RMV, Javën evropiane të lëvizshmërisë e “pritëm” me një milion udhëtarë më pak në transportin publik

Aktivitetet për shënimin e Javës Evropiane të lëvizshmërisë po zhvillohen këto ditë në Shkup, por së bashku me to të dhënat për rezultate jashtëzakonisht të dobëta se sa qytetarët në të  vërtetë e praktikojnë lëvizshmëri të qëndrueshme urbane në udhëtimet e tyre të përditshme, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave të fundit nga NQP-Shkup, transporti publik në kryeqytet në gjysmën e parë të këtij viti ka transportuar pothuajse një milion udhëtarë më pak në krahasim me periudhën janar-qershor 2020. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, me transport publik në Shkup janë transportuar 10.417.267 udhëtarë, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar autobusët e qytetit kanë transportuar 11.387.134 udhëtarë.

“Në gjysmën e parë të vitit 2021, me transport të rregullt janë mbuluan gjithsej 6.794.461 km, që është 6,4 përqind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në gjysmën e parë të vitit 2021, NQP SHKUP KA transportuar gjithsej 10,4 milion udhëtarë dhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i udhëtarëve të transportuar u ul me 969.867 udhëtarë ose 8,5 përqind si rezultat i zvogëlimit të numrit të udhëtarëve me bileta jo të personalizuara për 12,9 përqind, transporti i kontraktuar për 46,8 përqind dhe bileta shtesë për 5,1 përqind “, thuhet në Raportin për rezultatet e arritura nga puna e NQP Shkupi në periudhën janar-qershor 2021.

Ndryshe nga kjo Portalb.mk dhe Meta.mk tashmë kanë shkruar se shkalla e motorizimit të banorëve të kreqytetit po vazhdon të rritet. Kështu, numri i makinave të regjistruara në kryeqytet në vitin 2020 arriti rekordin e 155.195 makinave, gjegjësisht mbi 6.300 makina më shumë në krahasim me vitin e kaluar. Në vitin 2019 në Qytetin e Shkupit ka pas të regjistruara, 148.892 makina. Këtu nuk janë përfshirë automjete të tjera motorike, të tilla si: kamionë, autobusë, motoçikleta, traktorë dhe të ngjashme.

Përndryshe, Java evropiane e lëvizshmërisë filloi më 16 shtator, me ç’rast këtë vit organizohet me temën “Të sigurt dhe të shëndetshëm me lëvizshmëri të qëndrueshme”. Kryetari i Shkupit Petre Shilegov nënshkroi një aplikim për Javën Evropiane të lëvizshmërisë, duke thënë se Qyteti i Shkupit deri më tani ka ndërtuar mbi 110 km shtigje biçikletash në kryeqytet, por gjithashtu janë blerë mbi 12,000 biçikleta të reja dhe 600 skuterë të rinj nga qytetarët përmes subvencioneve të siguruara nga autoritetet e qytetit.

Sidoqoftë, aktualisht nuk ka informacion të detajuar se sa qytetarë të kryeqytetit i përdorin biçikletat si mjet transporti gjatë udhëtimeve të përditshme dhe sa e përdorin transportin publik ose makinën. Në shtigjet e biçikletave në Shkup, nuk ka njehsorë automatikë për numrin e biçikletave. Ndryshe nga të dhënat në dispozicion për numrin e udhëtarëve në transportin publik dhe numrin e automjeteve që lëvizin në rrugët e Shkupit çdo ditë, të dhëna të hollësishme për numrin e çiklistëve në Shkup nuk ka.

Një studim mbi sistemin e trafikut në Shkup është realizuar për herë të fundit në vitin 2010, dhe ai tregon se vetëm 1,4 përqind e numrit të përgjithshëm të udhëtimeve në kryeqytet janë realizuar me biçikletë.

Java Evropiane e lëvizshmërisë organizohet çdo vit dhe iniciohet nga Komisioni Evropian, për të stimuluar ndryshim në shprehitë e qytetarëve për transport drejt përdorimit më të madh të transportit publik, biçikletave, skuterëve dhe mundësi të tjera të transportit inteligjent që çojnë në lëvizshmëri të qëndrueshme urbane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button