këtu ka koordinim të plotë mes Kurtit, ZRrE-së dhe parlamentit që ta implementojnë një bllok-tarifë”, ka deklaruar Abelard Tahiri, shef i GP të PDK-së.

E Armend Zemaj, deputet i LDK-së tha se “këto improvizime mashtruese janë treguesi më i qartë i mosefikasitetit të kryerjes së detyrës dhe kryesorja është mbrojtja e qytetarëve me veprimet tona janë të ligjshme për mbrojtjen nga e keqja. Ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj loje përkundër mbështetjesh që kanë nga Lista Serbe”.

Palët kanë të drejtë që deri më 28 janar t’i dërgojnë komentet e tyre, përfshirë këtu edhe Qeverinë, por ata nuk i janë përgjigjur interesimit të KOHËS nëse i kanë dërguar të njëjtat dhe se cilat janë rekomandimet.

Kundër propozimit për shtrenjtim është paralajmëruar edhe një protestë tjetër për të shtunën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button