ZHDANOVI
A e dini kush është Zhdanovi? Ai që polli kornizat absurde të artit pragmatik – damlla e kulturës së gjysmës së botës, të përfshirë nga ideja e dështuar në nivel planetar.
Zhdanovi është ai që çoi më tej budallallëqet e teoricienit marksist Plehanovit, që letërsinë e shihte si formë të ideologjisë klasore, ku shkrimtari merr pjesë në luftën e klasave dhe është kasnec i një ideologjie. Zhdanovi, me angazhimin personal të Stalinit dhe përkrahjen e M. Gorkit (atij shkrimtarit rus që la pa nëna gjithë ata që thithën cicën e Pellagisë komuniste…), krijoi platformën e realizmit socialist e cila u bë qivur i mijëra krijuesve dhe veprave të tyre artistike.
Kush mendon se Zhdanovi ka vdekur është laik. Ai vdes aq sa mund të vdesë një vampir. Ai është emblemë e çdo kohe dhe rishfaqet sa herë që bën bosh n’shpirtin e njerëzimit. Rishfaqet si një makth frymëzënës dhe gjuan mjeshtërisht kopetë në sallamadi kulturore. Zhdanovi është qenie prej hije. Ai është kudo: në çdo fjali, në çdo shkrim, në çdo teatër, në çdo ekran… Është gjaku i keq që vrujon nëpër damarët e mesjetave t’metamorfozueshme, duke bërë vigjilencë të partishme prej Danjolli. Ai është aty ku është politika kallpe, pushtetari telall dhe porositë e tij hyjnore. Ai bën rojë nga kulmi i tempujve t’Olimpit, mbi amanetet e Zeusëve të reinkarnuar përjetësisht nëpër epoka shoqërishë me zgjebe kronike e filozofi fisi. Ai është nën thembrën e Perëndivë të rreme, përkatësisht, është vetë thembra e tyre dhe nuk i bëhet vonë, as i vie ndot, kur qëllon ta bëjnë helaq duke shkelur me të ndoj mut duhme afatgjate. Tërë izmeqarllëku hallall, veç padroni me shputa të pastra dhe, natyrisht, kultura në zëndan.
Zhdanovizmi lind milicinë e kulturës, legenët dhe tarabukat e partishme; artin e gjirizeve dhe kësulat majë hamanxhikut kulturor; vakumet e pariparueshëm për brezat që vijnë…; lind Hyde Park-un, ku mund t’i shprazim lukthet e vrereve, të protestojmë kundër sidës së njëmendësisë dhe të vazhdojmë notin n’ligat e koitusit estetik.
Diktatura ka një emër, pavarësisht nga sinonimet eufemike dhe nga fakti se Makiaveli i kavërdisur n’vaj rrëshqet kollajshëm. Pas masazhave të trurit të llangosur nga vaditjet permanente edhe Saturni duket se nuk i ha më fëmijët e vet.
Ai që s’e kupton këtë është butakëzuar për merak ndaj s’është i denjë as për suxhuk. Të tillëve u ka rrjedhur truri, tok me dinjitetin, dhe nuk u rrezikohet gjë n’qelinë e idesë monolite. Ata janë evnuhë bashkëkohorë – torzo që kanë synetuar kokat në shenjë respekti e përulësie të përjetshme ndaj padronëve, zotrave të rremë, kurkushëve…
Në kushte xhungle individët me mundësi reale për të çndyshkur hallkat e një shpirti nuk e gjejnë dot njëri-tjetrin nga boritë ideologjike të Lasgush Poradecit dhe rapsodët e oborrit. Ata nuk i qas asnjë pushtet se nuk e kanë në gjak fiskulturën e temenave. Ata nuk i do kush se s’duan ta heshtin mendimin e lirë, për t’ruajtur kondicionin e llaçkave për “hamlet” që do i marrin nesër, kur t’humbin hikmin Shkëlqesitë, ashtu si veprojnë sot jargavecët që nuk do të arrijnë kurrë të dalin nga brekët e sulltanëve të tyre.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.