Ukrainë – Ballkan: Efekti i luftës informative ruse

Në fund të gushtit të vitit 1939, në qytetin Gleuic (Gleiwitz), Alfred Naujocksi ushtarë i njësive speciale gjermane SS ishte në ankth dhe po priste fjalën e fundit nga Komanda gjermane se kur duhet të sulmohej Polonia. Ai me disa specialistë të tjerë gjermanë kishin arritur disa ditë më parë në këtë fshat afër kufirit të atëhershëm gjermano-polak. Ata ishin të ngarkuar me misionin që të organizonin një sulm që do të justifikonin sulmin total të Gjermanisë ndaj Polonisë.

Një rast i njëjtë sot po ndërtohet me Ukrainën, ku përveç përqendrimit të madh të trupave ruse në kufi me Ukrainën, propaganda informative ruse është e orientuar për të inskenuar një sulm që do të ishte si shkas për pushtimin e territorit ukrainas nga Rusia. Ky model mund të përdoret dhe keqpërdoret nga shtetet dhe qeveritë që kanë në plan të bëjnë pushtimin e një territori ose të organizojnë sulm befasues ushtarak.

Po le të fillojmë me luftën e informacionit. Historikisht, duhej kohë që të krijohej një pasqyrë për vend- ndodhjen e forcave të palës tjetër. Informacioni në atë kohë për të ndikuar shpejt tek pala armike ishte pothuajse i pa imagjinueshëm, dhe dihet se kjo ishte për arsye të mungesës së teknologjisë. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore (LPB), me zhvillimin e hovshëm të gazetave, dhe radios, propaganda si pjesë e luftës informative u bë mjet për të ndikuar në moralin e forcave kundërshtare dhe mashtruar armikun.

Një shekull pas, gjendja në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Lindore nuk është e njëjta. Rusia po bëhet gati për të pushtuar Ukrainën, ndërsa në pjesën e luftës informative, manipulimin e opinionit publik e bën propaganda e organizuar ruse e cila viteve të fundit është e pakrahasueshme me të tjerat, atë të BE-së dhe ShBA-ve. Është tepër efikase në mjediset ku jetojnë ruset etnikë ose në hapësirat ku sentimenti për Rusinë është i lartë dhe ka aftësi të depërtojë lehtë në BE dhe në ShBA. Kjo mund të konsiderohet si një proces i natyrshëm nga pikëpamja historike e luftës informative që aktualisht zhvillohet në Evropën Perëndimore, Lindore dhe në Ballkan, në mes Uashingtonit dhe Kremlinit. Rasti i Ukrainës tregon se stërvitjet ushtarake dhe informacioni që plason

Moska rreth Kievit, luan rol kryesor në moralin e ushtarëve dhe njëkohësisht të ndërrimit të planeve nga qeveritë të përfshira apo jo në konflikt të drejtpërdrejtë. Tash e disa muaj, trupat ruse e kanë bërë të veten, duke trembur jo vetëm BE-në, por edhe shtetet fqinjë, duke lëshuar sinjale trishtimi edhe në Ballkan. Mos të harrojmë se ishin trupat sovjetike që çliruan Berlinin dhe Beogradin gjatë LDB-së, andaj Rusia përsëri e sheh këtë pjesë të Evropës dhe Ballkanit si të veten nga pikëpamja e dominimit gjeopolitik, etnografik dhe të tregtisë me armë, me Serbinë dhe me gaz me Gjermaninë.

Në vitin 1920 studiuesi rus Zaionçkovski tha se format dhe metodat e luftës së armatosur priren të ndryshojnë herë pas here. Ai nënvizoi se një luftë e gjeneratës së re do të mbizotërohet nga lufta informative dhe psikologjike që do të synojë të arrijë epërsi në kontrollin e trupave dhe armëve.

Në revolucionin e ri të inteligjencës artificiale, me teknologjitë e informacionit dhe rrjeteve sociale, informacioni, lufta psikologjike dhe operacionet speciale ushtarake, do të vendosin kryesisht bazat e fitoreve të ardhshme në mes shteteve. Aksionet asimetrike, gjithashtu do të shfrytëzohen për të krijuar epërsi në luftën e armatosur nga një kombinim i fushatave politike, ekonomike, informative, teknologjike, qoftë drejtpërsëdrejti dhe në formë të tërthortë. Masat ushtarake dhe jo ushtarake duke u mbështetur në një kombinim të aftësive politike, ekonomike, ushtarake, fetare, dhe kibernetike të një shteti për ta integruar atë territor (rasti i Krimesë, Donbaskut…) dhe tash në tërësi të Ukrainës, mbeten synimet kryesore të luftës informative të një shteti-Rusisë.

Kush i posedon të gjitha këta kapacitete dhe i pari sulmon, krijon një epërsi ndaj kundërshtarit dhe fitorja është e padiskutueshme ose krijon pozita të favorshme negociuese. Siç e kemi të njohur, strategjia ruse e pushtimit përfshin metoda të ndryshme për të marrë një territor dhe vendosur pushtetin e vet. Këtu BE dhe ShBA duhet ta kenë në vëmendje se të njëjtën gjë mund ta kopjojë Serbia qoftë në Bosnjë dhe në Kosovën Veriore, duke vënë në përdorim skenarë modern rus të luftës informative në Ballkan.

Se çfarë do të ndodhë në Ukrainë dhe si do të ndahen sferat e interesit të sigurisë në Evropë, sigurisht se e gjithë kjo do të ketë efekt edhe në Ballkanin Perëndimor, dhe për perspektivat nëse do të ketë euro-integrime të shpejta ose një Ballkan i ndarë në mes ShBA-së dhe Rusisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button