LAJTËM LESH

Dihet se përveç kuptimeve parësore dhe të drejtëpërdrejta, fjalët kanë dhe kuptimet e tyre figurative, që janë produkt i asociacioneve të folësve. Ato (fjalët) shndërrohen shpesh në lëndë të parë për ndërtimin e shprehjeve të qëndrueshme, në njësi frazeologjike, në fjali me kuptime të mëvetësishme, të qëndrueshme e gjithnjë të figurshme.

Fjalori i Gjuhës Shqipe gëlon nga fjalët e tilla, si fjala lesh, për shembull, e cila nuk ka të bëjë vetëm me qimet që mbulojnë lëkurën e bagëtive, me flokët dhe qimet e trupit të njeriut apo me pushin e kërcejve, gjetheve dhe frutave të disa pemëve e bimëve, sepse, prej kohësh, është bërë bërthamë e shprehjeve domethënëse, si:

Është lesh (leshko) = është budalla.

U bë lesh = u lodh, u rraskapit.

U bë lesh arapi = u ngatërrua, u përzie keq.
U bë lesh e mish = u grind keq, u përlesh me dikë.

Iu drodhën leshrat e kokës = u frikësua.

Foli pa lesh në bark = foli me zemër të hapur.

Lë lesh kudo që shkon = nuk zë vend askund.

I shtiu veshët në lesh = nuk ia vuri veshin, e bëri veshin të shurdhër.

Është ngrohur në leshin e vet = është mbyllur në vetvete.

I vuri gojës lesh = u tregua i përmbajtur në të folur.

I zuri goja lesh = u lodh duke përsëritur të njëjtat gjëra.

I kanë zënë sytë lesh = s’është në gjendje t’i shohë gjërat siç janë.

Iu ngritën leshrat e kokës = u frikësua.

U bënë llesheli = nxorrën të larat e të palarat.

Shkoi për lesh e erdhi i qethur = shkoi për të fituar, po humbi edhe atë që kishte pasur.

S’ka dele dhe shet lesh = s’ka mend po bën të gjithëdijshmin.

Iu rrit leshi = shtirret i rëndësishëm.

Lamë lesh (tetovarçe: lajtëm lesh) = mbaruam kot, thyem qafën…

Siç e shihni, leshi zë vend të rëndësishëm në diskursin e përditshmërisë së shqiptarëve. Për të jep sqarime shterruese edhe Fjalorii i gjuhës së bukur shqipe. Leshi është në qendër të të gjitha fushave të jetës së shoqërive primitive, kurse përreth tyre sillen vërdallë turmat pa pikë dinjiteti, që adhurojnë qeniet mikroskopike si personalitete madhore. Ende më keq ndodh kur zullutë e dehur mashtrimesh nuk denjojnë të dëgjojnë këshillat e Plugut të Konicës që lëroi shkëmbin dhe u përpoq të shpëtojë gjynahët nga gazepi, po i hypin me hosanna leshat në frone mbretërore (respekt përjashtimeve), për t’u sulur me barabba mbi ta kur rrezohen vetë nga froni, pasi ua pinë gjakun dhe pasi ua sosin jetën qençe. Natyrisht, me vaki të ngjashme ballafaqohen edhe etni të tjera të siujdhesës ballkanike, të cepeve afrikane e aziatike, po, sipas të gjitha nishaneve që duken e përndjehen, ne zëmë vendin e parë në kontinentin evropian me numrin e leshave që i prodhojmë vetë, me e pa vetëdije.

Këtë sigurisht e dinë edhe qibarët peshq-pa-gojë, që njësoj si unë, ti, ne… e shohin se Shqiptarisë po ia vjedhin të ardhmen leshat – matrapazët, hajdutët, të korruptuarit, mashat e huaja, jeniçerët, shpirtshiturit, shpirtrobërit, mohsat e atdheut, gjuhës, simboleve e figurave qendrore historike, shpirtërat mikroskopikë që nuk mund të justifikojnë me asgjë milionat e fituar në kurrizin e të tjerëve, sepse nuk bëjnë pjesë në grupin e njerëzve të pasuruar me djersë balli, me biznese të pastra familjare e me kurbete.

Në këso rrethanash ka pak gjasa që kabiles së aristokratëve pshurranë t’u sekuestrohen milionat e vjedhura dhe patundshmëritë marramendëse, sepse aktualisht ata janë më të fortë se ligjet e shkordhta të shteteve shkretishte. Megjithatë, ia vlen të punohet për më mirë, ia vlen të shpresohet se suksesi i SPAK-ut në shtetin amë, do të bëhet ilaçi që do t’i japë fund agonisë gjithandej ku jetojmë ne. Ndryshe: lajtëm lesh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button