RMV, dy të tretat e të infektuarve të rinj me kovid-19 janë të pavaksinuar

Në periudhën nga 6 gushti deri në ditën e djeshme, 30 dhjetor, rreth 69 mijë persona kanë rezultuar pozitivë me kovid-19. Rreth një e treta e personave pozitiv, ose 33 për qind (23.000), ishin të vaksinuar me dy doza të vaksinës kundër kovidit. Dyfish më i lartë është numri i qytetarëve të pavaksinuar që janë infektuar me kovid-19. Sipas statistikave të javëve të fundit, 46.246 qytetarë, përkatësisht 67% e personave pozitiv me kovid-19 nuk ishin të vaksinuar, thuhet në analizën e të vaksinuarve të Ministrisë së Shëndetësisë, transmeton Portalb.mk.

Vdekshmëria tek të pavaksinuarit është drastikisht më e lartë, tregon analiza. Gjatë kësaj periudhe, nga 6 gushti deri më 30 dhjetor, 2.447 vdiqën si pasojë e kovidit. Vetëm 22 për qind e tyre kishin marrë vaksinë, ndërsa 1.913 nga të vdekurit nuk ishin vaksinuar.

Siç thonë nga Ministria e Shëndetësisë, sipas analizave, të vdekurit kishin disa sëmundje kronike të kombinuara. Pacientët ishin vaksinuar me të gjitha llojet e vaksinave që kemi në dispozicion, si dhe pacientë që janë vaksinuar jashtë vendit me vaksinat Moderna dhe Johnson.

“Çdo vaksinë që kemi në dispozicion është e sigurt. U bëjmë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë imunitet kolektiv dhe do të parandalojmë përhapjen e mutacioneve të SarsKov2”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

 Të vaksinuar konsiderohen personat që janë vaksinuar me dy doza dhe kanë kaluar të paktën 14 ditë nga marrja e dozës së dytë të vaksinës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button