COP26: Lavdërime dhe kritika për deklaratën përfundimtare

Më në fund në Glasgow u arrit të formulohej një tekst përfundimtar në të cilin për herë të parë, konferenca e OKB-së për klimën u bën thirrje vendeve të botës që të fillojnë me heqjen dorë prej qymyrit. “Pakti i Glasgout për Klimën”, i cili tani është miratuar nga rreth 200 vende, kërkon gjithashtu heqjen e subvencioneve “joefikase” për naftën, gazin dhe qymyrin, transmeton DW.

Po ashtu në fund të Konferencës Botërore të Klimës të gjithë pjesëmarrësit e COP26 ranë dakord të marrin masa për të ndaluar ngrohjen globale në nivelin 1.5 gradë në krahasim me periudhën para-industriale.

Gjithashtu u premtua më shumë mbështetje financiare për vendet më pak të pasura, në mënyrë që ato të mund të përshtaten me pasojat fatale të krizës klimatike në shumë vende. Dhjetëra miliona vetë përballen tashmë me thatësira dhe valë të nxehti më të shpeshta dhe të zgjatura ose me stuhi dhe përmbytje më të dhunshme. Konkretisht kjo ndihmë financiare do të dyfishohet deri në vitin 2025, nga rreth 20 miliardë dollarë aktualisht, në 40 miliardë dollarë në vit.

Po ashtu për herë të parë u pranua kërkesa e kahershme e vendeve të varfra për të ngritur një fond për të kompensuar dëmet prej shkatërrimeve ose humbjet për shkak të zhvendosjeve të detyruara për shkak të thatësirave, ​​stuhive ose uraganeve. Kërkohet që në këtë fond të paguajnë para të gjitha shtetet, edhe pse për këtë nuk jepen shuma konkrete.

Historike apo vetëm llafe?

Megjithëse thirrja për të hequr dorë përfundimisht nga qymyri  u dobësua përsëri nën presionin e Kinës dhe Indisë, ministrja gjermane e Mjedisit, Svenja Schulze e vlerësoi marrëveshjen si “historike”.

Me këtë përshpejtim të tranzicionit të energjisë në mbarë botën shfaqet një “model i ri ekonomik”, tha Schulze. Si rezultat, COP26 sjell një “përshpejtim të rëndësishëm për mbrojtjen e klimës”.

Kryeministri britanik Boris Johnson, i përshëndeti vendimet si një hap i madh përpara, por theksoi se ka ende shumë punë për të bërë. “Shpresoj se do të shikojmë prapa në COP26 në Glasgow si fillimi i fundit të ndryshimeve klimatike.”

Kurse Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, u shpreh i zhgënjyer me rezultatin. “Është një hap i rëndësishëm, por nuk mjafton. Është koha për të kaluar në gjendje emergjence”, tha Guterres. Konferenca e OKB-së për klimën në Glasgow nuk e shmangi rrezikun e një krize globale klimatike. Progresi i bërë në vendimet e Glasgowt ishte “i pamjaftueshëm” dhe plot “kontradikta”. Katastrofa klimatike është ende afër, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së: “Planeti ynë i brishtë është i varur në një fije peri”.

Samiti i ardhshëm, COP27, do të zhvillohet në Egjipt në nëntor 2022.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button