Ndërmjet identitetit dhe alteritetit

Shkrimtari dhe filozofi francez Pascal Bruckner-i (1948), te vepra Djaloshi i mirë, shkruan se ishte fatlum që u rrit pa televizor, sepse kjo mënyrë jetese i mundësoi të lexonte libra. Librat e shpëtuan nga pesimizmi, marrëzia e bezdia dhe i mundësuan që t’i kapte “përmasat e Republikës së Shpirtit”. 

Mendimtari me shumë ndikim në shoqërinë europiane (i cili e mbështeti të drejtën e kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve për shtete të pavarura si dhe e përligji bombardimin e Jugosllavisë nga NATO-ja) është kritik edhe ndaj “etnocentrizmit multikulturor“. Ai ka qasje autentike mbi kozmopolitizmin dhe globalizmin, që e trajton në librin Marramendja e Babilonisë: Kozmopolitizmi apo mondializimi. [Versioni për referencë: Pascal Brucner, Babilonska vrtoglavica, Zagreb, 2005.]

Si kryefjalë për këtë libër e ka zgjedhur thënien e Raymond Aron-it: se njohja e njerëzimit te një njeri është njohje e shumësisë (pluralitetit); se njeriu është qenie që flet dhe ekziston në mijëra gjuhë; se secili që e harron njeriun shkon drejt barbarisë.

Për Brucner-in nuk janë të rëndësishme teoritë, por njeriu dhe paqja e tij me botën përreth, veçanërisht me “Tjetrin”. Kjo qasje na kujton thënien e Karl Popper-it: “Më mirë të vdesin teoritë se njerëzit“.

Sipas autorit, kozmopolitizmi dhe globalizmi nuk janë modele të pakontestueshme. Kozmopolitizmi, që ideologjitë totalitare “e kanë quajtur fyerje”, është degraduar për sa kohë trajtohet si dogmë. Ndërkaq, globalizmi ka krijuar “bashkim të rrejshëm ndërnjerëzor nëpërmjet produkteve banale mediale”. Si i tillë është “inskenim naiv dhe gjenial i vëllazërisë universale”; është “subkulturë universale, me misionin që t’i zëvendësojë kulturat tjera“; është “përzierje me bazë fast foodi”; është “kulturë uniforme”, që me seri televizive dhe muzikë të programuar për efekte përfitimi material ua imponon njerëzve anekënd botës të njëjtin ritëm.

Epoka jonë e çorientuar joshet nga cektësia mendore dhe kiçi. Ky model është bërë dominues dhe përligjet si më adekuati.

KOZMOPOLITIZMI DHE NACIONALIZMI. Brucner-i, i cili në këtë libër e kritikon qasjen mbizotëruese mbi kozmopolitizmin, është i bindur se edhe mbyllja brenda kornizës së identitetit kombëtar është e pamundur. Prandaj e kërkon “mesin e artë”. Sipas tij, përderisa tabori nacionalist dhe ksenofob është i lidhur me traditën e tij (dhe, si i tillë, është provincial), tabori kozmopolit është i lidhur me “Tjetrin” dhe i rijnë ngushtë veshjet kombëtare (dhe, si i tillë, kërkon hapësira të reja, rini dhe shpresë).

Teorinë e zhvillon edhe në raport me gjendjen mbizotëruese në Europën e sotme, e cila gjendet në udhëkryq – ndërmjet identitetit dhe alteritetit.

Në Europë dhe gjetkë, sipas autorit, ka shumë narcizëm kombëtar edhe pse kombet kanë gjëra të përbashkëta. Ky “narcizëm i dallimeve të vogla”, sipas Frojdit, vjen si rezultat i urrejtjes ndaj të ngjashmit. “E urrejmë dikë jo pse dallohet, por pse është i ngjashëm me ne”, shkruan Brucner-i.

KOZMOPOLITI DHE SNOBI. Brucner-i e dallon kozmopolitin nga snobi. Nuk është kozmopolit një vizitor metropolesh që mbledh shënime për nevojat personale. Ai është snobi që i provon ndryshimet klimatike, por nuk mëson asgjë për kulturat dhe qytetërimet tjera. Kozmopoliti i vërtetë është qenie e lirë, me kulturë, i cili nuk e rrezikon “Tjetrin”.

Qasja tolerante ndaj “Tjetrit” nuk është sektare, por gjithëpërfshirëse. Toleranca, sipas autorit, nuk bëhet gjithëpërfshirëse dhe nuk afirmohet nga profesori që shkon në seminare, ku përfiton përvoja të reja gjatë takimeve me kolegët ose për shkaqe erotike. Ai është pjesë e botës sektare, snobe dhe “pavarësisht nëse diskuton për semiotikën, letërsinë e krahasuar, filmin, modën ose fizikën bërthamore“, nuk e sheh realitetin e pjesës tjetër të botës.

Autori i referohet shkrimtarit V. S. Naipaul-it, kur flet për emigrantin. Naipaul shkruan se emigranti është i dënuar ta durojë mëshirën, refuzimin dhe ashpërsinë e administratës së huaj. Emigranti e ka ndjenjën se gjendet në territor të huaj, se është i huaj, se është i vetmuar. Këtë gjendje e sheh kozmopoliti, por nuk e sheh snobi, sepse është i fokusuar tek vetja.

KOZMOPOLITI DHE TRADITA KOMBËTARE. Për Brucner-in, njeriu nuk lind kozmopolit, por bëhet i tillë kur shpreh dashuri, tolerancë dhe respekt ndaj realitetit të huaj. Por, të jesh kozmopolit nuk do të thotë ta mohosh atdheun dhe rrënjët. Ta duash “Tjetrin” nuk do të thotë ta urresh ose ta mohosh vetveten.

Autori na thotë se kozmopoliti kalon nga njëri drejt qytetërimit tjetër. Ai del nga bota e tij e izoluar dhe e sheh të bukurën diku tjetër, në tjetër nënqiell. Arrin ta kuptojë se kulturat janë komplementare dhe vetëplotësohen. Njeriu bëhet kozmopolit pasi e njeh kulturën kombëtare, kurse të huajit i ofron mikpritje në vendin e tij.

“Ne nuk i zgjedhin rrënjët tona”, thotë Brucner-i. T’i njohësh klasikët e artit kombëtar, sipas tij, është kushti për t’i njohur traditat tjera.

Pra, Brucner-i, ndryshe nga shumë autorë, që e ngatërrojnë snobizmin me kozmopolitizmin, na thotë se nuk kemi pse turpërohemi nga rrënjët tona, as të frikësohemi nga vlerat e të tjerëve.

RASTI I ISH – JUGOSLLAVISË. Autori, në këtë studim, merret edhe me rastin e ish-Jugosllavisë, ku demonizimi i “Tjetrit” shkaktoi kasaphanë. Sipas Brucner-it, që e citon Preambulën e UNESCO-s, luftërat lindin në mendjet e njerëzve, prandaj në mendjet e tyre duhet të ngjallet mbrojtja e paqes.

“Luftën në Jugosllavi e nxitën njerëzit e penës, shkrimtarët: Dobrica Qosiqi – që ishte frymëzuesi kryesor i nacionalizmit serb, Milorad Paviqi, Vuk Drashkoviqi (i cili më vonë guxoi të bëhej opozitë e Millosheviqit) dhe veçanërisht poetët, në mesin e të cilëve më i njohuri është Radovan Karaxhiqi, krimineli i përbetuar i luftës”. (f. 18)

Pra, letërsia u vu në shërbim të pastrimit etnik, njëkohësisht u nxit urrejtja ndaj qytetit. “Urrejtja është primitivja kundër së bukurës”. Urrejtja ndaj qytetit është manifestuar nga ushtria serbe në Vukovar, Dubrovnik, Sarajevë dhe Kosovë ngjashëm si urrejtja e Kmerëve të Kuq.

KOZMOPOLITIZMI I IMPONUAR DHE I ZGJEDHUR. Brucner e dallon edhe kozmopolitizmin e imponuar dhe kozmopolitizmin e zgjedhur.

Kozmopolitizmi i imponuar është fals dhe cenim i lirisë së “Tjetrit”, kurse kozmopolitizmi i zgjedhur është pasuri.

Në Bashkimin Sovjetik ishte i detyrueshëm mësimi i rusishtes nga klasat e ulëta, por polakët, çekët, armenët dhe turkmenët nuk e pranuan si pasurim, por si cenim lirie. Ky ishte një “internacionalizëm i bazuar në miqësinë fiktive“. Si i tillë çon në konflikte të egra. Kjo ishte praktikë në ish – Jugosllavi, e cila udhëhiqej sipas parullës së “vëllazërim bashkimit” dhe në Maqedoninë e Veriut.

Këtij modeli, sipas autorit, mund t’i kundërvihemi vetëm me baraspeshë forcash dhe me hapje ndaj kulturave tjera.

“Përse Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Maqedonia e braktisën “Serbosllavinë”? Jo se u mbyllën në vetvete, por për të hyrë në bashkësi […] Çka bëri Europa? Popullsive pa interesa ekonomike dhe strategjike ua përplasi derën para hunde, me përbuzje. Sepse idolizimi i shumësisë, bashkimit, multinacionales është fasadë prapa së cilës fshehet realiteti i mjerë. Deri tani Europa perëndimore mbetet klub i të pasurve që punojnë më shumë për rendin se sa për të drejtën. Për tmerrin e këtyre popujve, kaherë të emancipuar, ajo i kthen, po këta popuj, në krahët e Moskës ose Serbisë, duke ua imponuar përbuzjen vetëm e vetëm që të ruhet paqja”. (f. 51 – 52)

Ky konstatim duket aktual dhe e ilustron raportin e Europës me pjesën e saj të quajtur Ballkan.

EUROPA IDEALE. Një Europë ideale, sipas autorit, duhet të shpreh dashuri për shumësinë dhe identitetet lokale, njëherësh t’i kundërvihet tribalizmit dhe imperializmit klasik.

Shteteve të vogla kombëtare nuk duhet t’u imponohet multikulturalizmi si model i huaj. Europa duhet të jetë hapësirë bashkëjetese e modeleve, me kushtin që të respektohen rregullat konstitucionale dhe pluraliste. Ajo duhet ta krijojë një model të ri – që i respekton kulturat e pakicave brenda një federatë ose bashkësie dhe të formohet stil i ri bashkëjetese – ku  kulturat pasurohen nëpërmjet bashkëpërkimeve.

Brucner-i e argumenton, gjithashtu, se nuk mund të ketë identitete të pastra kombëtare. “Sot e kemi humbur virgjërinë kombëtare“, shkruan ai. Sipas tij, çdo identitet është mobil, i ndryshueshëm, relativ, i papastër dhe asnjë traditë nuk e shpreh të vërtetën e vetme. Njëherësh, e kritikon “identitetin megaloman“, i cili njërin identitet e projekton si superior kundrejt identiteteve tjera. Kjo është e papranueshme për autorin, sepse njeriu nuk mund të jetë qytetar i botës pa qenë qytetar i shtetit të tij, që ia mbron të drejtat dhe ia përcakton detyrimet. Deri te universalja dhe mbikombëtarja arrihet nëpërmjet kombit. Këtë ende nuk e ka arritur as Europa. Në Angli ka frankofobi dhe në Francë ka gjermanofobi.  “Europianët e lodhur nga ndarjet më nuk urrehen, por ende nuk duhen“.

Autori sugjeron që afrimi ndërmjet kombeve të bëhet nëpërmjet njohjes së gjuhëve dhe udhëtimit – si mundësi për shuarjen e mosdurimeve kombëtare. Megjithatë, nuk është i bindur se mosdurimet mund të shuhen përgjithmonë. Prandaj, sugjeron të theksohet vlerat europiane që i përjashtojnë luftërat dhe ofrojnë paqe e siguri.

BRUCNER-I I (PA) PRANUAR. Brucner-i është vlerësuar dhe sulmuar në hapësirat e Jugosllavisë së dikurshme. Është vlerësuar në shtetet e reja të pavarura, por jo në Serbi. Elitat serbe nuk ia falin pse e përkrahu bombardimin e NATO-s dhe ishte kundër Serbosllavisë.

Qasja e Brucner-it është aktuale. Veçanërisht kur elitat e ndryshme politike e kulturore duan ta imponojnë një “identitet megaloman” apo një model multikulturor që është shpallur i dështuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button