Kriza energjetike ka filluar të ndjehet edhe në RMV, por a do të ketë rritje të çmimeve të faturave?
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut premtojnë se deri në mbarim të këtij viti nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, por pas 1 janarit nuk dihet çfarë do të ndodhë, megjithëse premtojnë se do të ndihmojnë në tejkalimin e krizës e cila është e përmasave botërore. Ekspertët nga ana tjetër, vlerësojnë se kriza energjetike vetëm se ka filluar të ndjehet, ndërkaq në përkeqësimin e gjendjeve mund të kontribuojnë temperaturat e ulëta të dimrit, kur dhe rritet kërkesa për energji elektrike për ngrohje të amvisërive, shkruan Portalb.mk.
Kina premtoi se do të ndalojë ndërtimin e termocentraleve me qymyr jashtë vendit edhe pse është djegësi më i madh i qymyrit në botë me 53% prej sasisë së përgjithshme. Libani tërësisht i “fiku dritat” derisa gjendet në një krizë të thellë ekonomike, çmimi i gazit natyror është rritur për 400%. Evropianët po paguajnë fatura “të nxehta” për rrymë për shkak të rezervave të vogla të magazinimit të gazit, çmimeve të larta të karbonit në BE, furnizimeve më të vogla me gaz të lëngshëm për shkak të kërkesave më të mëdha në Azi, më pak furnizime me gaz nga Rusia dhe prodhim më të vogël të energjisë së rinovueshme.
Pompat e benzinës në Britani të zbrazëta, pas një jave kaotike ku qytetarët në panik janë përleshur nëpër pompat e benzinës për t’i mbushur shishet me karburante, prodhuesit e qymyrit në SHBA nuk e plotësojnë kërkesën e klientëve në prag të dimrit. Këto janë vetëm disa nga lajmet më dramatike që periudhën e fundit kanë qarkulluar nëpër mediat botërore, por edhe për të cilat shtetet kanë pasur kokëdhembje serioze se si të arrijnë që t’i plotësojnë nevojat për furnizim me energji elektrike në vendet e tyre, në një kohë kur bota po përballet me krizë energjetike.
Rrjedhimisht, me ngjarjet botërore, edhe rajoni i Ballkanit është duke i ndjekur dhe ndjerë dallgët e valëve të mëdha që vijnë nga tregu ndërkombëtar, ku bëjnë pjesë edhe ata.
Shqipëria tanimë ka shpallur gjendje emergjente për furnizim me energji elektrike, ndërkaq autoritetet kosovare thonë se momentalisht nuk do të rritet çmimi i rrymës, por në periudhën e ardhshme kjo do të varet nga nevoja për të importuar rrymë nga tregu ndërkombëtar.
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut garantojnë deri më 31 dhjetor, pas 1 janarit nuk dihet
“Stabiliteti i çmimit të rrymës elektrike për amvisëritë, deri në fund të vitit është i garantuar. Pas janarit të vitit 2022 nuk e di as Merkeli, Makroni, Bajdeni apo Putini se çfarë do të ndodh, por shteti është këtu që t’u gjendet qytetarëve dhe ekonomisë. Ekspertët tanë në Qeveri mendojnë për të gjitha mënyrat. Ne jemi pjesë e tregut ndërkombëtar dhe do t’i ndjekim të gjitha ndodhitë në berzat ndërkombëtare të rrymës dhe energjensëve tjerë. Po do të jetë krizë. E shoh Edi Rama alarmon, alarmoj edhe unë. Kriza energjetike do të jetë e dukshme, çmimet janë të larta”, kështu deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev në lidhje me çështjen e krizës energjetike globale.
Kryeministri tha se për ndihmë do të ketë mes 50 dhe 150 milionë eurove, si dhe gjithashtu ka rezerva të mjeteve nga masat anti-KOVID. Nëse do të ketë nevojë, ai tha se do të bëhet ribalanci i buxhetit.
Drejtori i Komisionit Rregullator Marko Bislimovski për Portalb.mk, shprehet se pret që të stabilizohet çmimi i rrymës elektrike në tregun ndërkombëtar, pasi që Rusia të furnizojë sasi më të mëdha të gazit natyror, megjithatë edhe ai thotë se nuk dihet se çka do të ndodh pas 1 janarit.
“Kur të rritet dërgesa e gazit natyror nga Rusia, lartë-poshtë do të stabilizohet çmimi i gazit natyror dhe me atë do të stabilizohet çmimi i rrymës elektrike. një është e sigurt se nuk do të ketë kurrfarë ndryshime deri në fund të vitit. Momentalisht, ELEM, gjegjësisht ESM në bashkëpunim me Qeverinë ndërmarrin aktivitete që të sigurohet qymyr me qëllim që të stabilizohet çmimi i rrymës elektrike në shtetin tonë. Është shumë herët që të flitet se çfarë do të bëhet pas 1 janarit pasi që punët ndryshojnë si në shirit filmik. Gjatë dhjetorit do të kemi informata më konkrete Besoj se ESM edhe më tej do të sigurojë edhe më shumë se sa është e nevojshme”, tha Bislimovski.
Drejtori ekzekutiv i Resurseve Energjetike Nacionale, Bajram Rexhepi në një bisedë për Portalb.mk, thotë se nuk pret që të kemi rritje të çmimit të rrymës deri në mes të vitit të ardhshëm, por problemi sipas tij është nëse ESM-ja do të mundet që të prodhojë rrymë të mjaftueshme që të mos detyrohet EVN-ja të blejë rrymë jashtë vendit.
“Realisht, pjesën më të madhe prodhimit të rrymës elektrike nuk e kemi nga gazi dhe çmimet e gazit kanë ndikuar që të rriten çmimet e rrymës elektrike. Te ne, furnizimet janë bërë më herët dhe kemi furnizime të mjaftueshme të cilat janë bërë me çmime të vjetra dhe nuk pritet që të kemi ndonjë rritje enorme të çmimeve. Komisioni Rregullator vendos nga mesi i vitit të ardhshëm. Problemi është se sa do të mund operatori i prodhimit, gjegjësisht ESM ta furnizojë tregun e brendshëm. Sa më shumë që EVN ka nevojë që të blejë në treg të jashtëm rrymë elektrike, aq më e lartë do të jetë mundësia që të rritet çmimi. Kështu që deri nga mesi i vitit të ardhshëm sigurisht që nuk pritet të ketë ndryshime të çmimeve dhe varësisht se si do të lëvizin furnizimet në Evropën Lindore dhe Qendrore me gaz sepse një pjesë e çmimeve varet nga ai treg”, deklaroi për Portalb.mk Rexhepi.
Kriza në RMV ka filluar të ndjehet, shtrenjtimi eventual do ta përkeqësojë gjendjen
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), Drilon Iseni, në një diskutim për Portalb.mk, thekson se vendi ynë pa mëdyshje ka filluar t’i përjetojë goditjet e para të kësaj krize e cila ka potencial të bëhet shumë e madhe dhe si e tillë ta dëmtojë ekonominë e vendit tonë edhe më tej si vazhdim i krizës që Kovid 19 e shkaktoi.
“Kriza energjetike e cila mund të kaploj vendin tonë është problem serioz për sa i përket aspektit ekonomik të vendit dhe testimit t së vetëqëndrueshmërisë tonë ekonomike, sepse shtrenjtimi i derivateve nga fosilet dhe i energjisë elektrike, direkt do të ndikojë edhe në kostot operative të kompanive vendore por edhe të kompanive nga tregjet e huaja prej ku ne edhe importojmë. Dhe në rast të vazhdimit të këtij trendi të shtrenjtimit do të dëmtohen rëndë kompanitë vendore, dhe ne si ekonomi e vogël do ta ndjejmë dhe atë si”, tha Iseni.
Ekspertja në fushën e energjetikës, Ana Stojilkovska, faktorët të cilët mund të kontribuojnë në përkeqësimin e gjendjeve në afat të shkurtër janë temperaturat shumë të ulëta në dimër, të cilat do ta rrisnin kërkesën për rrymë elektrike për ngrohje në amvisëri, me çka amvisëritë do të prekeshin nga nevoja për të harxhuar më shumë për faturat e energjisë elektrike.
“Dhe gjithsesi temperaturat shumë të ulëta do të nënkuptonin edhe nevojë të rritur për import të rrymës elektrike që mund të sjellë deri te kriza energjetike (ngjashëm si me gjendjen në shkurt të vitit 2012). Rreziqet në afat të mesëm janë pasoja nga tranzicioni energjetik drejt energjisë së gjelbër (zëvendësimit të qymyrit me burime të rinovueshme dhe gaz natyror për prodhimin e energjisë elektrike) e cila mund ta rrit çmimin e energjisë elektrike për amvisëri. Çmimin e energjisë elektrike në nivel vjetor e rregullon Komisioni Rregullator dhe ndryshime eventuale do të vijonin nga 1 korriku i vitit 2022”, thotë Stojilkovska, duke shtuar se janë për t’u përshëndetur përpjekjet e Qeverisë që të heqin dorë nga qymyri, por patjetër të kihet kujdes në efektin e këtyre politikave ndaj amvisërive në afat të shkurtër dhe të mesëm.
Iseni nga OEMVP-thotë se nëse merren të gjitha parametrat parasysh qoftë të nivelit të konsumit, por edhe të fuqisë prodhuese në raport me fuqinë blerëse, atëherë mund të supozojmë se fuqia blerëse nuk do mund t’i bëjë ballë shtrenjtimit të energjensëve por nuk duhet harruar që si pasojë e shtrenjtimit të tyre, do të vijë deri te rritja e kostove operative te kompanive, me çka mund të shtrenjtohen edhe produktet e konsumit të gjerë.
“Ky skenar dhe e gjithë kjo çfarë po ndodhë me këto shtrenjtime, tregon se ne si ekonomi ende jemi larg për sa i përket përshtatjeve me iniciativat e Unionit Evropian, dhe se nuk kemi ndërmarrë asnjë hap në krijimin e kushteve për prodhim të energjisë së rinovueshme, ndërsa edhe më keq, nuk kemi kapacitete t’u bëjmë ballë këtyre shtrenjtimeve eventuale të cilat mund të ndodhin. Pra kushtimisht thënë, jemi duar lidhur dhe si ekonomi dhe shtet vetëm reagojmë karshi këtyre ndodhive dhe nuk i kemi paraprirë të njëjtës, pavarësisht asaj që ky skenar ka qenë i parashikuar qysh më herët”, shtonë Iseni.
Ekspertja Stojilkovska thotë se afërsisht çdo i treti qytetar në shtet është i prekur nga padrejtësia materiale serioze dhe çdo rritje e vogël e çmimit të energjisë elektrike do të kishte efekt negativ.
“Dua të theksoj se me vite, Avokati i Popullit duke vepruar ndaj ankesave të qytetarëve, tregon në sjelljen monopilste të EVN-së, të cilët ua ndërpresin rrymën qytetarëve që janë në situatë që nuk munden t’i paguajnë borxhet e tyre pasi që janë në gjendje të rëndë financiare. Këto qytetarë duhet që të mbrohen nga rreziku i ndërprerjes së rrymës dhe t’u mundësohet mënyrë e dinjitetshme që ta paguajnë borxhin”, shton Stojillkovska.
Ndryshe, për shkak krizës energjetike, shtetet evropiane kanë filluar të ndërmarrin masa. Spanja ka miratuar masa urgjente për të zvogëluar faturat e energjisë, Greqia do të ofrojë subvencione për shumicën e familjeve deri në fund të vitit, për t’i bërë kostot e energjisë elektrike më të përballueshme, Italia mund të rishikojë mënyrën e llogaritjes së faturave të energjisë elektrike, në Gjermani, çmimet e energjisë janë bërë temë debati në prag të zgjedhjeve të 26 shtatorit, ndërkaq Britania, ka vendosur kufi për tarifat e energjisë më të përdorur qysh në vitin 2019.