Pas disa lajmeve të Portalb, ARS-ja e lëshoi në përdorim ueb-faqen e përkohshme në shqip

Pas disa lajmeve të Portalb.mk në lidhje me përkthimin në gjuhën shqipe të ueb-faqes të Agjencisë për Rini dhe Sport (ARS), nga kjo e fundit konfirmuan se punët janë drejtë fundit dhe garantuan se e njëjta pritet të lëshohet në përdorim brenda dy-tre javëve, ndërkaq mbrëmë zëvendës-drejtori Avni Rustemi njoftoi se për momentin është vënë në funksion versioni i përkohshëm i ueb-faqes në gjuhën shqipe, shkruan Portalb.mk.

Ueb-faqja e re e Agjencisë për Rini dhe Sport e cila do të jetë në tre gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht është donacion nga OSBE-ja, dhe ky donacion arriti gjatë muajit gusht. Sipas Agjencisë, atë kohë numërimi mbrapsht kishte filluar dhe në mes të shtatorit ueb faqja pritej të ishte gati, por nuk u bë. Këtë herë nga Agjencia dhanë afat të ri, ueb-faqja pritet të lëshohet në përdorim brenda dy-tre javë.

Nga ana tjetër, mbrëmë, zëvendës-drejtori i kësaj Agjencie, Avni Rustemi njoftoi se në përdorim është lëshuar ueb-faqja e Agjencisë në gjuhën shqipe e cila do të shërbejë përkohësisht për opinionin publik.

“Në kuadër të këtij bashkëpunimi, OSBE gjithashtu realizon ueb-faqen e re të Agjencisë për rini dhe sport e cila krahas gjuhës maqedonase, do të jetë edhe në gjuhën shqipe dhe angleze. Në përpunim e sipër është edhe versioni i ri i ueb-faqes, ku po e njëjta do të vendoset në përdorim së shpejti, pas një koordinimi të përbashkët me partnerët tanë.” tha Avni Rustemi.

Kjo është lidhja për në ueb-faqen e përkohshme në shqip të Agjencisë për Rini dhe Sport: http://ams.gov.mk/sq/

Nga Agjencia për Rini dhe Sport thanë se i kanë përfunduar të gjitha punët finale që i kanë me OSBE-në për versionin e ri të ueb-faqes që do të jetë në tre gjuhë, pasi kjo është donacion i OSBE-së.

“Po ju tregojmë nga këndvështrimi jonë se deri ku dhe si është, ne kemi dy persona që kanë kryer trajnim për faqen, domeni është i lidhur, përkthimet janë gati nëntëdhjetë për qind, domethënë të gjitha dokumentet standarde që i kemi, Ligji për sportin, rregulloret dhe gjëra të tjera. Kemi edhe person te ne që do t’i përkthejë nga maqedonishtja, shqipja dhe anglishtja.” thanë nga Agjencia për Rini dhe Sport.

Nga Agjencia shtuan se sot do të kenë një tjetër takim dhe shpresojnë që në dy-tre javët e ardhshme ueb-faqja e re që do të jetë në tre gjuhë të lëshohet në funksionim.

“Nuk është problemi që nuk është futur ende në funksionim ueb-faqja e re, problemi është se faqja e aktuale është shumë e vjetër, rreth 12-13 vjeçe. Ne insistojmë gjatë gjithë kohës që ta rregullojmë, nuk bëhet fjalë që nuk kemi vullnet për ta rregulluar, por ajo kalon përmes OSBE-së, është donacion. Ne jemi vetëm që kërkojmë se si duhet të jetë me funksionale, disa detaje që ishin tani po zgjidhen dhe për dy tre javë do të lëshohet në përdorim, këtë ua garantojmë.” thanë nga Agjencia për Rini dhe Sport.

Nga Misioni i OSBE-së në Shkup për Portalb.mk thanë se e mbështesin Agjencinë për Rini dhe Sport në zhvillimin e uebfaqes së re në gjuhën shqipe, angleze dhe maqedonase.

“Deri më tani, Misioni ka ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme sipas marrëveshjes me Agjencinë. I gjithë procesi është në fazën finale dhe shpresojmë se faqja e internetit do të jetë plotësisht funksionale së shpejti.” thanë nga Misioni i OSBE-së në Shkup.

Ndryshe, edhe pse kanë kaluar dy vite nga hyrja në fuqi e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, zbatimi i të njëjtit është shumë i zbehtë në praktikë. Neni 23 i këtij Ligji thotë se “Në afat prej një viti nga dita e hyrjes në fuqi e këtij ligji, të gjitha institucionet kompetente obligohen që t’i miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e këtij Ligji”. Megjithatë, lëshime në zbatimin e këtij Ligji vërehen institucionet, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button