RMV, nuk është marrë vendim për vaksinimin e fëmijëve kundër Kovid-19

Pretendimi se “është marrë një vendim” dhe se “dikush ka vendosur në emrin tonë” të vaksinojë fëmijët e moshës nga 5-12 vjeç është i gabuar. Vendimi për të blerë 10.000 vaksina pediatrike Pfizer nuk është një vendim për vaksinim. Fjalën e fundit për vaksinat pediatrike e ka Komisioni Kombëtar i Imunizimit, shkruan Vërtetmatësi.

Një postim në Facebook dezinformon se është marrë një vendim për vaksinimin e fëmijëve, sipas shembullit të disa vendeve evropiane, si Belgjika, ku vaksinimi bëhet mbi bazë vullnetare.

“Tashmë” është marrë vendimi që në pranverë të fillojë vaksinimi i fëmijëve nga 5 deri në 12 vjet?!?!

Kush është ai që“tashmë”  ka vendosur në emrin tonë për fëmijët tanë, e që gjoja puna ka marrë fund.

ALOOO, QORRA, MOS I FUTNI HUNDËT ATJE KU SE KANË VENDIN, SE KENI PËR TA PARË!!!, thuhet në postim.

Përhapja e reagimeve të tilla alarmante në rrjetet sociale vjen pasi Qeveria e Maqedonisë vendosi të blejë 10.000 vaksina pediatrike nga “Pfizer”.

Në seancën e 117 të Qeverisë  që u mbajt më 14 dhjetor, u mor një vendim për të blerë 500.000 vaksina mRNA (mARN) nga prodhuesi Pfizer.

Me atë prokurim do të përfshihen edhe dozat pediatrike në vlerë prej 1% nga numri i përgjithshëm i fëmijëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut në moshë nga 5 deri në 12 vjet, përkatësisht rreth 10.000 doza. (Njoftim nga seanca e 117-të e Qeverisë së RMV-14.12.2021)

Është konfirmuar se dozat për të rriturit do të fillojnë të dorëzohen nga muaji maj, ndërsa dozat pediatrike në tremujorin e parë të vitit 2022, ndërsa sasia e plotë e vaksinave duhet të dorëzohet deri në dhjetor të vitit 2022.

Vendimi për blerjen e vaksinave nuk nënkupton edhe vendim për përdorimin e këtyre vaksinave. Një vendim i tillë, pra për vaksinimin e fëmijëve mbi 5 vjeç në vendin ende nuk është marrë. Këtë e ka konfirmuar Ministria e shëndetësisë.

Vendimi i vetëm që ka marrë Qeveria është për blerjen e 10 mijë dozave të vaksinës pediatrike nga prodhuesi Pfizer. Rekomandimi për vaksinim bëhet nga Komisioni Kombëtar i Imunizimit. Kjo vaksinë pediatrike do të jetë zgjedhje personale e çdo prindi ose kujdestari të fëmijëve të moshës nga 5 deri në 12 vjet. Nëse këta fëmijë do të vaksinohen do të vendosin vetëm prindërit ose kujdestarër, thanë nga PR shërbimi i Ministrisë së shëndetësisë.

Siç sqaruan nga Ministria, prokurimi i vaksinës pediatrike bëhet me qëllim të sigurimit të vaksinave, në rast se prindërit vendosin t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.

Nga Agjencia Evropiane e barnave (ЕМА) deklaruan se në 25 nëntor e kanë miratuar përdorimin e vaksinës pediatrike të Pfizer për fëmijët nga 5 deri më 12 vjet.

Tek fëmijët e moshës nga 5 deri në 11 vjeç, doza e Comirnaty do të jetë më e ulët se ajo e përdorur tek personat mbi 12 vjet (10 µg krahasuar me 30 µg). Ashtu si edhe tek të rriturit, ajo jepet si dy injeksione në pjesën e sipërme të krahut, me një interval kohor prej tre javësh midis dy vaksinave, thanë nga EMA.

Miratimi i vaksinës pediatrike EMA mbështetet nga një analizim paraprak i efikasitetit dhe rreziqeve të mundshme të vaksinës tek 2000 fëmijë të moshës nga 5 deri në 11 vjet.

Këta fëmijë kanë pranuar ose vaksinë ose placebo (injeksion i rremë). Nga 1.305 fëmijë që kanë pranuar vaksinën, Kovid-19 kanë zhvilluar vetëm 3 fëmijë, krahasuar me 16 nga 663 fëmijët që kanë pranuar placebo. Kjo do të thotë se, në këtë studim, vaksina ishte 90.7% efektive në parandalimin simptomatik të Kovid-19. Efektet anësore më të zakonshme tek fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç janë të ngjashme me ato te njerëzit e moshës mbi 12 vjet. Këto përfshijnë dhimbje në vendin e injektimit, lodhje, dhimbje koke, skuqje dhe ënjtje në vendin e injektimit, dhimbje muskulore dhe ethe. Këto efekte janë zakonisht të lehta ose të moderuara dhe kalojnë brenda pak ditësh pas vaksinimit, thanë nga EMA.

Vaksinat pediatrike janë të miratuara edhe nga Qendra Amerikane për parandalim dhe kontroll të sëmundjeve (CDC), që rekomandoi vaksinim të kësaj grupmoshe në SHBA.

Vendet evropiane si Austria, Hungaria, Greqia dhe Spanja kanë vendosur të intensifikojnë vaksinimin kundër Kovid-19 tek fëmijët.

Në Greqi, për shembull, më 15 dhjetor pranohen aplikimet për vaksinim kundër Kovid-19 për fëmijët e moshës nga 5 deri në 11 vjeç. Deri më tani për këtë grupmoshë janë caktuar mbi 30 mijë data vaksinimi.

Ne kemi miratuar vaksinimin për grupmoshat mbi 12 vjeç, vetëm me vaksinën Pfizer. Vaksinimi, si tek të rriturit, bëhet mbi bazë vullnetare. Vaksina mund të jepet në çdo pikë vaksinimi pa regjistrim, me dy doza dhe interval kohor prej tre javësh.

Sipas kësaj, pretendimi se “është marrë një vendim” dhe se “dikush ka vendosur në emrin tonë” të vaksinojë fëmijët e moshës nga 5-12 vjeç është i gabuar. Vendimi për të blerë 10.000 vaksina pediatrike Pfizer nuk është një vendim për vaksinim. Fjalën e fundit për vaksinat pediatrike e ka Komisioni Kombëtar i Imunizimit.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button