Partitë politike në Maqedoninë e Veriut e shfrytëzuan edhe ditën e fundit të fushatës për të shpalosur premtimet
Në Maqedoninë e Veriut sot u zhvilluar dita e fundit e fushatës zgjedhore për xhiron e parë për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 17 tetor, ku për herë të parë u theksuan koalicionet parazgjedhore të pozitës dhe opozitës, pavarësisht etnisë, transmeton Portalb.mk.
LSDM-ja me kandidatin e Shkupit, Petre Shilegov, premtoi ndërtimin e bulevardit Hasan Prishtina, rrethrrotullimet e reja te Nova Makedonija dhe bulevardi Koço Racin, Anton Panov dhe Bihaçka. Ai premtoi që do të ketë edhe dy ura të reja, në rrugën Lubjana dhe ASNOM, duke theksuar edhe kyçjen në Momin Potok dhe bulevardin Sllovenia.
VMRO-DPMNE në Shtip ka premtuar asfaltimin e të gjithë rrugëve në këtë qytet, ndërsa kandidati për kryetar në këtë komunë, Ivan Jordanov ka premtuar që deri në vitin 2024 do të digjitalizohet krejt komuna, ashtu që gjithë dokumentet do të mund të kërkohen në këtë formë. Ai premtoi edhe thellim të bashkëpunimin me Universitetin Goce Dellçev, ndërsa premtoi edhe restaurimin dhe ruajtjen e shtëpive të vjetra, kurse për arsimtarët dhe nxënësit premtoi tablet dhe kompjuter falas.
BDI-ja në Gostivar përmes kandidatit për kryetar, Nevzat Bejta, u zotua për realizimin e disa projekteve në 100 ditët e para të qeverisjes së tij në Gostivar: pastrimi i të gjitha deponive të egra, zgjedhja e problemit me qentë endacak, krijimi i një platforme online në kuadër të ëeb Faqes së Komunës për komunikim 24/7 me qytetarin; digjitalizim i shërbimeve komunale dhe paraqitja e kërkesave të qytetarëve në kohë reale online; zvogëlim të taksave komunale në zonat industriale për 50% dhe lehtësime të tjera; duke ofruar gjithsej 24 premtime.
Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ka premtuar se në rast se kandidati i tyre për Tetovën, Vullnet Murseli, do të bëhet kryetar, do të ndërtohet park i qytetit te kazerma, kopsht për fëmijë, hapësirë për akademi sportive për klubet e futbollit si Shkëndija, Renova e Teteksi, zonë e tifozëve me zyra dhe hapësira shoqëruese.
Lëvizja Besa me kandidatin për kryetar të Tetovës, premtoi për Tetovën transparencë në funksionimin e komunës, kujdes për bukuritë e malit Sharr, premtoi zgjidhje për furnizimin me ujë, zgjidhje për pastërtinë e qytetit, për ndërtimet pa leje, për bulevardet, për parkingjet, për administratën.
Kandidatja e pavarur për kryetare të Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, paralajmëroi ndërtimin e bulevardit Kroacia për lidhjen e Butelit dhe Autokomandës, përmes bulevardit Sllovenia paralajmëroi një qarkore të brendshme të qytetit, transport publik falas për gjithë shkupjanët për të zvogëluar numrin e veturave në qytet.
Kandidati i pavarur për kryetar në Kërçove, Fatmir Limani, ka premtuar furnizim të shkollave me literature profesionale, me lektura shkollore, mjete mësimore dhe teknologji bashkëkohore. Ai gjithashtu premtoi themelimin e kompanive reale dhe virtuale në shkollat e mesme profesionale.