Biblioteka e Kërçovës ‘vuan’ për para

Biblioteka e qytetit të Kërçovës “Koço Racin” e cila ka disa dekada që ju shërben lexuesve në këtë qytet aktualisht numëron rreth njëmijë anëtarë të cilët, sipas të punësuarve në këtë bibliotekë, janë lexues të rregullt dhe e vizitojnë atë mesatarisht 2-3 herë në muaj.

Sipas bibliotekistes, Barije Çupi, lexuesit në përgjithësi, më shumë, janë nxënës dhe studentë dhe ka më pak lexues më të moshuar.

“Lexues ka mjaftë por ky numër është për rreth 300 anëtarë më pak nga pesë vite më parë kur kam filluar unë këtu me punë. Kjo është si rezultat i asaj që ne nuk kemi mundësi që t’ju shërbejmë lexuesve si duhet ngaqë buxheti i bibliotekës shpesh përgjysmohet, numri i titujve të librave nuk është i mjaftueshëm dhe ne i humbin lexuesit. Ministria e arsimit duhet të na ndihmojë më shumë në këtë aspekt, të sjellë tituj të ri të autorëve të vendit dhe të huajve, të përmbushë kërkesat tona dhe të shtojë numrin e të punësuarve. Buxheti që kemi momentalisht nuk mjafton për mirëmbajtjen e bibliotekës. Titujt e librave shqiptarë janë shtuar mjaftë këto vitet e fundit dhe anëtarët i kemi gati gjysmën shqiptarë. Unë jam e vetmja e punësuar shqiptare këtu kurse biblioteka ka nevojë edhe për një tjetër të punësuar shqiptar që t’ju shërbejë këtyre lexuesve.” – shtoi Çupi.


Ndërkaq për të rritur numrin e lexuesve, sipas Çupit, ndihmojnë edhe shkollat fillore dhe të mesme të cilët vazhdimisht dërgojnë nxënës që t’i njoftojnë me ambientin dhe kushtet e bibliotekës. 

Këto ditë biblioteka “Koço Racin” është furnizuar me disa tituj shkencorë të disa autorëve të huaj, përkthimi i të cilëve është financuar nga qeveria. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button