Bira e fundit e kavallit

Adhurimi i një njeriu pa asnjë autoritet real në shoqëri, nderimi i tepruar i një personi vepra e të cilit është bjerrakohësia, idhujtaria dhe mania për t’ia mveshur një kurkushi cilësitë dhe vetitë e një qenie të mbinatyrshme, gjunjëzimi përpara dikujt që i mvishen veti të jashtëzakonshme…, cilësohet me të drejtë si sëmundje psikike, rrënjët e së cilës duhet kërkuar te mjerimi i mendjes, kompleksi i vlerës së ulët, frika nga më i forti a dëshira për të qenë pranë tij, prirja për t’u përulur përpara baballarëve të kamur jobiologjikë dhe, natyrisht, ëndrra për t’u bërë një ditë i pari. Kjo e fundit mbase është shtytësja parësore e vetisë së lindur bashkë me klasën e gjitarëve, në krye të të cilëve është homosapiensi me tipare zvarranikësh e hienash njëkohësisht. Veni re sa micirukë kanë gjalluar prej vitesh si sholle këpucësh të një padroni për t’u bërë sot padronë çehrengrysur për shollet e një brezi tjetër që nesër gjithashtu do të bëhen padronë. Po të ishte ndryshe, që moti do të merrte fund mekami i përsëritjes që përsëritet përsëri.

Prej këtij sindromi, që nganjëherë më duket fis me ne, më së paku kanë faj të hymnizuarit që nuk ua kërkojnë idolatristëve përulësinë mjerane dhe elozhet me të cilat i ngjesin fillimisht plepave me nalle, për t’i rrëzuar pastaj përtokë dhe për t’ua ngulur të parit thikat pas shpine.

Të informuarit e dijnë se pjesa dërmuese e idhujtarëve janë sihirbazët që e ushtrojnë këtë zeje të neveritshme duke shkuar jetën në brekët e Deni-Zullu Serpes së Faik Konicës, idhujve pa krena të Migjenit, Shokut Zylo të Dritëro Agollit dhe zgjebarakëve të Emil Sioranit, që betejat për poste i nisin si butakë, kurse i përfundojnë si despotë që shtypin pamëshirshëm masat duatrokitëse gjersa t’u shkojë kungulli mbi ujë, si pararendësve të tyre dikur heronj, sot tradhtarë të pandëshkuar për kurvëritë, hajdutëritë dhe gërditë tjera që na kanë bërë bira e fundit e kavallit evropian.

Shkaqet e kësaj katandisjeje kolektive duhet kërkuar në madhërimin e hajnave të dëshmuar, që vjedhin miliona nga populli dhe “dhurojnë” për sevape një të njëmiliontën pjesë të plaçkës, të bindur se do të adhurohen si hëzri…

A e di dikush deri kur do të shtrijë mbretërinë e paskajshme filozofia mjerane e fisit?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button