Spiunazhi kibernetik i Rusisë do të zgjerohet në Ballkanin Perëndimor

Për në shumë se një dekadë kemi folur, lexuar rreth propagandës dhe dezinformimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, vendeve fqinjë të Moskës dhe në shtetet e BE-së. Është debatuar për metodat e spiunazhit tradicional rus, të erës sovjetike dhe shumë pak janë analizuar kapacitetet kibernetike ruse dhe të grupeve që burimin e kanë Rusinë e sotme. Hakerët rusë të sponsorizuar nga Kremlini, MPJ, ushtria dhe shërbimet e inteligjencës ruse bashkë me njësitë sekrete, luajnë rolin kryesor të sulmeve të Rusisë në mbarë globin. Dhe në fakt janë linja e parë kibernetike e mbrojtjes së shtetit rus. Në pranverë të 2021, një sulm i dyshuar nga hakerët rusë, u realizua në gazsjellësin lindor dhe strategjik të ShBA-ve i quajtur ”Colonial”, duke paralizuar pothuajse të gjithë aktivitetin e këtij tubacioni. Nga pjesa veri- lindore e Amerikës Veriore e deri në Teksas, shërbimet u ndërprenë dhe duhej që kompania amerikane të paguante hakerët për të kthyer gjendjen e mëparshme.

Në shtetet e BE-së, rusët e kanë me lehtë të veprojnë dhe dëmtojnë çdo gjë, pasi në një konflikt të mundshëm dhe real në teatrin evropian të gjeo-ekonomisë, Moska mund të paralizojë në tërësi Evropën Perëndimore dhe aq më lehtë shtetet pro- amerikane të Ballkanit që edhe pse janë nën ombrellën e NATO-s, nuk kanë kapacitete mbrojtëse dhe sulmuese ndaj fuqisë dhe taktikave hibride ruse. Këtë fakt dhe gjendje reale, NATO dhe Uashingtoni duhet ta kuptojë dhe të punojnë me partnerët për përmirësimin e gjendjes dhe formimin e ekipeve të hakerëve lokal që do të jenë në mision të parandalimit të sulmeve nga sulmuesit qofshin rusë apo kinezë.

“Microsoft-i”, shumë kompani të mishit në ShBA dhe të tjera që luajnë rol kyç në sigurinë amerikane, janë ankuar para autoriteteve federale për sulme të shpeshta nga Rusia pa i përjashtuar ato gjatë zgjedhjeve të presidenciale të vitit 2016 dhe 2020. Nuk është vetëm kaq, rusët po punojnë shumë për betejën e radhës që mund të nisë në Evropën Lindore apo në Ballkan dhe të vazhdojë në BE dhe jashtë kontinentit evropian. Në rast të një konflikti qoftë në shkallë të mesme në Ukrainë, rusët përveç mjeteve klasike ushtarake, kanë në dorë betejën kibernetike, ku kanë kapacitete të mjaftueshme të sulmojnë të gjitha pikat e dobëta të BE-së dhe të shteteve që kanë vendosur sanksione kundër saj që nga viti 2014 kur Moska pushtoi Krimenë. Si pjesë përbërëse e sulmeve mund të nënvizohet spiunazhi kibernetikë, ku vjedhja e të dhënave, keqpërdorimi dhe shfrytëzimi i po të njëjtave nga kundërshtarët, vazhdon të jetë një mjet i fuqishëm rus në luftën kibernetike me Perëndimin.

Më lehtë Moska e ka në rajonin e Ballkanit, ku edhe pse katër shtete nga ish hapësira jugosllave janë pjesë e NATO-s bashkë me Shqipërinë, këtu Kremlini ka një terren linguistik, kulturor dhe fetar më të favorshëm për të manovruar. Zyrtarë të qeverive ballkanike, ende mbajnë lidhje qoftë me Serbinë si vend mik i Moskës ose shërbejnë si informatorë të vendeve armike. NATO në disa drejtime ka shprehur shqetësime p.sh. për Maqedoninë e Veriut se disa gjeneralë kanë sfond të dyshuar dhe nuk mund të jenë në Shtabin e aleancës ose zyrtarë të rangut më të ultë të ushtrisë janë të pabesueshëm për aleancën. Këta vrima, janë pika të dobëta për vendet e rajonit dhe të mjaftueshme për Moskën që t’i shfrytëzojë për spiunazh kibernetikë dhe aq më lehtë për t’i goditur disa kapacitete. Në një të ardhme të afërt, Moska do ta ketë më lehtë të veprojë në Ballkan. Dhe kjo do të ndodh më së shpeshti kur do të bëhet digjitalizimi i të dhënave dhe po të njëjtat do të mund të kompromentohen dhe të vihen në shërbim të Kremlinit nëse shtetet anëtare dhe mike të NATO-s dhe ShBA-së nuk do të jenë në gjendje t’i mbrojnë institucionet dhe infrastrukturën kritike. Gjithashtu të njëjtat shtetet duhet të bëjnë formimin e brigadave virtuale të hakerëve që do të shërbejnë si ushtarë në betejën frontale me Rusinë në vitet që vijnë. Po të mos habitemi, se rusët bashkë me kinezët në një aleancë të re, tashmë kanë forcuar veten dhe po e sfidojnë ShBA dhe BE në Ballkan, duke mos përjashtuar spiunazhin kibernetikë dhe sulmeve me anë të viruseve si “Ransomware”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button