Samiti Rinor për ndryshime klimatike do të mbahet në QKR më 20 tetor

Të rinjtë do të kenë mundësi reale për të kontribuar në negociatat ndërkombëtare për ndryshimet klimatike në Samitin Rinor për ndryshimet klimatike. Samiti që do të mbahet në Shkup është caktuar për 20 tetor në Qendrën Kulturore Rinore (QKR), shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Të rinjtë e moshës 15 deri në 24 vjeç do të kenë mundësi të përfshihen në dialog me vendimmarrësit dhe bashkësinë ndërkombëtare, të shkëmbejnë mendime dhe të shprehin pikëpamjet e tyre mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Ata gjithashtu do të jenë në gjendje të lidhen me bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë vendin të cilët janë të përkushtuar për mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.

Nëpërmjet samitit në Shkup, të rinjtë e vendit tonë do të kontribuojnë në ndërtimin e qëndrimeve të të rinjve, që do të derdhen në një dokument të quajtur “Deklarata rinore për ndryshimet klimatike”, që do të ndahet me udhëheqësit dhe politik-bërësit në nivel kombëtar dhe global.

Qëndrimet në “Deklaratën rinore për ndryshime klimatike” do t’i përcillen Konferencës së Kombeve të Bashkuara për ndryshime klimatike (COP26) nga 1 deri më 12 nëntor, nëpërmjet Konferencës rinore të OKB-së për klimën (COY16) që do të mbahet nga 28-30 tetor në Glasgow, Mbretëri e Bashkuar.

Ndërtimi i qëndrimeve të Samitit të Shkupit do të ndërlidhet në qëndrimet e të rinjve që dalin nga ngjarja “Youth4Climate: Driving Ambition”, që u mbajt në Milano, Itali.

Samiti Rinor për ndryshime klimatike, të cilin do ta hapë Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, do të transmetohet drejtpërdrejt në Facebook.

Moderator i Samitit do të jetë gazetari dhe aktivisti Ognen Janeski. Do të marrin pjesë edhe numër i madh i ambasadorëve dhe ministrave.

Në panel sesionin me titull “Veprimi klimatik dhe roli i të rinjve”, do të drejtohe Andrea Silvestri, ambasador i Italisë, Christine Forsgren Bengtsson, ambasadore e Suedisë, Naser Nuredini, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë dhe Petar Barlakovski, përfaqësues i të rinjve në OKB.

Një përmbledhje e shkurtër e përfundimeve kryesore nga ngjarja “Drejtuesit e rinj të ambicies” nga Milano, Itali do të japin Naser Veliu dhe Angela Buseska, përfaqësues të të rinjve nga vendi në Milano, Itali.

Në panel sesionin e dytë i “Zëri i të rinjve për ndryshimet klimatike” do të trajtohet nga Patricia DiGovanni, Përfaqësuese e Zyrës së UNICEF, E.S. Rejçëll Gallouej, ambasadore e Mbretërisë së Bashkuar, Mila Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës, Naumçe Mojsovski, drejtor i Agjencisë për Rini dhe Sport. Sesionin do e moderojnë Petar Barlakovski, përfaqësues i të rinjve në OKB dhe Angela Busheska, përfaqësuese e rinisë në MK në Milano, Itali.

Samiti rinor për ndryshimet klimatike, është nismë që drejtohet nga të rinjtë e mbështetur nga UNICEF dhe që financohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillimin Ndërkombëtar (SIDA), ndërsa  e organizuar në partneritet me Ambasadën Italiane si një nga nikoqirët e Samitit të OKB-së për klimën në Milano, dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, si vendi nikoqir i Konferencës së OKB -së për ndryshime klimatike, në Glasgow.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button