Nga viti i ardhshëm me një leje pune për në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Shqipëri
Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria nga viti i ardhshëm mund të llogarisin në një leje pune dhe një sistem të vetëm informativ. Kryetar i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh në takimin e sotëm të nismës “Ballkani i Hapur” tha se kjo iniciativë është kyçe për mbijetesën e ekonomisë dhe vendeve të punës në rajon dhe bëri të ditur se Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria mund të llogarisin në një leje pune dhe një sistem të përbashkët informacioni nga viti i ardhshëm, transmeton Portalb.mk.
“Kemi probleme me fuqinë punëtore. Tregu i punës po bëhet vërtetë problematik. Ne duhet të gjejmë mënyra për të zgjeruar biznesin, për të bërë marrëveshje të reja, duhet të kemi një hapësirë ku do t’i realizojmë ato biznese dhe njerëzit me të cilët do t’i realizojmë”, tha Çadezh.
Ai theksoi se ideja e “Ballkanit të Hapur” është që të bëjmë bashkëpunim mes vendeve të rajonit dhe ta trajtojmë njëri-tjetrin sikur jetojmë në një ekonomi.
“Kemi transport që po bëhet më i shtrenjtë. Nga fillimi i nismës e deri më sot, koha e udhëtimit brenda ‘Ballkanit të Hapur’ është shkurtuar. Midis këtyre tre vendeve është shkurtuar me një ditë të tërë udhëtimi i kamionëve që largohen nga Shqipëria për të mbërritur në Serbi. Kjo me të vërtetë kursen paratë e kompanive”, tha Çadezh
Ai theksoi se nga viti i ardhshëm mund të llogaritet në një leje të vetme pune dhe një sistem të vetëm informacioni për qytetarët e “Ballkanit të Hapur”.
Ai thotë se me nismën “Ballkani i Hapur” ka një bazë shumë të mirë për investime të reja, sepse investitorët e huaj nuk shohin vetëm një vend, por një rajon që ose ka ose nuk ka kushte të mira.
Në takimin e sotëm me temë “Ballkani i Hapur” ishte paraparë të merrte pjesë edhe kryeministri Zoran Zaev, por pas anulimit të udhëtimit, Qeveria njoftoi se në takimin në Beograd do të marrë pjesë zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov.
LEXO: Dimitrov në “Open Balkan”, fokusi është transformimi digjital për integrim rajonal