“Eko Svest” kërkon që qeveria të heqë subvencionet për hidrocentralet e vogla, 16 milionë euro jepen në vit

Qendra për Kërkime dhe Informim Mjedisor “Eko Svest” ka nisur një fushatë dhe mbledhjen e nënshkrimeve për heqjen e subvencioneve që qeveria u jep hidrocentraleve të vogla. Nga aty thonë se ndërtimi i hidrocentraleve të vogla shoqërohet me shkelje të rënda në procedurat ligjore, duke filluar që nga dhënia e koncesioneve, përmes përgatitjes së dokumenteve strategjike, deri në momentin e vënies në punë, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

“Ato po ndërtohen pas syve të publikut, pa konsultime publike dhe pa një studim të duhur të vlerësimit të ndikimit në mjedis”. Ato po ndërtohen në disa nga luginat më piktoreske të lumenjve, në zona rreptësisht të mbrojtura dhe të ndjeshme ekologjikisht, duke i bërë kështu një dëm të pariparueshëm natyrës dhe biodiversitetit”, thanë nga “Eko Svest”.

Sipas “Eko Svest” çdo familje në vend paguan çdo muaj 6 për qind të faturës mujore të energjisë elektrike për të subvencionuar prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme. Qytetarët paguajnë çdo vit 16 milionë euro për energjinë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet e vogla.

“Energjia elektrike e prodhuar nga hidrocentralet e vogla blihet me tarifa që u garantojnë pronarëve një fitim të sigurt. Të gjithë hidrocentralet e vegjël ekzistues së bashku prodhojnë vetëm 4% të totalit të prodhimit vjetor të energjisë elektrike në vend, në një periudhë të vitit kur ajo nuk është më e nevojshme për familjet. E njëjta sasi energjie elektrike mund të kursehet me efikasitet më të mirë të energjisë, pa shkatërruar lumenjtë dhe natyrën e paprekur”, shtuan nga “Eko Svest”.

Hulumtimi i bërë nga Portalb.mk dhe Meta tregon se, në vend tashmë janë ndërtuar 98 hidrocentrale të vogla, ndërsa rreth 50 janë në plan ose në ndërtim e sipër. Një e treta e tyre ndodhen në zona të mbrojtura. Ndërtimi i këtyre objekteve energjetike me shumë shembuj është dëshmuar të jetë katastrofal për botën e egër dhe mjedisin jetësor, dhe jo mjaftueshëm efektiv në ofrimin e potencialit energjetik.

Shembujt e lumenjve Markova dhe Kadina Reka, por edhe dhjetëra të tjerë në Malin Sharr apo Mavrovë, edhe një herë treguan se Ligji për Ujërat duhet të jetë kornizë që duhet të parandalojë shfrytëzimin e burimeve ujore ekskluzivisht për interesa biznesi dhe të sigurojë mbrojtjen e ujit si burim i pazëvendësueshëm dhe i kufizuar, i cili është i rinovueshëm vetëm nëse menaxhohet në mënyrë përkatëset.

Një nga kërkesat më të rëndësishme të ambientalistëve është përgjegjësia, gjegjësisht detyrimi, nëse shkaktohet dëm, mjedisi të rikthehet doemos në gjendjen e tij origjinale dhe në vend të një prurjeje “minimale të pranueshme” të ujit, hidrocentralet duhet të sigurojnë rrjedhë “ekologjike”, për të siguruar kushte të mira ekologjike të ekosistemit ujor dhe ekosistemeve të varura nga uji, si dhe lëvizjen e lirë përgjatë shtigjeve të peshkut.

Sipas ligjit aktual për ujërat, koncesioni për shfrytëzimin e ujit jepet përmes një thirrjeje publike të organizuar dhe zbatuar në përputhje me dispozitat e Ligjit për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat.

Për inicimin e procedurës për koncesion vendos Qeveria e Republikës së Maqedonisë, me propozim të arsyetuar nga ministri i cili udhëheq me organin e administratës shtetërore përgjegjës për kryerjen e punëve nga sfera e mjedisit jetësor, i përgatitur në pajtim me bazat e ekonomisë ujore. të Republikës së Maqedonisë dhe planet e menaxhimit të pellgjeve lumore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button