Kovid në RMV: Më të rrezikshmit janë ata jashtë “radarit”

Kolliten, ankohen për gërvishtjen e fytit, nuk vijnë në kontroll, nuk testohen, mendojnë se është ftohje e lehtë…Numri gri i personave të infektuar mund të çojë në një kulm dytësor, thonë ekspertët për DW.

A do të vazhdojë rënia e numrit të personave të infektuar rishtazi me koronavirus?

Zyrtarët shëndetësorë shpresojnë se vala e tanishme e Kovid-19 po qetësohet, por fillimi i vitit shkollor dhe numri gri i të rinjve me simptoma më të buta gjatë shtatorit mund të çojnë në një kulm dytësor në valën e katërt, frikësohen ekspertët.

Edhe pse ditët e fundit po reflektohet një rënie e vogël e numrit të pacientëve, mjekët janë të kujdesshëm në vlerësimin e gjendjes. Kovid qendra në Tetovë, ditëve që kaluan ishte nën presion të madh me pranimin e pacientëve nga Kovid-19, por tani ai presion është zvogëluar “pak”.

“Kemi të shtrirë 112 pacientë, 7 prej të cilëve u pranuan dje. Shumica e tyre janë të pavaksinuar, 6 kanë marrë dozën e parë të vaksinës, dhe 6 dhe dozën e dytë. Të gjithë pacientët janë me mbështetje të oksigjenit. Dje vdiqën katër persona të moshës 62, 75, 80 dhe 83 vjeç. për 24 orë janë kontrolluar 227 persona. Gjendja nuk është e mirë, por është pak më e mirë se ditët e mëparshme. Nuk ka aq presion të madh për hospitalizim”, tha Dr Gëzim Nuredini, kreu i Kovid qendrës.

Shumë qytetarë të Maqedonisë me simptoma të Kovidit nuk shkojnë të testohen

Në mesin e atyre që janë shtrirë në spital nuk ka të rinj. Përjashtim bën një 25-vjeçar me sindromën Down,  te i cili pneumoni po tërhiqet, ai po shërohet dhe së shpejti do të lirohet në shtëpi.

“Nuk ka të rinj në mesin e të shtruarve dhe nuk ka njerëz pa sëmundje shoqëruese. Më shpesh, këta janë njerëz që kanë probleme me sistemin kardiovaskular, të cilët kanë stent, bajpas, tension të lartë të gjakut, diabet, kanë pësuar goditje ose ndërkohë kanë qenë në kimioterapi”, shpjegon doktor Nuredini.

Ai e konsideron numrin e madh të pacientëve si pasojë e pranisë në dasma në ambiente të mbyllura, tubime në objekte të mbyllura me ajër të kondicionuar në periudhën kur temperaturat ishin të larta, mos mbajtje të distancës dhe mos mbajtjen e maskave.

“Mos-mbajtja e maskave ka prekur edhe bashkëqytetarët tanë nga diaspora të cilët erdhën në Tetovë këtë verë. Ata panë që nuk mbanin maska ​​dhe u liruan. Tani këta dhe qytetarët tanë të tjerë nga Ballkani po mbushin kovid-qendrat në vendet evropiane ku ata jetojnë”, tha Nuredini.

Aktualisht frika është se, transmetuesit më të mëdhenj të virusit mund të jenë të rinjtë pa sëmundje shoqëruese, të cilët vuajnë nga sëmundja pa simptoma më serioze – me kollë, gërvishtje në fyt dhe rrjedhje të hundës.

“Sapo dikush kollitet dhe zëri i hiqet, ai duhet të testohet menjëherë. “Në një rast thashë – pothuajse nuk ka shtëpi ku nuk ka pozitive,” tha doktor Nuredini.

Vendosni maskë

Përkundër faktit se autoritetet shëndetësore të Maqedonisë paralajmërojnë vazhdimisht se mbajtja e maskës është e rëndësishme për parandalimin e pandemisë koronavirus, disa njerëz ende kundërshtojnë mbajtjen e maskave. Për mos mbajtje e maskave, gjoba për qytetarët është 20 euro, për personat juridikë – 2000 euro. Kjo është arsyeja për të cilën hyrjet në dyqane që nga fillimi i pandemisë janë “zbukuruar” me paralajmërime të tilla.

Frika nga një kulm dytësor

Problemi për të cilin flet doktor Nuredini theksohet edhe nga mjekë të tjerë. Të rinjtë shpesh thërrisnin mjekët e tyre të familjes për këshilla në lidhje me simptoma të tilla, por e kanë shmangur kontrollin ose testimin.

“Kolliten, ankohen për dhimbje të fytit ose zë të humbur, mendojnë se është ftohje e lehtë, përdorin qetësues të dhimbjeve të fytit, nuk vijnë në kontroll, nuk testohen, ecin, lëvizin mes njerëzve. Dhe kjo është një “bombë” e fshehur, nëse marrim parasysh vlerësimet se një person i infektuar me llojin delta, i cili tani është dominues në vendin tonë, mund të transmetojë infeksionin tek shtatë ose tetë persona”, shpjegojnë mjekët.

Ky aspekt është veçanërisht i rëndësishëm, nëse marrim parasysh se viti shkollor fillon sot me prezencë fizike në shkollat ​​fillore dhe të mesme. Për shkak të situatës epidemiologjike, përjashtimet e vetme janë shkollat ​​e mesme në Tetovë dhe Gostivar ku mësimet do të fillojnë onlajn pas 14 ditësh, gjegjësisht 7 ditë në Kërçovë dhe Strugë.

“Nuk jam i sigurt se çfarë na pret, por nëse situata vazhdon kështu me siguri brenda një ose dy javësh nxënësit do të vazhdojnë me mësim onlajn”, tha mikrobiologu Dr. Nikolla Panovski për TV “Kanal 5”.

Sipas tij, në shkollat ​​e mesme ku ka nga 34 fëmijë në një klasë, duhet të ketë ndarje të ndërrimeve dhe ai mendon se kjo ndoshta do të ndodhë.

Prej sot rregulla të reja

Edhe pse zyrtarët shëndetësorë janë të bindur se situata po qetësohet, fakti që shumë prej të infektuarve mbeten jashtë radarit, sipas ekspertëve, mund të çojë në një rritje të numrit të pacientëve në popullatën më të rrezikuar, gjegjësisht një kulm dytësor të valës së katërt në mes të shtatorit.

Spitalet në Tetovë dhe Gostivar tani janë më të ngarkuarit me pacientë, kurse gjithnjë e më shpejt po mbushen spitalet në Kërçovë, Strugë dhe Ohër. Bilanci i djeshëm i 24 orëve të fundit ishte 870 raste të reja të Kovid-19 nga 5.844 teste. 37 pacientë vdiqën, ndërsa më i riu ishte 22 vjeç. Numri i rasteve aktive është 14.249.

Dje, Qeveria i konfirmoi dhe i plotësoi masat që do të vlejnë nga sot në pikat kufitare për hyrje dhe dalje të shtetasve vendas dhe të huaj: do të kërkohet certifikatë për vaksinim me dy doza vaksine, konfirmim se e kanë kaluar KOVID-in gjatë 45 ditëve të fundit duke i numëruar nga dita e shërimit, PCR test negativ jo më i vjetër se 72 orë ose test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë. Karantinë e brendshme shtatë-ditore është e detyrueshme nëse personat kur hyjnë në vend nuk kanë PCR test negativ, certifikatë vaksinimi ose certifikatë se e kanë kaluar Kovid-19. Kohëzgjatja e karantinës mund të shkurtohet në 5 ditë nëse gjatë asaj periudhe paraqitet PCR test negativ. Përjashtim nga kjo masë bëjnë shoferët shtetas tanë të kamionëve, si dhe shoferët e huaj të kamionëve të cilët kalojnë transit nëpër vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button