Gjatë fushatës zgjedhore, aksion për pastrimin e Lumit Shkumbin në Tetovë

Ka filluar të pastrohet shtrati i Lumit Shkumbin në rrjedhën e poshtme, gjegjësisht te “Lagja Dardania” apo e njohur ndryshe si “Lagjja e Romëve”. Shtrati i lumit Shkumbin në Tetovë është i mbushur me mbeturina për një kohë të gjatë, megjithatë autoritetet komunale kanë vendosur që ta pastrojnë në mes të fushatës zgjedhore, shkruan Portalb.mk.

Lumi Shkumbin këto tre muajt e fundit që Portalb.mk e ka ndjekur rastin ka qenë i stërngarkuar me mbeturina të llojeve të ndryshme, gjegjësisht në pjesën e Lagjes Dardania. Ku punimet tani kanë filluar.

Qytetarët e pandërgjegjshëm, pos mbeturinave të amvisërive kanë hedhur edhe mbeturina ndërtimore, orendi shtëpiake dhe shumë të tjera. Këto të fundit tani më kanë filluar të largohen nga shtrati i lumit, në rrjedhën e poshtme. Nga Komuna e Tetovës thanë se pastrimi do të jetë i vazhdueshëm, zëdhënësja e komunës dje tha se do të na njoftojë edhe për atë sa do të kushtojë ky pastrim, por deri tani nuk kemi përgjigje.

Portalb.mk dërgoi disa pyetje te Komuna e Tetovës në lidhje me atë se kush i kryen punimet, sa do të kushtojë ky proces dhe kur pritet të mbarojë.

“Shtrati i Lumit Shkumbin po pastrohet nga kompania e zgjedhur Euroinvest ING, dhe pastrimi do të jetë i vazhdueshëm, duke pasur parasysh nevojën e vazhdueshme në këtë periudhë për pastrim aty ku mbeturinat hidhen vazhdimisht.” thanë nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk.

Për atë se sa do të kushtojë kjo dhe se a është bërë ndonjë kontratë, zëdhënësja e komunës dje tha se do të na njoftojë për të njëjtën.

Kështu duket kjo pjesë tani që kanë filluar punimet:

This slideshow requires JavaScript.

Kështu dukej shtrati i Lumit Shkumbin gjatë gjithë verës deri para se të fillojnë punimet për pastrimin e shtratit:

This slideshow requires JavaScript.

Rregullimi i shtratit të Lumit Shkumbin është një prej premtimeve të kryetares aktuale të Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Rikujtojmë se Komuna e Tetovës dy herë ka ndarë mjete për pastrimin e shtratit të lumit.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Komuna e Tetovës pagoi 32 mijë euro për pastrimin e shtratit të lumit. Edhe pse nga Komuna e Tetovës thanë se kishte përfunduar pastrimi, kamera e gazetarit të Portalb.mk dhe banorët dëshmuan të kundërtën. Më pas, Komuna e Tetovës në muajin mars të këtij viti përsëri nënshkroi një kontratë ne vlerë prej 32 mijë eurosh me kompaninë “Euro Invest-ing” për pastrimin e shtretërve të lumenjve në Tetovë me rrethinë.

Pavarësisht që Portalb vazhdimisht shkruan për këtë çështje, Komuna e Tetovës dhe Inspektorati Ekologjik ende nuk kanë dalë me një strategji për këtë problem. Portalb.mk me vite ka shkruar për fenomenin e mosgjetjes së autorëve të hedhjes dhe djegies së mbeturinave në Tetovë. Qytetarët denoncojnë në “E-report” për arsye se numri i vendosur në uebfaqen e Komunës (0800-55-043) për denoncimin e këtyre rasteve, është jofunksional.

Rikujtojmë se në #Debatpërnime të organizuar nga Portalb.mk dhe partnerët Kallxo nga Kosova, Teuta Arifi  tha se rregullimi i shtretërve të lumenjve është një prioritet i rëndësishëm, veçanërisht pas vërshimeve dhe fatkeqësive të vitit 2015.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button