OBSH: Omicron nuk është varianti i fundit, koronavirusi vazhdon të evoluojë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se varianti Omicron i koronavirusit nuk do të jetë i fundit dhe se virusi po vazhdon të “evoluojë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në konferencën e parë për shtyp të vitit me ekspertë globalë të shëndetit në selinë e organizatës në Gjenevë, deklaroi se javën e kaluar u regjistrua numri më i lartë i rasteve me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë.

Ghebreyesus tha se varianti Omicron është më i butë në krahasim me Deltan, veçanërisht te personat e vaksinuar.

“Ashtu si variantet e mëparshme, Omicron shtron në spital dhe vret njerëz. Omicron krijon një efekt cunami, përhapet shumë shpejt dhe vë në presion të madh sistemet shëndetësore në mbarë botën”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Maria Van Kerkhove, drejtuese e ekipit të OBSH-së për luftën kundër COVID-19, e pyetur në lidhje me Omicron-in, nënvizoi gjithashtu se të gjitha vaksinat aktuale janë efektive kundër këtij varianti.

Kerkhove theksoi se varianti Omicron nuk u bë më i ashpër falë vaksinimeve në përgjithësi dhe ftoi edhe një herë të gjithë të bëjnë vaksinat e tyre.

Ajo paralajmëroi se Omicron nuk do të jetë varianti i fundit i Covid-19.

“Për fat të keq, Omicron nuk do të jetë varianti i fundit. Virusi vazhdon të ‘evoluojë’”, tha Kerkhove.

Në Maqedoninë e Veriut pas analizave të 56 mostrave, janë detektuar 33 raste me llojin e koronavirusit omikron, ndërkohë janë detektuar edhe tre raste me flurona. Në 24 orët e fundit në vend u regjistruan 1 725 raste të reja me Covid-19 nga 7 472 testime të kryera. Deri më tani në vend janë kryer gjithsej 1.633.936 testime për Covid-19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Covid-19 në vendin tonë që nga fillimi i pandemisë është 230.265, numri i të shëruarve është 214.054, numri i të vdekurve është 8 002 ndërsa numri i rasteve aktive është 8 209.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button