Mariçiq: Nuk do të ketë emra të kontestueshëm në listat për falje

Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq deklaroi sot se asnjë emër i kontestuar nuk do të jetë në listat për falje. Sipas tij, listat që Ministria e Drejtësisë ia dërgon presidentit Stevo Pendarovski janë me propozim të drejtorëve të burgjeve, transmeton Portalb.mk.

“Ministri i Drejtësisë nuk jep asnjë falje. Bëhet fjalë për falje specifike me rastin e Vitit të Ri dhe listat për ulje të pjesshme të dënimit bëhen nga drejtorët e burgjeve dhe përcillen për shqyrtim. Mendoj se disa nga emrat e kontestuar nuk do të jenë as në lista. Pra, draft listat janë nga burgjet dhe jo nga Ministria e Drejtësisë. Ato lista kalojnë nëpër katër filtra”, tha Mariçiq për Utrinski Brifing.

Ai shtoi se procedura nuk është publike dhe nuk bëhet publike dhe është mosmirënjohje që të publikohen emrat në një fazë të hershme, pasi siç tha ai, bëhet fjalë për njerëz që janë të dënuar dhe kanë shpresat e tyre.

“Ne do të sigurohemi që të mos gjenden emra të diskutueshëm në lista”, tha Mariçiq.

Zëvendësministri i Drejtësisë Agim Nuhiu në një postim në Facebook është distancuar nga lista e faljeve.

“Propozimet e Drejtorive të burgjeve për të falur të burgosur të caktuar të cilët me veprat e tyre të kriminalizuara shqetësuan qytetarët dhe dridhën themelet e shtetit asnjëherë nuk do ta kenë mbështetjen time dhe nuk duhet ta kenë as mbështetjen e dikasterit të drejtësisë”, shkroi Nuhiu.

Midis emrave në lista, siç raportuan një pjesë e mediave, janë biznesmeni Seat Koçan, dëshmitari kontrovers i prokurorisë për ngjarjet e 27 prillit 2017 Aleksandar Vasilevski-Nixha, Boban Iliç, i dënuar për vrasjen e 4-vjeçarit Almir Aliu nga Kumanova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button