Seanca ndaj Thaçit e të tjerëve: Përplasje e ashpër për “zvarritjet e pafundme”

Përfaqësuesit ligjorë të ish-krerëve të UÇK-së janë përplasur me Prokurorinë e Gjykatën në seancën paragjyqësore të së premtes. Ata kanë kërkuar që Prokuroria të lëvizë me hapa më të shpejtë, për shkak që ka një vit që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po mbahen në paraburgim. Në anën tjetër, ZPS-ja nuk ka qenë në gjendje të flasë për datën se kur mund të nisë gjykimi në këtë rast, por ka paralajmëruar se në mesin e dëshmitarëve kundër katër të akuzuarve do të këtë edhe ndërkombëtarë.

Përplasje e ashpër është zhvilluar në seancën paragjyqësore në Hagë, në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Kundërshtime të forta jo vetëm ndaj Prokurorisë, por edhe gjykatësit paraprak, ka pasur avokati Ben Emmerson, që përfaqëson Veselin, raporton Koha.net.

”Prokuroria ka gënjyer. Prokuroria u bindi juve që këta burra që janë në ndalim duhet të mbeten të tillë dhe deri në fund të vitit do të kishte zhvillime dhe do të ishin gati për nisjen e gjykimit. Kjo nuk është e vetmja gënjeshtër. Ju na akuzoni se po ju çorientojmë. Do t’iu jap edhe një tjetër shembull të qasjes së Prokurorisë. I nderuar gjykatës, ka një vit që këta burra janë në burg dhe jam i bindur që Prokuroria do të vazhdojë që të tentojë t’iu bindë juve që kjo të vazhdojë. Me gjithë respektin, ju dëgjoni me ëndje dhe nuk kërkoni asnjë shpjegim lidhur me atë që premton ZPS-ja. Gjykata po jep pamjen shumë të keqe, sa u takon individëve që janë të ndaluar”, ka deklaruar Emmerson.

E gjyqtari Nicolas Giju e luti avokatin që të futej në temë, gjë që e bëri sërish atë të reagojë ashpër.

“Ju lutem, futuni drejt e në temë..”, ka deklaruar Giju.

“Askush nuk u habit. Prokuroria nuk ka gjetur asnjë provë që të mbështesë akuzat e saja. Themelet për ngritjen e këtij tribunali kanë qenë të mbështetura në gënjeshtra”, ka qenë kundërpërgjigja e Emmersonit, e Giju ia ka tërhequr vërejtjen që të jetë i sjellshëm në gjykatë.

“Nuk besoj pse mendoni që kjo është e pasjellshme. Padurimi juaj po drejtohet gabimisht. Po flasim për të vërtetën që ka ndodhur. Ajo që është e qartë kur lexon materialet është se Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale është UÇK, dhe ekzistenca e atij grupi. Pse ka rëndësi? Sepse së fundmi kur u hap gjyqi i Mustafës, ZPS-ja tha “nuk bën akuza kundër UÇK-së apo pavarësisë së Kosovës”. Megjithatë, me këtë po përballemi këtu. Nuk ka se si t’i lexosh provat përveçse të themi se ajo që Prokuroria po orvatet të bëjë është se UÇK-ja ka qenë një ndërmarrje kriminale”, ka qenë replika tjetër e Emmersonit.

Të dëshpëruar me sjelljen e Prokurorisë dhe gjykatës janë shprehur edhe avokatët që e përfaqësojnë Hashim Thaçin e Rexhep Selimin.

Avokati Gregory Keohe, që e përfaqëson ish-presidentin Hashim Thaçi, ka thënë se është i shokuar, me mënyrën se si po trajtohet kjo lëndë.

“Është shokuese për mua pozicioni i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Jam i sigurt që edhe ju zoti gjykatës jeni mërzitur nga kjo. Klientët tanë janë burgosur që nga viti i kaluar. Kolegu avokat sapo tha që afati fillestar ishte maji. E kuptoj zoti gjykatës që e keni shtyrë. Çfarë ka ndodhur?”, është shprehur ai.

Po ashtu, avokati tha se kanë 137 dëshmitarë në listat e tyre dhe 122 dëshmitarë që s’ka identifikim dhe se, sipas tij, kjo duket sikur flet me murin sepse asgjë s’është e kuptueshme.

E qëndrim të përafërt ka pasur edhe avokati i Rexhep Selimit, Jeffrey Roberts.

“I nderuar gjykatës unë vetë nuk jam vrapues, por nga ana tjetër e shoh që sa më shumë të lëvizim ne aq më shumë na largohet pika e arritjes. Nga ana ime, pa u futur në detaje dhe në hollësi për materialet mund të them që nuk kemi bërë asnjë lloj progresi. Jemi tërësisht në të njëjtën situatë dhe na u kërkua sërish që afati kohor të shtyhet deri më 31 janar të vitit të ardhshëm”, ka deklaruar ai.

Prokurorja që e përfaqëson ZPS-në në këtë rast ka paralajmëruar që në mesin e dëshmitarëve do të jenë edhe tre ndërkombëtarë.

“Kemi marrë pëlqimin lidhur me deklaratën e tre dëshmitarëve ndërkombëtarë, ndërkohë kemi dokumente në përjashtim të një dokumenti që do ta shtjellojë pak më vonë. Materialet e tjera që lidhen me dëshmitarët që kanë qenë objekt i kërkesave për ndryshim ose i palëve të treta janë marrë dhe janë nxjerrë gjithashtu”, ka deklaruar Claire Lawson nga ZPS-ja. Kjo seancë ka vazhduar për disa orë, ndërsa ende nuk ka datë as të përafërt se kur mund të fillojë procesi i rregullt gjyqësor.

Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi janë arrestuar vitin e kaluar, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për dyshimet për krime lufte.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button