SPLEENI, ENNUI DHE IDEALI

Kur e përmendim spleen-in, ennui-n dhe idealin mendja na shkon te Sharl Bodleri.

Spleen-i dhe ennui janë gjendje melankolie, mërzie kronike, apatie, zbrazëtie, lodhje nga bota, mungesë entuziazmi e motivimi për jetën, që Verleni e shpreh me vargun: “Natyrë, asgjë jotja nuk më mallëngjen më”.

Ideali na nxit që të veprojmë. Na motivon. Na orienton drejt qëllimit që ia kemi vënë vetes.

Njeriu që ka ideale ndjehet i vetëplotësuar. Ai mendon, punon dhe ngulmon për realizimin e tyre.

Kur njeriu e arrin një ideal, atëherë e kërkon një ideal tjetër. Jeta pa ideale, sipas Ajn Rand-it, është e çoroditur.

Si mund të dalim nga gjendja e demotivimit, qoftë si individë apo si shoqëri?

Për të dalë nga kjo gjendje na duhen qëllimet, idealet. Duhet ta dimë pse kemi ardhur në këtë botë, çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë duhet të lëmë si trashëgimi.

A do t’u lëmë pasardhësve një botë më të mirë, më të fisme apo do t’u lëmë një botë spleen-i dhe ennui?

A do të krijojmë shoqëri solidare, të organizuar apo do të vegjetojmë në kaos dhe do të njësohemi me kaosin?

A do të mendojmë t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve apo do të ngjajmë me një anije pa busulle që nuk dihet ku e degdisin dallgët e tërbuara?

Kush duhet t’i krijojë idealet e kohës së re në mos elitat mendonjëse?

Përse e kemi lënë gjithçka në duart e politikanëve pragmatistë, të cilët kanë pushtuar gjithçka në jetën tonë?

Studiuesit thonë se për të dalë nga gjendja e spleen-it duhet të kërkojmë diçka të re. Të ikim nga rutina. Nga monotonia. T’i mësojmë shkaqet e dëshpërimit. Të veprojmë për ta ndryshuar gjendjen tonë.

Për ta ndryshuar gjendjen duhet ta duam ndryshimin. Duhet të veprojmë. Të jetosh nuk do të thotë vetëm të marrësh frymë, por duhet të veprosh, thotë Ruso.

Nëse nuk do të veprojmë, por vetëm do të ankohemi për gjendjen në të cilën jemi, atëherë do të përballemi me spleen-in. Do të bëjmë kinse kërkojmë shtigje për të ikur nga një gjendje, por në fakt do të ikim nga vetvetja, nga përgjegjësia, nga të qenit individë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button