Kanceri i gjirit, sëmundje me të cilën diagnostifikohen mbi 1000 gra brenda vitit në RMV, çfarë duhet të dini për të?

Një nga sëmundjet me të cilën përballen rreth 1,200 gra në vit në Maqedoninë e Veriut është kanceri i gjirit. Muaji tetor në botë njihet si muaji për ndërgjegjësimin dhe informimin me qëllim të parandalimit të kësaj sëmundje vdekjeprurëse në raste të caktuara, shkruan Portalb.mk.

Për këtë, Portalb.mk ju sjell informacione për atë se si  të parandalohet fillimisht kanceri i gjirit dhe më pas në lidhje me trajtimin e tij në vendin tonë. Biseduam me një specialiste onkologe, një nga personat që ka fituar “luftën” me kancerin e gjirit foli për rrugën jo të lehtë dhe procesin nga diagnoza deri në shërim, ndërsa psikologja theksoi rëndësinë e trajtimit psikologjik dhe mënyrën si kjo ndikon në përballjen me sëmundjen.

Çfarë është kanceri i gjirit?

Kanceri i gjirit është një tumor që zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit. Kanceri i gjirit është rritja jashtë kontrollit dhe përhapja e qelizave jo normale të indit të gjirit. Këto qeliza grumbullohen dhe formojnë një tumor, i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal të gjirit. Pa mjekim, këto qeliza përhapen në pjesët fqinje, e më pas, në të gjithë trupin.

Askush nuk e di shkakun e vërtetë të kancerit të gjirit, apo nëse kanceri i gjirit ka një shkaktar të vetëm, apo jo. Dimë se disa njerëz janë më të rrezikuar për të zhvilluar kancer gjiri. Faktorët kryesorë të rrezikut që mund ti numërojmë janë: mosha, gjinia, predispozita gjenetike, obeziteti, duhanpirja, menarha e hershme, menopauza e vonshme, jeta pasive fizike, kontraceptivet oral, stresi.

Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë në gratë. Ai mund të gjendet në çdo moshë, por shumica e rasteve gjendet në gratë në moshë mbi 50 vjeç. Kanceri i gjirit mund të gjendet dhe te burrat por është shumë i rrallë.

Si zbulohet kanceri i gjirit në vendin tonë dhe si trajtohet ai?

Vjollca Skenderi Neziri, specialiste onkologe
Vjollca Skenderi Neziri, specialiste onkologe

Doktoresha Vjollca Skenderi Neziri- specialiste onkologe për Portalb.mk tha se kanceri i gjirit është sëmundje shumë dimenzionale andaj në vendin tone diagnostikimi fillon që në qendrën e mjekësisë familjare (tumefaksion në gji që është palpabil), vazhdon me metodat imazherike ultrasonografija, mamografija/MRI e gjirit, biopsioni, kirurgjia/onkologjia neoadjuvante, trajtimi onkologjik (kimioterapi, radioterapi, terapi biologjike, imunoterapi, hormonoterapi). Ne fund të trajtimit vijojnë kontrollet e rregullta te onkologu me ultrason të gjirit në çdo 6 muaj dhe mamografi 1 herë në vit.

“Kanceri i gjirit është sëmundje që nëse zbulohet në fazën e hershme atëherë e njëjta edhe shërohet andaj shumë rëndësi kanë kontrollet e rregullta, është gjithashtu sëmundje me varësi gjenetike por megjithatë nuk kursen askënd, andaj të gjitha gratë duhet të kontrollohen rregullisht. Kjo sëmundje në përqindje të ulur prek edhe meshkujt andaj edhe ata po qesë ndjejnë diçka të pazakontë në gji le paraqiten tek mjeku, obeziteti, kontraceptivet oral, me një fjalë të jetuarit me stres dhe ushqimi jo i shëndetshëm ndikojnë dukshëm në paraqitjen e sëmundjes andaj le të mundohemi të jetojmë shëndetshëm.” tha Vjollca Skenderi Neziri.

Sa është e vështirë përballja me kancerin e gjirit në vendin tonë?

Misrete Edipi
Misrete Edipi

Misrete Edipi, e diagnostikuar me këtë sëmundje tha se përballja me të ishte e vështirë por me përkrahjen e rrethit të saj kjo ka qenë më e lehtë për të. Ajo tregoi se e kishte zbuluar kancerin në fazë shumë të hershme dhe e ka tejkaluar disi me mbështetjen maksimale dhe te pakushtëzueshme të familjes. Ajo tha se kur ka pasur më  së shumti nevojë për njerëz qe kishin kaluar te njëjtën rrugë nuk gjeti dikë që do fliste për këtë sëmundje dhe do ja lehtësonte procesin, dhe kështu vendosi që të flas hapur dhe të ju ofrojë ndihmë dhe mbështetje të gjithë atyre që përballen me këtë sëmundje.

“Fatkeqësisht, në zonat rurale dhe qytetet më të vogla në vend, qëndrimi ndaj sëmundjes, gjegjësisht ndaj kancerit të gjirit, është një temë tabu dhe nuk diskutohet. Këto gra, përveç sëmundjes, përballen edhe me paragjykime nga mjedisi dhe kjo i bën ato të tërhiqen dhe ta fshehin sëmundjen. Kjo është një nga arsyet pse këto gra kërkojnë ndihmë mjekësore në fazat e përparuara të sëmundjes. Familja duhet të përfshihet në mënyrë aktive në kujdes, kurse mjekët duhet të sigurojnë komunikimin me pacientët dhe anëtarët e familjes së tyre. Për këtë arsye, është e nevojshme të përdoret çdo lloj komunikimi, çdo lloj qasjeje, qoftë personale, e ndërmjetësuar, grupore, individuale apo virtuale.” tha Misrete Edipi.

Çfarë thonë psikologët?

Psikologia Vala Adili, tha se si çdo gjë tjetër dhe reagimet ndaj një diagnoze që ka lidhur me shëndetin tonë, janë tejet individuale. Ajo theksoi se shpesh vihet re qe individi i diagnostifikuar me kancer kalon nëpër fazat e procesit te zisë i cili është i lidhur me humbjet që pësojmë, në rastin konkret, humbja e shëndetit, pamjes, mundësive, planeve dhe të tjera.

Vala Adili, psikologe
Vala Adili, psikologe

“Mendimet negative në përgjithësi ndikojnë keq në gjithçka që ka të bëjë me trupin tonë, në fakt çdo gjë përpara se të bëhet lëvizje fillimisht është një mendim në kokën tonë. Përkrahja psikologjike është shumë e rëndësishme për këta pacientë, sado i vështire qe është pranimi i situatës se re, një gjë e tillë duhet të bëhet, kontakti me trupin është thelbësor, trupi jonë është mbështetja jonë, forca jonë. Këtu ka hapësirë që individi të flas me dikë për atë qe po i ndodh, për ndjenjat  e reja që janë shfaqur. Hulumtimet tregojnë se pacientet që kanë pasur me kë të flasin gjatë procesit të kemioterapisë, janë rikuperuar me shpejt se ato që e kanë kaluar këtë proces pa folur me dike, pa e ndarë me asnjë.” tha Vala Adili.

Sa ofron shteti ndihmë për pacientët e diagnostifikuar me këtë sëmundje?

Misrete Edipi tha se vështirësitë ekzistojnë, duke marrë parasysh se mbështetja që jepet nga institucionet është minimale, pacientët ndonjëherë e kanë jo te lehtë ti realizojnë te drejtat e tyre, qoftë ato nga ndihma financiare apo të drejtat nga marrëdhëniet e punës.

“Personalisht, mendoj se duhet te punohet me tepër ne këtë drejtim. Institucionet disi kanë lënë mbas dore pacientet onkologjik, sidomos ne periudhën e fundit ku fokusi ishte te pandemia. Përveç Klinikes për onkologji dhe radioterapi ku punohet me përkujdesje dhe dashuri te madhe ndaj pacienteve dhe ofrohen kushte te mira, mendoj se në mbështetje dhe ndihmë te pacienteve me sëmundje malinje duhen te kyçen edhe shumë institucione tjera, duke filluar nga ndryshime te disa akteve nënligjore që kanë të bëjnë me realizimin e te drejtave te pacienteve siç janë, e drejta e orarit te punës me kohë te shkurtuar, realizimi i së drejtës për pagë shtesë për shkak të lëndimit trupor, realizimi i së drejtës së ndihmës financiare për kujdestari nga dikush  tjetër, shërbimet mjekësore të jenë në dispozicion për të gjithë njësoj pa diskriminim në çfarëdo lloj fushe etj.” tha Misrete Edipi.

Onkologia Neziri tha se disa nga lehtësimet që ofrohen për pacientët e diagnostifikuar me kancer të gjirit janë lirimi nga participimi për disa shërbime spitalore, grave te operuara u takon protezë dhe paruke, derisa pranojnë terapi onkologjike u takon ndihmë financiare e llojit – ndihmë për përkujdesje nga personi i tretë dhe të tjera.

Për të gjithë gratë, vajzat, djemtë, burrat që duan të konsultohen në lidhje me këtë sëmundje ka një dritare ku mund të drejtohen.

Pasi Misrete Edipi u diagnostifikua me këtë sëmundje, ajo tha se donte të inkurajonte çdokënd që çdo ndryshim ta paraqesin te mjeku dhe mos ta fshehnin sëmundjen nga paragjykime te ndryshme. Nga këtu lindi ideja e themelimit te Shoqatës “Љубов сме/Jemi Dashuri” se bashku me një paciente tjetër nga Onkologjia.

Shoqata “Љубов сме/Jemi Dashuri” është një shoqatë e re e krijuar si nismë e anëtarëve të saj të grupit, që ekziston tani e 3 vjet. Kjo shoqatë përbëhet nga pacientë që luftojnë kundër kancerit, ish pacientë të shëruar dhe që veprojnë vullnetarisht, mjekë-onkologë, psikologë-psikoterapistë dhe të gjithë ata që duan të kontribuojnë në parandalimin, trajtimin dhe rehabilitimin e pacientëve me kancer. Qëllimi është të ngritet ndërgjegjësimi i njerëzve për kontrollet e rregullta, diagnostikimin e hershëm të kancerit, trajtimin aktiv dhe rëndësinë e shëndetit mendor në trajtimin e sëmundjeve malinje.

Andaj të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e këtij grupi, të ndajnë përvojat e tyre apo kanë pyetje për të cilat kërkojnë përgjigje në lidhje me kancerin e gjirit mund të bashkohen në këtë grup duke klikuar KËTU.

Mesazhi të cilin onkoligia Neziri adreson te të gjitha gratë është si vijon: “Të kujdesen gjithmonë për shëndetin e tyre, të bëjnë vetë kontrollin e gjirit që nga mosha e adoleshencës,  si vijon :që nga dita e 5 e menstruacioneve para pasqyrës me prekje radiale te indit te gjirit ne drejtim te akrepave te orës me qëllim që ta njohin trupin e tyre, të bëjnë ultrasonin e gjirit 1 herë në vit çdo grua e re dhe mamografinë që nga mosha 40 vjeçare, e nëse kanë anamnezë pozitive familjare atëherë rekomandohet që në moshën 35 vjeçare. Të ushqehen shëndetshëm, të bëjnë aktivitet fizik të paktën dy herë në javë nga 20 minuta dhe të evitojnë stresin sa me shumë që të jetë e mundur.”

Ndryshe, sipas të dhënave të vitit të kaluar në Maqedoninë e Veriut në ditë diagnostikohen tre deri në katër gra me kancer të gjirit. Komunat në të cilat kjo lloj sëmundje vitet e fundit është më e pranishme janë Vinica, Koçani dhe Shën Nikolla, ndërsa pacientja më e re e diagnostifikuar me kancer në gji është e moshës 17 vjeçare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button