Tetovë, ende nuk janë paguar anëtarët e këshillave zgjedhor të zgjedhjeve lokale, shkaku është bllokimi i llogarisë së Komunës

Për shkak të bllokimit të llogarisë së Komunës së Tetovës, anëtarët e këshillave zgjedhorë dhe komisioneve komunale të zgjedhjeve ende nuk kanë marrë pagesat për zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor. Bëhet fjalë për 1170 persona nga 177 këshilla zgjedhor dhe të gjithë anëtarët e komisionit komunal zgjedhor Tetovë, transmeton Tetovoinfo.

“Komuna jonë ka llogari bankare të bllokuar dhe si Komision Komunal i Zgjedhjeve të Tetovës dy herë i kemi dërguar shkresë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që anëtarëve të këshillit zgjedhor dhe anëtarëve të KKZ-së t’i bëhet kompensimi. Presim që zyrtarisht të na informojnë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve”, tha Nazmi Dauti, sekretar i KKZ-së së Tetovës.

Probleme të tilla të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve kanë ekzistuar edhe më parë, ndaj zgjidhja është në Ministrinë e Financave, e cila gjen mënyrën për t’i paguar këto tarifa.

“I kemi dërguar një shkresë Ministrisë së Financave ku sqarojmë të gjithë situatën dhe i kërkojmë zgjidhje, për të gjetur mënyrën e duhur për të paguar anëtarët e këshillave zgjedhore. Edhe më herët kemi pasur situata të ngjashme me komunat tjera dhe më pas Ministria e Financave ndihmon në përputhje me mundësitë ligjore”, tha Admir Shabani, zëdhënës i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Për pagesën e të gjithë 1170 anëtarëve të bordeve dhe KKZ-ve nevojiten 12 milionë e 200 mijë denarë për pagesë.

Ndryshe, borxhi i përgjithshëm i Komunës së Tetovës është mbi 24 milion euro, prej të cilave 14 milion janë të Komunës, 9 milion të NPK “Tetova”, 187 mijë të NP “Parkingu i Qytetit” dhe 77 mijë të shkollave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button