Renata: Pacientët onkologjik duhet të kenë përparësi në mjekim dhe në ilaçe, mos të presin gjatë për një incizim

Një nga sëmundjet me të cilën përballen rreth 1,200 gra në vit në Maqedoninë e Veriut është kanceri i gjirit. Muaji tetor në botë njihet si muaji për ndërgjegjësimin dhe informimin me qëllim të parandalimit të kësaj sëmundje vdekjeprurëse në raste të caktuara, shkruan Portalb.mk.

Portalb.mk bisedoi me Renata B. A. e cila së fudnmi u diagnostifikua me kancer të gjirit, e cila pas operacionit ende është në fazën ku merr kimioterapi , ajo tregoi historinë e saj hapur për të ngirtur vetëdijen për këtë sëmundje këtu te ne.

A mund të na tregoni historinë tuaj,  si u diagnostifikuat me kancer të gjrit?

“Jam një person që rregullisht bëj kontrolle shëndetësore, edhe ato të gjirit i kam bërë gjithnjë po ashtu! Kontrolli im i fundit ishte ne dhjetor 2020 dhe atëherë kisha vetëm disa ciste të vogla asgjë më tepër apo diçka për t’u shqetësuar. Një dhimbje e lehtë në pjesën e sipërme të krahut dhe një therje e vogël në gjirin e majtë, që shfaqej rrallë dhe ndalej menjëherë – ishin shenjat e para që u shfaqën. Megjithatë e ndjeja që nuk isha mirë, ashtu që vendosa të shkoj për një vizitë te mjeku. Pasi përfundoi ehon, mjekja më propozoi të bëjmë edhe një mamografi aty për aty, sepse ajo çka shihte tek ehoja sikur nuk i pëlqente dhe deshi të sigurohej mirë cfarë është në fakt. Pranova! Pasi përfunduam më tha hajde pas një ore për rezultatin, por të lutem të mos vish vetë. Kuptova se diçka nuk ishte mirë dhe ashtu veprova, shkuam me bashkëshortin të marrim rezultatet dhe mjekja na kumtoi atë çka kishte parë në incizimet. Një kancer në gjirin e majtë, që duhej patjetër të konsultoheshim me kirurgun edhe atë sa më parë.

1 korriku 2021 ishte dita kur u diagnostifikova me këtë sëmundje të keqe, të trishtë për mua dhe shumë të heshtur, pyesja veten si mundet, nuk mund ta besoja, më dukej si ëndërr. Ndjeva dhimbje në të dy këmbët sa mu prenë dhe s’mund të vazhdoja të eci më tutje. Menjëherë kujtova fëmijët e mi dhe ca lotë rrodhën faqeve ashtu vetvetiu. U ndala dhe kujtova që e tërë kjo është një sprovë për mua e sjellë nga Zoti dhe s’kam çka bëj tjetër përveçse të lutem dhe të vazhdoj rrugëtimin nëpër të cilin tani më kisha hyrë, u mundova thjesht të mbledh veten. E kuptova që hyra në një rrugë qorre pa fund. Por, kam përkrahjen e pamasë të familjes sime, posaçërisht të bashkëshortit, i cili më shoqëron në çdo hap dhe thuajse bashkë luftojmë në këtë rrugë dhe shpresojmë të dalim fitimtarë.

Pasi u konsultuam me disa mjekë për të marrë mendim, më 5 gusht vijoi ndërhyrja kirurgjike, një mastektomi e gjirit të majtë dhe disa gjëndrave limfatike, sepse kanceri i mallkuar në heshtje i kishte kapluar edhe ato. Çdo gjë kaloi mirë edhe pse isha shumë e lodhur, shumë e mërzitur dhe e pashpresë.

Foto nga Anna Shvets / PexelsNuk desha të dorëzohem, nuk desha të më shihnin njerëzit si një grua për të cilën ju vjen keq nga kjo, çdokujt mund t’i ndodhë, sot apo nesër nuk i dihet, megjithëse askujt nuk ia dëshiroj as më të voglën e gjithë kësaj.

Pas dy jave të ndërhyrjes kirurgjike, mjeku onkolog propozoi që të fillojmë menjëherë me kimioterapitë dhe të mos humbim kohë aspak, për shkak se ai i mallkuari ishte në shkallën e tretë. Pranova kimioterapinë e parë, normal imuniteti bie dhe pas dy javësh rezultova pozitive ndaj virusit Kovid 19, gjë të cilën e përballova shumë vështirë.

Në këtë kohë tani që po flas jam në rrugëtimin tim akoma, po vazhdoj me kimioterapitë dhe mundohem të qëndroj e fortë, ta luftoj këtë sëmundje tinëzake.

Sa ka qenë e vështirë përballja me këtë sëmundje?

“Shumë, tepër! Gjatë kohës deri sa arritëm në përfundim të ndërhyrjes se ku ta kryejmë atë, gjithë kohës e dija që e kisha me vete të mallkuarin, që gjendet në mua, në trupin tim dhe mllefosesha shumë me këtë gjë! “

Si e keni tejkaluar këtë sëmundje? Çfarë keni bërë?

Një ndërhyrje kirurgjike është e vetmja mënyrë mendoj dhe më efikase që të largohet një herë, por shpresoj edhe përgjithmonë kjo e keqe nga trupi ynë. Po vazhdoj me trajtimin e kimioterapive dhe shpresoj të jem fitimtare në fund, edhe pse rruga është mjaft e gjatë, e lodhshme dhe e vështirë njëkohësisht.

Çfarë u rekomandoni vajzave dhe grave që të kenë parasysh për të parandaluar këtë sëmundje?

Gratë dhe vajzat e reja duhet të jenë të zonjat e vetvetes, ato vet mund ta parandalojnë sëmundjen, në rast se paraqitet tek ato, ato vet duhet të kontrollohen së pari, mos të presin të rëndohet më shumë. Gjithmonë të prekin gjinjtë, të shohin çdo ndryshim që mund të ndodhë, qoftë kokërr, skuqje apo ënjtje, menjëherë të konsultohen me mjekun, nuk ka turp, më mirë të parandalohet sesa të krijohen pasoja të tjera të cilat ndonjëherë mund të na kushtojnë edhe jetë. U rekomandoj të bëjnë rregullisht mamografi ose eho, sepse vetëm në atë mënyrë mund të zbulohet saktë çfarë ka te gjiri brenda dhe vetëm me kontrolle të duhura mund të parandalohet kanceri. Nëse zbulohet në kohë, ajo mund të shërohet!

Sa ofron shteti kushte/ndihmë për trajtimin e kësaj sëmundjeje?

Jetojmë në një kohë kur çdo gjë është e modernizuar, ka aparatura, mjete dhe instrumente që mund të themi se gjendet zgjidhje edhe në vendin tonë. Unë para se të operohem isha edhe në Turqi për një konsultë mjekësore të gjirit, për një biopsi, sepse mendova ndoshta më thonë pak më ndryshe, pak më lehtë diçka, por jo! Të njëjtat fjalë dhe e njëjta pasqyrë mjekësore siç m’i thanë këtu te ne, ashtu edhe atje. Domethënë, mjekësia ka ecë përpara edhe në vendin tonë, kështu që e njëjta luftë është kudo që të jesh, por jam bindur që kemi mjekë mjaft të mirë ku mund të mbështetemi dhe të drejtohemi për ndihmë, kemi aparate për incizime mjaft të përsosur dhe jam mjaft e kënaqur nga ky aspekt!

Mendoj që pacientët onkologjik në vendin tonë dhe kudo, duhet të kenë një trajtim më specifik, më të avancuar, të kenë përparësi në mjekim dhe në ilaçe, mos të presin gjatë për një incizim apo të jenë të liruar nga çdo lloj participimi, sepse sëmundja nuk pret, ajo ec me të shpejtë, s’ka mëshirë! Protezat e gjirit që i marrim i mbulon Fondi i Shëndetësisë, besoj që ka edhe ndihmë sociale për lëndim trupor në shumë të vogël.

Te ne trajtimi në klinikë kur e pranojmë kimioterapinë dhe analiza e gjakut e tabletat nuk paguhen, ndonjë ndihmë tjetër ekstra nuk di që ekziston, ndoshta edhe ka por deri më tani nuk kam dijeni, edhe pse mendoj që është e nevojshme të ketë për të gjithë të sëmurit onkologjik.

Ndryshe, sipas të dhënave të vitit të kaluar në Maqedoninë e Veriut në ditë diagnostikohen tre deri në katër gra me kancer të gjirit. Komunat në të cilat kjo lloj sëmundje vitet e fundit është më e pranishme janë Vinica, Koçani dhe Shën Nikolla, ndërsa pacientja më e re e diagnostifikuar me kancer në gji është e moshës 17 vjeçare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button