Ahmeti do të bashkëpunojë me Zhernovskin për ta çuar Maqedoninë në NATO dhe BE
Ali Ahmeti dhe Andrej Zhernovski, njëri lider i partisë shqiptare në pushtet, BDI dhe tjetri lideri i partisë maqedonase opozitare, Partisë Liberal Demokrate janë dakorduar sot se do ta vazhdojnë bashkëpunimin për të realizuar synimet e përbashkëta.
Synimet e pozitës dhe opozitës të ndara në linja etnike janë të kemi një Maqedoni me harmoni qytetare, të zhvilluar ekonomikisht dhe të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kështu thuhet në kumtesën e kabinetit të Ahmetit, pasi që ky i fundit është takuar me Zhernovskin sot në Tetovë.
“Ahmeti dhe Zhernovski konstatuan marrëdhënie të mira në mes të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë Liberalo-Demokratike si dhe u shprehën të gatshëm për të vijuar bashkëpunimin e ndërsjellë mbi prioritetet e vendit tonë. Bashkëbiseduesit u dakorduan që prioritet i vendit tonë është integrimi i vendit në NATO dhe fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian, marrëdhëniet të shëndosha ndëretnike, zbatim i Marrëveshjes së Ohrit, fqinjësi e mirë si dhe zhvillim ekonomik i vendit” kumtojnë nga kabineti i Ahmetit.
Ahmeti gjithashtu i ka treguar Zhernovskit për lobimin e tij për zgjidhjen e çështjen e emrit në SHBA dhe Gjermani.
Ahmeti edhe ambasadorit grek i kërkoi të zgjidhet kontesti i emrit
Palët duhet me kurajo të zhvillojnë dialogun mbi propozimin e fundit të ndërmjetësit Nimetz dhe të arrijnë kompromis të kënaqshëm për të gjithë, por ky dialog njëkohësisht duhet të ndihmohet fuqimisht nga komuniteti ndërkombëtar. Janë këto fjalët e Ahmetit drejtuar ambasadorit të Greqisë në Shkup, z. Haris Lalakos sot në një takim me të.
“Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron që mbyllja e kontestit me fqiun tonë jugor do të sjellë paqe të qëndrueshme, stabilitet, siguri, marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, por edhe zhvillim ekonomik” i ka thënë Ahmeti ambasadorit grek duke e njoftuar njëkohësisht për vizitat e tij të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermani për, si që thonë nga kabineti i tij, bërë përpjekje për ta zgjidhur çështjen e emrit.
Ndërkohë, vazhdon dhe përfundimi i ndërtimeve të projektit që ka antikuizuar Shkupin, duke i falur një identitet krejtësisht tjetër këtij kryeqyteti, duke mos pasur asnjë element multietnik në të.