Tetovë, pas tre javësh asnjë i vdekur nga Covid-19

Periudhën e fundit, Tetova ishte një nga qytetet më të goditura nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, sipas autoriteteve shëndetësore, situata shkon drejt përmirësimit. Pas tre javëve, brenda 24 orëve nuk ka ndërruar jetë asnjë pacient. Momentalisht, numri i pacientëve të hospitalizuar është 84. Doktoresha Miranda Pajaziti për Portalb.mk tha se vetëdija e qytetarëve është rritur dhe paraqiten në ambulantë në fazë të hershme të simptomave.

Pas tre javëve me shifra të larta të vdekjeve, gjatë 24 orëve të fundit në Tetovë nuk është shënuar asnjë rast vdekjeje.

Numri i pacientëve të hospitalizuar në Spitalin e Tetovës për momentin është 84, prej të cilëve 82 pacientë janë me terapi oksigjeni. Në 24 orët e fundit ka pasur 9 pranime, 13 fletë-lëshime, dhe 135 kontrolle ambulatore.

Doktoresha Miranda Pajaziti për Portalb.mk tha se pacientët e hospitalizuar janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa nga ana tjetër vetëdija e qytetarëve është rritur dhe paraqiten në ambulantë që në shfaqjen e simptomave të para.

“Fatmirësisht pas tre javëve, kemi lajm të mirë sepse kemi 0 viktima. Gjendja përmirësohet, mirëpo pacientët ende që i kemi të hospitalizuar janë në gjendje të rëndë. Vetëdija është rritur dhe pacientët vijnë në kontrolle prej se u paraqiten simptomat e pare të sëmundjes, nuk vijnë në fazën terminale sepse e panë që shumica e rasteve fatale që mbaronin vinin në fund kur nuk mundeshin edhe të shëroheshin sipas protokolleve, ku asnjë terapi nuk mundej të ndikonte te ato”, tha Miranda Pajaziti.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut informoi se në 24 orët e fundit janë regjistruar 199 raste të reja me Covid-19 nga 2 558 testime të kryera, 556 pacientë u shëruan, ndërsa 32 humbën jetën. Numri i të infektuarve që nga fillimi i pandemisë është 180,243, numri i pacientëve të shëruar është 159,365, numri i vdekjeve është 6,097, dhe numri i rasteve aktive është 14 781.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button