Shekerinska: I përmbushëm kushtet për integrim të plotë ushtarak në NATO

“Me konferencën finale integruese ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe NATO-s, ‘test-periudha’ jonë në NATO ka përfunduar. I plotësuam kushtet për integrim ushtarak dhe u bëmë anëtare e barabartë në të gjitha pjesët ushtarake të Aleancës”, tha ministrja e Mbrojtjes Radmila Shekerinska në Konferencën e sotme të Integrimit final me të cilin u kompletua procesi i integrimit ushtarak të Maqedonisë së Veriut në NATO, filluar para një viti e gjysmë kur edhe u dërgua ftesa për anëtarësim, transmeton Portalb.mk.

Duke përgëzuar ekipin e ushtrisë dhe strukturës së mbrojtjes që me kolegët e NATO-s i realizuan të gjitha 193 detyrat e planit integrues, ministrja tha se integrimi i suksesshëm tregoi se Maqedonia e Veriut është një anëtare e besueshme e Aleancës që i qëndron fjalës dhe ka aftësi për të bërë atë për të cilën është angazhuar.

“Kjo u bë e mundur vetëm falë aktivitetit të madh, energjisë së madhe, përpjekjeve dhe rezultateve të njerëzve në ushtrinë tonë, por edhe në strukturën tonë të mbrojtjes, të cilët së bashku me kolegët e NATO-s realizuan tekstualisht pikë për pikë të gjitha 193 detyrat që ishin pjesë e planit tonë të integrimit”, tha ministrja. Ajo shtoi se ky është një proces për të cilin shumë menduan se do të zgjaste shumë, por se edhe në kushtet e një pandemie kemi treguar se si vend i marrim përgjegjësitë tona seriozisht dhe me përgjegjësi.

Zëvendës shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Azim Nuredin, theksoi se gjatë kësaj periudhe dyvjeçare e gjysmë, grupi i punës për integrim realizoi disa Konferenca dhe takime dhe dinamika e paraparë në fillim nuk u ndal, megjithëse pandemia globale ishte sfidë gjatë gjithë procesit.

Koloneli Francesco Pacillo nga NATO, kryetar i grupit punues për integrim, përgëzoi integrimin e plotë ushtarak të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe tha se të gjithë anëtarët e grupit punues janë jashtëzakonisht të përkushtuar dhe kanë dhënë një kontribut të fuqishëm në këtë qëllim të rëndësishëm.

Nesër, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Vasko Gjurçinovski dhe komandanti i Komandës së Aleancës për Transformim, gjenerali Philip Lavigne, do të nënshkruajnë Deklaratën e Përbashkët me të cilën Maqedonia e Veriut zyrtarisht do të jetë e integruar plotësisht ushtarakisht në Aleancën e NATO-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button