RMV, prej sot fillon paraqitja për vaksinim kundër gripit sezonal

Ministria e Shëndetësisë këtë vit prokuroi 40.000 doza të vaksinave të katër llojeve kundër gripit sezonal për grupet e rrezikut, transmeton Portalb.mk.

Grupet e rrezikut që duhet të vaksinohen janë:

– Të moshuar (mbi 65 vjeç)
– Personat me sëmundje kronike
– Punonjësit e shëndetësisë
– Gratë shtatzëna
– Fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç

Për të tretin vit radhazi, vaksina për këto grupe qytetarësh është falas.

Për shkak të kërkesës në rritje për vaksinat e gripit në nivel global, po bëhen përpjekje për të marrë dërgesat e vaksinave sa më shpejt të jetë e mundur.

“Theksojmë se nuk është vonë që qytetarët të vaksinohen kundër gripit në nëntor apo dhjetor, pasi sipas të dhënave epidemiologjike, kjo sëmundje në dhjetë sezonët e fundit kulmin e saj e arrin në fund të muajit shkurt. Paraqitja për vaksinim kundër gripit sezonal do të fillojë sot përmes ueb-faqes vakcinacija.mk”, thesojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Me plotësimin e formularit, regjistroheni për vaksinim direkt në sistemin Termi im.

“Sipas orarit të parashikuar në planin e vaksinimit, do të merrni informacionin me SMS për datën dhe orën e saktë se kur duhet të vaksinoheni në pikën që e zgjidhni gjatë regjistrimit”, shpjegojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Vaksinimi i gripit nuk mbron nga kovid 19, por i njëjti është shumë domethënës në kushtet e një pandemie kovid 19 dhe ndikimin në sistemin shëndetësor.

“Në një gjendje lehtësimi të masave kufizuese kur rikthehen kontaktet sociale dhe udhëtimet, rritet rreziku i qarkullimit të kovid 19 dhe gripit. Kështu, mund të presim që ngarkesa e gripit sezonal të plotësohet nga ngarkesa e kovid 19. Grupet e rrezikut për gripin janë ato që janë në rrezik më të lartë nga kovid 19, prandaj rekomandohet vaksinimi ndaj gripit. Kjo do të shmangë ngarkesën shtesë në sistemin shëndetësor, pasi personat me grip do të hospitalizoheshin në qendrat e kovid”, thonë nga MSh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button